Mal i Zi: Zëvendës-kryeministri Abazoviq kërcënohet me jetë
Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi ka njoftuar të hënën se ka informacione se jeta e Zëvendës-kryeministrit, Dritan Abazoviq, është e rrezikuar nga anëtarët e grupit kriminal “Kavaç”.
“Në këtë rast të veçantë, informacioni i mbledhur tregon qëllimin e anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, kryesisht anëtarëve të grupit të organizuar kriminal ‘Kavaç’ për të ndërmarrë aktivitete që synojnë kryerjen e krimit të rëndë dhe të organizuar, si reagim ndaj privimit të tyre nga liria dhe nga ndjekja penale, duke rrezikuar jetën e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi.
Në njoftim thuhet se kërcënimi ndaj Abazoviqit merret shumë seriozisht, duke pasur parasysh, siç thuhet, “veprimtaritë e realizuara më parë nga ky grup. Po ashtu, thuhet se anëtarë të grupit kriminal “Kavaç” janë, siç thuhet, “pjesë e strukturave kriminale rajonale që kanë lidhje shumë të forta në nivele të ndryshme, tipari kryesor i të cilave është kryerja e krimeve më të rënda”.
Ministria thekson se çdo veprimtari që synon rrezikimin e integritetit fizik të zyrtarëve të lartë të shtetit do të destabilizonte situatën shumë komplekse të sigurisë në Mal të Zi.
Ky kërcënim ndaj Zëvendës-kryeministrit Abazoviq vjen pas arrestimit të kreut të një grupi të rrezikshëm criminal, Slobodan Kashçelan, në qytetin e Kotorrit. Abazoviq e ka cilësuar arrestimin e Kashçelanit si suksesin më të madh të policisë malazeze në 10 vitet e fundit.
Kashçelan ishte drejtues i një grupi kriminal që ka vepruar që nga viti 2015. Ky grup ka zhvilluar një luftë të përgjakshme me një bandë rivale për kontrollin e kontrabandës së kokainës nga Amerika e Jugut. Kashçelan u ka mbijetuar dy atentateve.
(Zëri i Amerikës)