Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata e Strasburgut mbron Lapsi.al. SPAK nuk ka të drejtë ta sekuestrojë

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka hedhur poshtë urdhrin e SPAK dhe vendimin e gjyqtares Iliriana Olldashi kundër medias. Ajo vendosi t’i kërkojë qeverisë së Shqipërisë të ndalohen hapat për sekuestrimin e pajisjeve të punës, kompjuterave serverave dhe celularëve të Lapsi.al. “Autoritetet duhet të ndalojnë zbatimin e vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Shkallës së Parë të Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nr. 131 të 18 prillit 2021 dhe të ndalojnë sekuestrimin e çdo pajisjeje për ruajtjen e të dhënave dhe të dhënave kompjuterike / elektronike që u përkasin gazetarëve” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut e cila u njoh me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës shqiptare Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të sekuestruar pajisjet e punës dhe kompjuterat me të dhënat elektronike të gazetarëve.

“Ky është një Vendim i qartë dhe nuk lë vend për interpretim. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut sipas Rregullit 39 të Rregullores së Gjykatës, mund të vendos në raste shumë të rralla masa të ndërmjetme për çdo vend anëtar (si Shqipëria) të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Këto masa të ndërmjetme janë masa me karakter urgjent, të cilat sipas një praktike të konsoliduar të kësaj gjykate aplikohen vetëm kur ka rrezik imediat dhe dëm të pariparueshëm për palën ankuese. Ky është një nga ato raste të rralla që është konstatuar për aplikim nga ky vendim i Strasburgut, cili detyron Shtetin Shqiptar që të ndalojë ekzekutimin e vendimit të SPAK të 18 prill 2021 dhe të heq dore nga sekuestrimi i serverit dhe pajisjeve që janë në pronësi të ankimuesve”, komentoi për Lapsin një juriste e njohur. Oficerët e policisë gjyqësore, të hënën, kërkuan të sekuestronin gjithë pajisjet e punës dhe databazën e të dhënave personale, që kanë rrjedhur prej Partisë Socialiste në mënyrë të paligjshme dhe po përdoren për fushatë zgjedhore. Portali Lapsi.al nuk pranoi të dorëzonte materialet pasi ato mbrojnë burimin e informacionit dhe tashmë këtij qëndrimi të gazetarëve i ka dhënë të drejtë edhe gjykata e Strasburgut. Vendime të tilla kaq urgjente merren shumë rrallë nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila në këtë rast ka çmuar prioritare lirinë e medias dhe mbrojtjen e burimit të informacionit.

Vendimi i Strasburgut/Avokati Dorian Matlija shpjegon vendimin e paprecedent të Gjykatës Europiane pro Lapsi.al

 

Please follow and like us: