Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Berisha: Qeni

sharethis sharing button

Tregim 

I murrmë si një ujk, qeni humbi pasi la zinxhirët e këputur mbështetur për shtëpizën, të cilën ia kishin ndërtuar Boritë shpejt e shpejt në hyrje të oborrit kur ishte këlysh dhe rritej me qumësht të lopës. I murrmë, si ujk, mbas një viti ia shtoi sigurinë familjes muhaxhire nga Repa e Podjevës, e vendosur pesë muaj më parë në Stanoc të Vushtrrisë. Oborri nuk kishte shtrega kashte e as stogje sane, edhe pse vjeshta ishte afër dhe dimri hetohej nga gjethet që bëheshin më të kuqe.

Borive u humbi qeni i murrmë, si një ujk. I pari plaku Aziz, e pastaj edhe dy gratë, rejat, panë zinxhirët e këputur, mbetur si një gjarpër i vrarë, pa kokë, por vetëm me një bisht që të kujton ekzistencën e kahershme të kafshës së rrezikshme.

Qeni i murrmë, si ujk, familjes që erdhi dhe u vendos në një shtëpi të vjetër pa oborr të rrethuar blerë nga kolonistët hercegovas, me ca dërrasa të kalbura, duke qëndruar i lidhur, përveç se ua shtonte sigurinë, ua lehtësonte ankthin dhe vetminë e natës në vend të huaj. Boritëe dilnin natën dhe posa e shihnin qenin afër shtëpizës së ndërtuar me ca kashtë e drurë, e dinin se nuk kishte afër rreziqe.

E shikonin si një mburojë të familjes, në një shtëpi e vend të ri. Por, një natë, kur plaku i Borive shkoi ta luste kafshën më besnike me këlli e ujë, pa se asgjë nuk kishte afër shtëpizës dhe të mbuluar me pluhur e barishte, kishin mbetur vetëm zinxhirët e ndryshkur.

Qeni ka humbur, tha duke alarmuar djemtë, rejat, nipat e mbesat. Të parat dolën dy rejat. U rrah biseda se çfarë kishte mundur të ndodhë me qenin që ishte shembull i kujdesit ndaj shtëpisë dhe i besnikërisë ndaj anëtarëve të familjes Boria. Askush nuk mundi të thoshte ndonjë mendim të prerë lidhur me atë kafshë. U pajtuan se ai kishte disa ditë nuk lehte. Ditën dukej i plogësht dhe hante fare pak.

E ka parandier fundin, tha plaku i Borive, duke u dhënë leje djemëve, rejave e nipave që të shkonin të gjithë të flinin përpara se t’i zinte agimi me bisedën për qenin.

Puna e tij e pat, tha ai i pikëlluar.

Pas një jave, sikur u harrua qeni i murrmë, kafsha e kujdesshme e besnike. Në shtëpizën me kashtë e drurë u vendos një këlysh, i cili jepte parashenja të një kafshe, megjithëse në të parë shtëpiake, të egër dhe të rrezikshme.

Plaku i Borive do të shkonte në Repë për të bërë diç me kashtën dhe sanën, të cilën e la të shkretë në lamën e shtëpisë, atje në kodër të vogël, ku niste oborri i madh.

Plaku do të vonohej së paku tri ditë.

Pas pesë orë rrugë me kalë, ai në një natë të errët arriti në Repë. Shkoi drejt në odën e shtëpisë, ku kishin mbetur edhe ca rraqe, që mund t’i shërbenin ta kalonte natën. Në rrugë, për shkak të gjakut, kishte menduar të hynte në Repë natën dhe pa u vërejtur, të flinte në odën e tij pa drita, jo si një mysafir, por si një njeri eremit.

Më parë la kalin në ahur, e rehatoi, pastaj shkoi në odë. E futi çelësin në bravë dhe aty ndjeu erën, të cilën përkohësisht e kishte humbur dhe me të cilën ishte rritur e plakur. Shtroi pak kashtë dhe pak bar dhe fjeti deri pas mesnatës. Atëherë ndjeu një të lehur, që ia kujtoi zërin e qenit të tij të humbur. Doli jashtë, por e lehura i humbi, derisa hëna ishte plotësisht e shpaluar mbi katund.

Me kujdes, shkoi teposhtë, nga koritat e dhenve dhe pas gurit të kripës. U ul të shihte, se deri kur do të mbetej kaq e verdhë hëna dhe kaq i zi qielli i Repës.

Plaku i Borive herë pas herë bënte lutje dhe disi lehtësohej nga ngarkesa që ia kish shkaktuar këta muajt e fundit borxhi i gjakut që i erdhi në shtëpi. Kish menduar, por nuk mund të merrte vendim – ta falte gjakun, gjaku nuk falej, sepse ai nuk ishte ujë, ndërsa ta merrte gjakun, gjaku nuk merrej, pasi prapë, ai nuk ishte ujë.

Plaku mori vetë vendimin më të rëndë – të lëshonte shtëpinë dhe të ikte sa më larg, për të mos dhënë asnjë shkas të kthimit të krimit brenda familjes së Lokave, që kishin jetuar kaq afër, por që aq papritur u armiqësuan, sa as vdekje e katër plagë, nuk e zbutën afshin për krime të reja.

Plaku derisa po mendonte për fytyrën e djalit të vrarë, pak më poshtë, në arë, duke mos mundur ta ndajë shikimin nga hëna, përnjëherë, ndjeu të lagur në dorë. Ishte një gjuhë e gjatë, e cila me një tërheqje vertikale, i krijoi ngrohtësi.

Qeni, tha, duke dashur ta kapte me dorën tjetër për shpine. Por, nuk ishte qeni dhe asfare kafshe afër. Ishte lagështia e natës, ashtu ende e ngrohtë, që i ngjitej për pjesën e epërme të dorës, e ngjashme me një lëpirje gjuhëkafshe.

Kur po kthehej në odë, një duhmë e rëndë ngordhësire ia mbushi hundët. U mundua ta përcaktonte vendburimin, prej nga vinte ajo duhmë. Plaku i Borive shkoi nga njëra prej dy shtregave dhe, nëpër

dritë të hënës, në një gropë kashte, pa qenin e shtrirë. Gjuhën e kishte jashtë e sytë të hapur që i ndrinin në rrezet e hënës: trupin shtrirë, me një zgjatje harmonike të këmbëve, sikur të ishte përgatitur për fotografi.

E preku kujdesshëm dhe me ofshamën e mërzisë mbushi zbrazëtinë e oborrit.

Biri im këtu në Repë do të të varros, tha. Në oborrin e shtëpisë sonë.

Please follow and like us: