Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e Kanunit të Labërisë, që njihej në 165 fshatra

Kanuni i Labërisë është përmbledhje e normave të pashkruara të së drejtës zakonore që kanë vepruar në krahinat midis tre urave: të Drashovicës, të Tepelenës e të Kalasës.

Normat e tij janë përgjithësisht të njëjta me ato të kanuneve të zonave të tjera të vendit.

Tradita gojore e lidh kanunin e Labërisë me emrin e Papa Zhulit, themeluesit të katundit Zhulat (Gjirokastër).

Rreth viteve 1840-1850 u bënë disa ndryshime në kanunin e vjetër. Këto ndryshime njihen me emrin “Shartet e Idriz Sulit”.

Ndryshimet pasqyronin marrëdhëniet sunduese feudale dhe u përgjigjeshin interesave të agallarëve. Ato u kundërviheshin ligjeve dhe sistemit gjyqësor osman si dhe reformave të Tanzimatit.

Kanuni i Labërisë është sot i mbledhur, por jo i kodifikuar.

———–

 

Sipas Prof. Dr. Ismet Elezit mendohet që kanuni i Labërisë e ka zanafillën nga ilirët e lashtë. Këtë tezë e mbrojnë shumë studiues të huaj. Ai zbatohej në 165 fshatra të Labërisë dhe sigurisht në qytete si Vlora, Saranda, Gjirokastra, Tepelena dhe Delvina. Kanuni i Labërisë përbëhej nga sanksionimi i etikës dhe vlerave morale si dhe parimet themelore juridike si mbrojtja e nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, mikpritjes, bujarisë dhe barazisë së njerëzve.

Prof. Dr. Elezi e vë theksin tek ngjashmëria që ka Kanuni i Labërisë me funksionimin e shoqërisë homerike që është kaq e njohur në veprat e Homerit dhe përkatësisht tek “Iliada” dhe “Odiseu”. Ka shumë ngjashmëri dhe me funksionimin e shoqërisë post-homerike. Në këto përfundime kanë dalë të gjithë vizitorët e huaj që vizituan vendin tonë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmën e parë të shekullit XX. Po në këtë përfundim ka dalë dhe studiuesi i famshëm japonez Kazuhiko Yamamato. Në librat e tij ai thekson tezën se struktura homerike është e përbërë nga besa, nderi, miku, gjaku dhe hakmarrja. Pra studiuesi japonez gjen shumë të përbashkëta, duke mbështetur tezën e hershmërisë së popullit shqiptar. Një tezë shumë e rëndësishme që del në përfundimin se popullsia shqiptare ka një histori zhvillimi dhe qytetërimi po aq të lashtë sa ajo e grekëve.

Kanuni i Labërisë mbart në vetvete norma shumë të lashta dhe me karakter primitiv. Ai është studiuar me shumë kujdes sepse përmban norma të së drejtës ilire, të rendit gjinor e farefisnor dhe më pas është pasuruar me norma të të gjitha fazave që ka kaluar historia shqiptare nëpër shekuj shkruan konica.al. Zakonet popullore u kthyen në norma juridike të pashkruara. Në terma më të kuptueshëm ai përmbante fillimisht disa tabu, veprime që nuk duhet të kryheshin nga anëtarët e komunitetit, në asnjë rethanë. Ai shpjegon normat e moralit, norma që tregonin se kush ishte e mira dhe e keqja, si duhet të stimuloheshin veprat e mira dhe si duhet të luftoheshin të këqijat. Me kalimin e kohës të gjitha këto u kthyen në zakone të shqiptarëve.

Vendi ynë ka qenë një territor i pushtuar nga shumë invazorë të huaj. Si është e mundur që shqiptarët nuk zbatonin ligjet e pushtuesve? Profesor Elezi e ka një përgjigje shkencore. Askush nga të huajt nuk arriti të impononte të drejtën e tij ligjore. Lebërit vazhdonin të qeveriseshin nga e drejta zakonore duke shpërfillur romakët, bizantët dhe turqit. E drejta zakonore asnjëherë nuk u asimilua nga të huajt.

Gojëdhënat popullore rrëfejnë se krijuesi i Kanunit të Labërisë ishte Papa Zhuli që ka jetuar në shekullin XI. Ai ishte një prift i Zhulatit dhe ka jetuar në kohën kur Shqipëria ishte nën pushtimin bizantin. Profesor Elezi ngul këmbë që e drejta zakonore është shumë më e vjetër dhe ndoshta Papa Zuli vetëm mblodhi atë që ishte trashëgimi e lashtë nga ilirët. Dokumentet e para për Kanunin e Labërisë do të vinin në vitin 1492. Perandoria otomane do njihte Himarën si kryeqendrën e Labërisë. Udhëtarë të huaj të kësaj kohe si Lik, Liri, Hobhans dëshmojnë në veprat e tyre për një kod zakonor që ishte baza e qeverisjes së krahinës.

Në Kanunin e Labërisë ajo që të bën përshtypje është martesa. Sipas këtij kanuni martesa ishte monogame dhe egzogame duke i shpallur luftë çdo lloj martese tjetër. Një vend të rëndësishëm në Kanunin e Labërisë zinin normat e zhvillimit ekonomik të krahinës si dhe ndarja e sinoreve dhe pasurisë. Prona private, format e tjera të pronësisë, trashëgimia trajtohen gjerësisht. Gjithashtu flitet dhe për sanksionet ndaj keqbërësve, atyre që shkelnin besën, marrëdhëniet në familje etj.

Please follow and like us: