Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: KOTËSIA E HARBUTËRISË DHE  ZALLAMAHISË, PËR TË SHMANGUR ME ÇDO MËNYRË  INDIVIDËT DHE ZËRAT AKTIVË KRITIKË…

Dyfytyrësia dhe niveli ulët i një lidershipi të dyzuar dhe autokrat, me tentativa dhe  përpjekje dashakeqëse, të dominuara prej frikës, ankthit dhe paragjykimeve primitive.

Kësaj here, pikërisht evenimenti, teksa KM i tejngazëllyer Edi Rama, takohet me miqtë e tij himariotë, rishtaz në skenë dalin në pah aspektet mjerane dhe paskrupulltësia e papranueshme e një mentaliteti prapanik autokratik.

Takimet elektorale, si tepër jetike me praninë e qytetarëve, me zërin, opinionet e përfaqësimin e tyre, na përballin me një surprizë të pakëndshme. Me një tentativë dhe përpjekje neveritëse, për të imponuar edhe në fushatën elektorale, impaktet e një diktature të veçantë. Një diktature që imponon dhe dikton heshtjen, lidhur me problematikat shqetësuese aktuale dhe përballjen me të vërtetat e hidhura që mbijeton treva e Himarës.

Përse policia në Himarë, arbitrarisht izoloi dhe pengmori himariotin Aleko Bala…?

Ku ndodhin këto skandale duke shkelur hapur ligjet, e nga ana tjetër me demek Edi Rama i ngërdheshur, gjoja takohet me miqtë himariotë…

Me banorët e saj treve të lavdishme, që i  grabiti, i shkatërroi, i varfëroi, i përdhosi, i talli… Dhe pa pikë turpi shtiret si triumfator i kotësisë dhe ligësisë.

Shkelja në Himarë e Edi Ramës, për t’u takuar me miqtë e pamiqësuar himaritë, evidentoi dhe nxorri në pah një tjetër precedent megaskandal dhe abuzim, të kryer ditën me diell disa metra me tej vendondodhjes së KM, në mjediset e policisë së Himarës. Një qytetar himariot, Aleks Bala, krejt pa asnjë shkak, pa asnjë pretekst, në shkelje flagrante ligjore, shoqërohet dhe mbahet peng.

A ishte në dijeni Madhëria e tij Kusarsulltani Edi Rama, që policia e Himarës, gjatë kohës së vizitës së tij elektorale për t’u takuar e çmallur me miqtë e tij himariotë, izoloi  bashkëpatriotin tonë Aleko Bala, duke shkelur në mënyrë flagrante ligje dhe Kushtetutën?!

Po i përkëdheluri i tij Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi, a ka dijeni rreth një ngjarjeje të tillë që kapërcen kufijtë e skandalit në një fushatë elektorale?

Si mundet në një shtet dhe shoqëri që pretendon se ka plotësuar gjithë standartet dhe detyrimet respektive për startin e negociatave të anëtarësimit për në Evropë, shkelen ditën me diell të drejtat themelore të një qytetari?!

Si mundet që policia e një shteti, të shndërrohet në vegël qorre të pushtetit dhe kapriçiove tendencioze të një KM, duke shkelur hapur të drejtat dhe detyrimet kushtetuese.

Si mundet të jetë përkim apo rastësi momentale, që sa herë shkel në Himarë Sulltan Madhëria e tij Edi Rama, policia e Himarës arbitrarisht izolon krejt pa asnjë shkak, një qytetar të denjë, një ish të persekutuar politik, i dënuar prej rregjimit diktatorial me burg dhe dënime të rënda…

Si mundet të merret peng jeta e një qytetari nga organet e rendit, pa pasur motiv apo shkak thelbësor në ligjshkeljen e rendit apo më gjerë?!

Cili luan  fijet apo fshihet me këtë maskaradë të neveritshme?

Avokati i Popullit a shqetësohet dhe pozicionohet vallë për këto fenomene abuzive në dëm të dinjitetit të qytetarëve krejt të pafajshëm?

Doktrina e respektimit të të drejtave të njeriut, ka institucionalizuar  me qartësi dhe rreptësi, tek e drejta ndërkombëtare, tek Kushtetutat kombëtare, tek oazi i politikave shtetërore, themelet e shëndosha të një paqeje shoqërore dhe rendit publik në mbarë botën.

Kësisoj, jo më kot thuhet se pushteti buron prej popullit e për rrjedhojë, cilado qeveri demokratike, legjimitetin e saj e mbështet tek qytetarët dhe shoqëria. Duke siguruar njëherazi pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset politike, në aspektet e qeverisjes si edhe në proceset vendimmarrëse.

Në këtë kontekst,lipset që pushteti t’i shërbejë dhe mbrojë interesat e shoqërisë kompakte si një e tërë, dhe jo të disa pjesëzave apo segmenteve të saj. Sepse edhe mbrojtja e interesave të pakicës, përbën një domosdoshmëri dhe imperativ demokratik. Aq më tepër për dinjitetin, lirinë dhe barazinë e qytetarit, i cili duhet të jetojë krejt i lirë dhe i papenguar, por edhe duke iu ofruar siguria personale nga vetë shteti.

Në rastin konkret nuk shohim që të respektohen këto standarte thelbësore nga ana e administratës që drejtohet me përgjegjësinë ekzekutive të Edi Ramës, duke krijuar impakte dhe shqetësime serioze, të patolerueshme, që lidhen drejtpërdrejt me shkeljen e të drejtave themelore të një qytetari himariot, si Aleko Bala.

Këto të drejta kurrësesi nuk janë sajesa apo frymëzime romantike, por një etikë e domosdoshme, që imponon respektimin e standarteve specifike si të drejta ligjore dhe të patjetërsueshme, të çdo qenieje njerëzore që i posedon qysh prej ardhjes në jetë.

Kujt i shërben makabriteti i pengmarrjes së pamotivuar nga organet kompetente e një qytetari të lirë e krejt të pafajshëm si Aleko Bala?

Kush e posedon të drejtën e pambështetur në ligj, që të mbajë peng në mjediset e policisë së shtetit një qytetar si Aleko Bala?

Kujt i vlejnë incidentet dhe këto metoda hipokrite të dhunës  së  qeverisë, e cila me arbitraritet nxit apo shtyn verbalisht punonjësit e policisë, të kryejnë veprime të paligjshme  dhe antidemokratike?

Çfarë fshihet pas këtyre fakteve demoniake që ekspozojnë në mënyrë të pariparueshme e tmerruese shtetin dhe institucionet e tij? Përgjegjësia e të cilave bie personalisht mbi KM, Edi Rama, Ministrin e Brendshëm Blendi Çuçi, si edhe autoritetet përgjegjëse respektive, që luajnë sipas dëshirave apo kapriçiove me jetën e qytetarëve shqiptarë?

Prokuroria, SPAK e organet e tjera kontrollzbatuese të ligjeve shtetërore, për sa kohë do heshtin e do dëshmojnë indiferencën e tyre ndaj këtyre megashkeljeve flagrante të ligjeve që cënojnë rëndshëm dinjitetin e qytetarëve por edhe të vetë shtetit.

Me urgjencë SPAK, Prokuroria lipset të angazhohen e zbardhin këtë megaskandal të inicuar personalisht prej KM dhe shpurës së tij lakmuese dhe mediokre që e rrethon.

Athinë, 14.04.2021.

 

Please follow and like us: