Ilir Levonja: Ik Lul, humbësi nuk është viktimë!
A duhet të dorëhiqet Lulzim Basha? Pa asnjë diskutim që po. Në mes është një nga standartet sa i munguar aq edhe i domosdoshëm në demokracinë shqiptare. Pikë së pari është një akt personal individual që ka sjellë kaq shtrëmbërim të vullnetit të popullit. Lufta e gjakut në Amerikë zgjati katër vjet, 1861-1865. Ai që i dha fund quhej Abraham Linkoln ose presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara. Duke ndjerë popullaritetin e madh të tij, Partia Republikane i ofroi kandidimin për një mandat të tretë, pasi Kushtetuta e vendit e lejonte, por ai nuk pranoi. Madje ishte pikërisht ai i cili hodhi idenë e kufizimit të mandatit presidencial. Dhe kjo gjë u bë e mundur me Franklin Rusvelt.
Pra dorëheqja dhe kufizimi i mandatit është një akt civil individual që e ka të domosdoshëm vendi për t’ua lënë si standart fëmijëve. Nuk është fundi i botës të hapësh krahun, por e kundërta. Tek ne është krijuar një mjedis politik gati shfarosës për të mbrojtur njëshin nga ‘armiqtë’ brenda të së njëjtës prirje politike, por me mendime të ndryshme.
Mos harroni se jemi një komb që kemi histori të hidhur me mendimin ndryshe. Kemi vrarë dhe persekutuar njëri-tjetrin. Nga kjo epokë zie, u bënë tashmë postulat fjalët e një vajze shqiptare e cila nga tavolina e një gjyqi publik u thoshte motrave dhe vëllezërve të një gjaku se, fakti që mendonte ndryshe, nuk do të thoshte se e donte atdheun më pak se ata. Kjo ishte Musine Kokalari, dëshmia apo fytyra për turp e jona. Nuk bëhet më fjalë se cili iks, ish PD-ist e kërkon atë.
Se vërtetë është e neveritshme të shohësh një ish-president demokrat që kërcën vendit si dreqi, që vrapon i pari të kërkoj dorëheqjen e Lulzim Bashës, jo pse nuk fitoi zgjedhjet, por sepse nuk e kishte emrin e tij si kandidat për deputet. Është vërtetë e neveritshme që një president pa nam e nishan nuk u pa asgjëkundi gjatë fushatës, se, normale mendësia e vlerave të padiskutueshme në parti, hatërmbetja etj., sot kërcen si kokoshkat kundër Bashës. Në presidencën e tij do mbahet mend për luftën e hapur karshi një poeti modern kombëtar, që shkonte në Vatikan si përfaqësues i shtetit. Mirëpo presidenti i shërbente klanit imun të oligarkëve në emërime e ç’emërime, jo trashëgimisë shtetare.
Është e neveritshme të shohësh një kastë karrikethyerish që shpikën opozitën kundër opozitës. Mbetën studiove duke kritikuar Bashën, jo atë që qeveriste, madje kanë votuar kundër demokratëve. Po, po pikërisht për inat të Bashës, sot kërkojnë ikjen e tij. Një opozitë që brejti votat e të djathtës dhe sot morën si dhuratë hallatet e Ramës. Shumë nga ju sot me të drejtë pyesin, kujt t’i besojmë Rudinës, vajzës së heroit të demokracisë, që na doli me parti më vete?. Ashtu sikur shumë nga ju ndjeni dhimbje se përse duhet të iki kur ka marrë më shumë vota nga zgjedhjet e fundit. Eshtë e thjeshtë, nuk ka fituar. Dhe si i tillë duhet të hapi krahun.
Bizarriteti i këtyre zgjedhjeve fillon që me formulën e herësit ku vota popullore nuk të bën deputet deri në trefishin e saj. Po, Shqipëria është viktimë e formulave si Dushku i famshëm, apo herësi i Ramës me lista gjysëm të hapura etj. Megjithatë Basha ka qënë aktor në këtë pengmarrje vullneti të shqiptarëve ndaj duhet të japi dorëheqen. Djegia e mandateve ishte një akt i madh politik, por donte dhe një vullnet të madh këmbëngulës në të drejtën se përse sakrifkuat mandatin. Ju e përkrahët Bashën, i mbushët sheshet.
Megjithatë me afrimin e stinës së verës Basha u tha, takohemi në shtator. Protestuesi nuk ka kohë të pushoj, protestuesi e fillon dhe, o fitimtar o i burgosur. Ju u burgosët Basha shkoi me pushime duke u justifikuar me kancelirët e Europës, jo duan apo nuk duan të huajt. Vullneti është i juaji, jo i të huajve. Duhet ta kuptojmë se politika e denoncimit ka marrë fund dhe se duhen çelur rrugë të reja. Kush ka humbur një herë duhet të hap krahun. Madje me vullnetin e tij jo me pritjen e skuthit që çirret studiove dhe e quan detyrën e kryer. Në pushtet është një makineri e fortë, një pallat me administratorë që mishëron absurdin kafkian… e vështirë për t’u zhbërë kështu. Do mendje të ftohta, unifikim dhe një strategji me shpirt të madh.
Nuk mund të vish në pushtet, të përmbysësh herësin e Ramës me përjetësisht emrin e Fatmir Mediut në lista. Nëse nuk i jepni rëndësinë e duhur humbjes, votave të firuara, do mbesim gjithë jetë denoncues dixhital, qaramanë, përballë 4 vjeçarëve pambarim të Edi Ramës. Koha fluturon si nuk ua merr mendja, lum ai që nuk e shpërdoron. Përgjegjësia e pa emërt nuk është demokraci. Humbësi nuk është viktimë, nuk është pështirosja jonë, nuk është plehra jonë. Por është rishtas pjesë e jona dhe ne nuk duhet të anatemojmë as të anatemohemi me njëri-tjetrin. Është thjesht standard. Se pikërisht fal mungesës së këtij standarti sot e kësaj dite vazhdon të shitet votat.