Të frenohet Kryeministri Rama ende sa s’është vonë
Eden Babani, Bruksel
Dy ngjarje njëra pas tjetrës në Kavajë, – e djeshmja me armë zjarri në zyrën elektorale të PD-së dhe ajo e dy ditëve më parë kur u dhunua një gazetar nga paramilitarët e Erion Veliajt, – flasin shumë më tepër sesa për degjenerim të fushatës elektorale.
Nëse Kryeministri Rama tha mbrëmë se raste të veçanta nuk duhen politizuar, kjo s’ka sesi të konsiderohet sinjal për qetësi. As si marrëzi e tij në vazhdën pafund të marrëzive gjatë jetës së vet politike.
Përkundrazi. Thirret e djeshme e Ramës për mospolitizim dhe të Mimi Kodhelit që “patronazhistët të ndihen të qetë”, provon se kumti i zi për acarimin e mëtejshëm të situatës përpara së dielës së ardhshme, është dhënë qartazi. Alibia e sotme e Kryeministrit se Jonuzi qenka votues i PD-së, e nxjerr haptazi blofin.
Për mua, Edi Rama nuk ka ndërmend ta lëshojë pa gjakderdhje zyrën kryeministrore, të cilën e ka shndërruar sa në palestër, aq edhe në sallë ekspozitash. Në mendjen e tij tashmë të çakërdisur, gjakderdhja është shndërruar edhe në mjet, edhe në qëllim, për t’i shpëtuar dënimit me votën e lirë të qytetarëve.
Pyetje ka sa të duash. Edhe përgjigje, po ashtu. Qarkullojnë ato në eter, pastaj ngulen në tryeza e biseda miqsh e shokësh. Jo vetëm atje, në Shqipëri, por edhe
këtu, në diasporën tonë.
Pse, pra, gjithë këto loja të rrezikshme politike? Për t’i shpëtuar burgut, siç besohet rëndom në opinion? Për një pafundësi arsyesh të tjera? Apo për një arsye të vetme që përveç atij, Ramës, nuk e di askush tjetër?
Zor se mund t’u përgjigjesh saktësisht këtyre pyetjeve.
Ama, duke menduar se regjimi i sotëm ka në dorë edhe gurin, edhe arrën, është katërçipërisht e sigurtë se Rama i ka flakur tej dhe përfundimisht të gjitha maskat e të gjitha rrobat. I ka flakur edhe ato të politikanit, edhe ato të kryeministrit.
Ka hyrë në vetvete, duke nxjerrë nga gardëroba ato të kahershmet. Të dhunës rrugaçërore, të klounit, të pafytyrësisë etj. etj. Dhe, nëse nuk do të frenohet me kohë, rreziku i veshjes së rrobës së kriminelit, potencialisht është në rend të ditës.
E ka humbur pusullën dhe s’pyet më për asgjë.
Mjaft të përmend tentativën e pusullëhumburit për të sulmuar egërsisht portalin Lapsi.al dhe gazetarët Andi Bushati e Armand Shkullaku, duke përdorur prokurorinë e politizuar, Gjykatën e Posaçme të politizuar dhe policinë gjithashtu të politizuar fund e krye.
Presidenti i Republikës t’i bëjë sytë katër, se koha s’pret më.
Edhe opozita jashtëparlamentare.
Edhe organet ligjvënëse e ligjzbatuese, nëse ka ende të tilla, të zgjohen nga gjumi letargjik, që i ka zënë me dashje a pa dashje.
Nesër do të jetë tepër vonë.
Në këso kushtesh, tejet të rrezikshme, Kryeministrit Rama i duhet vënë fre përpara së dielës elektorale, ende sa nuk ka nisur të rrjedhe gjaku lumë.
Pikë-pikë, tashmë ka filluar të pikojë…