LE TEMPS, 1881/LIDHJA SHQIPTARE ËSHTË ZONJË ABSOLUTE E PRIZRENIT, PEJËS, SHKUPIT, GJAKOVËS DHE PRISHTINËS; RADHËN E KANË MANASTIRI DHE SHKODRA
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Prill 2021
“Le Temps” ka botuar, të dielën e 20 mars 1881, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me sukseset luftarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Turqi
Na shkruajnë nga Shkodra, me 14 mars, në agjencinë Havas:
“Lidhja shqiptare është zonjë absolute e Prizrenit, Pejës, Shkupit, Gjakovës dhe Prishtinës, nga ku ka përzënë autoritetet e emëruara nga Porta.
Aktualisht, Lidhja ka 12.000 këmbësorë dhe 1.200 kalorës të gatshëm për të marshuar në Manastir dhe Shkodër. Pikërisht në këtë qytet, pakënaqësia e katolikëve është në kulmin e saj dhe pritet që ata të bashkohen me myslimanët për të arritur autonominë, të cilën i gjithë vendi e aspiron që nga lufta turko-malazeze.
Në prani të këtij rreziku të ri, Porta e Lartë do të kuptojë pa dyshim se sa urgjente është që t’i japë fund, nëpërmjet propozimeve të kënaqshme, mosmarrëveshjes së saj me Greqinë”.