Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Pse po kryejnë vrasje të rinjtë tanë?

Pse po kryejnë vrasje të rinjtë tanë?

Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë.
I gjithë fenomeni është kompleks dhe shpjegimi i tij është edhe më i vështirë.

Vendi ynë prej 30 vjetësh ndodhet ende në tranzicion, një tranzicion aq i gjatë saqë është bërë kaotik e rraskapitës për të gjithë. Teksa të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen te zgjedhjet dhe manipulimet e tyre, erdhi Rama e duhet të ikë Basha, një pjesë e rëndësishme e normave të domosdoshme për mirëfunksionimin e shoqërisë janë lënë në harresë, ose janë ‘hedhur tej’ si dekadencë e viteve të shkuara. Teksa të gjithë përqendrohen në ‘mirëfunksionimin’ e qeverisjes politike dhe sukseset e saj ne dy mandate e ndërkohē po fillon i treti, edukimi, fëmijët dhe të rinjtë, punësimi i tyre në një mënyrë a një tjetër janë lënë në harresë, ku nuk u kushtohet vëmendje atyre e as miqve e shokëve me të cilët shoqërohen, mbarëvajtjes së tyre në shkollë, orëve të gjata të shpenzuara nëpër kafenetë e shumta e aq më pak vëmendje t’i kushtohet kulturës aq degraduese që ata manifestojnë çdo ditë.

Lë të ndalemi për një moment e të shpjegoj se cilët janë faktorët kryesorë që e bëjnë një të ri vrasës gjakftohtë.

1. Terreni social dhe formatimi i tyre në mënyrë tē gabuar!

Rritja dhe edukimi i tyre me modele klipesh me armë e vrasje ose me modele që të kesh shumë para kjo të sjell vlera në shoqëri, sepse gjithëka zgjidhet nëpërmjet pasurimit të pandershëm?!

2. Dhuna në familje

Shoqëria shqiptare shpesh në familje qëllon të ketë një baba autoritar e të ftohtë për të mbajtur nën ‘fre’ djemtë e familjes. Një baba që jashtë dyerve të shtëpisë është një njeri me sjellje jo normale, që urdhëron fëmijët dhe godet bashkëshorten e tij në sy të tyre, e shpesh ndodh që kjo e fundit edhe e konsideron akoma sot e kësaj dite sjellje normale që pija dhe urdhërat janë për burrat; kjo shkakton sjellje të njëjta edhe tek me fëmijët e tyre.
Pasojat e një ‘stili’ të tillë jetese rrënjosin ndenja negative në psikologjinë e fëmijës dhe çorientojnë formimin e personalitetit të tij e në shumë raste ata kthehen në dhunues por edhe vrasës!

3. Mungesë e theksuar shkollimi në familje dhe pamundësi të zhvillimit të inteligjencës pozitive
Rendja pas parasë e të mirave materiale e ka lënë në hije rëndësinë e arritjes së tyre nëpërmjet ‘punës së ndershme’, siç ne shqiptarët quajmë çdo punë që arrihet nëpërmjet arritjes së një formimi të caktuar, nëpërmjet edukimit e zhvillimit të intelektit. Në një mjedis të tillë inteligjenca dhe intelekti, nuk njihet aspak si koncept dobiprurës i shoqërisë sonë, ku të rinjtë inteligjent pak hapsira gjejnë në ktë vend.

4. Abuzimi, tē qenurit i abuzuar në fëmijëri nga një i njohur, familjar, apo në ndonjë institucion tjetër ku ka kaluar fëmijëri të vështirë ndryshon tërësisht rrjedhën normale të jetës për një të ri
Fatkeqësisht në shumicën e rasteve e kthen këtë fëmijë në një abuzues, dhunues, përdhunues e vrasës në të ardhmen.

5. Gjakmarrja

Histori të dhimbshme akoma vendi ynë ka shumë. Më i dhimbshëm është fakti se familjarë të prekur nga ky fenomen i imponojnë një të mituri ndjesinë dhe detyrimin e përdorimit të armëve dhe të marrjes së gjakut, ndryshe as dheu si tret po nuk mori ‘hak e gjak’ për babain, vëllain, xhaxhain pa e kuptuar që këtë të ri e rritet me ndjesinë e të kthyerit në ‘vrasës gjakftohtē’; kjo kategori të miturish kthehet në vrasës të pandërgjegjshëm.

6. Varfëria

Varfëria e tejskajshme po i orienton drejt vjedhjeve e grabitjes të miturit e adoleshentët, të cilët herët a vonë do të shndërrohen në vrasës. Lakmia për të fituar sa më shumë pa u munduar të punojnë do të sofistikojë grabitjet e tyre e do t’i detyrojë edhe të vrasin pa u menduar.

 7. Përdorimi i drogave të ndryshme

Është bërë e zakonshme që të dëgjosh edhe fëmijë 12-vjeçarë, të cilët me krenari thonë se kanë provuar hashash.
Në një kohë ku çdo drogë e mundshme qarkullon pa më të voglin problem e ku një pjesë e mirë e ‘shitësve të pakicës’ janë të mitur, sigurisht që do t’i çojë këta fëmijë edhe në rrugën e vrasjes, qoftë për një ‘pazar të keq’, qoftë për të siguruar drogë për përdorim, qoftë për të ‘ngjitur’ shkallët e karrierës kriminale.
Për fat të keq në kohët që jetojmë ka shumë të tillë!

8. Trashëgimia gjenetike

Shumë njerëz mund edhe të mos e pranojnë si faktor gjenetikën për sjelljet kriminale, por është e vërtetë se genet e këqija të zhvilluara si pasojë e ndërthurjes së pemës gjenealogjike e faktorëve të tjerë biologjikë me faktorët socialë e mjedisorë prodhojnë vrasës e në rastin fatkeq që në fëmijëri!
9. Koncepti i ‘respektit’
Përgjatë viteve koncepti i ‘respektit’ ka evoluar në kulturën e të rinjve. Respekti në psikologjinë e tyre arrihet nëpërmjet konkurrencës me njëri-tjetrin dhe zhvillimi i psikozës së të fortit që ndërton modele të pamposhturish në ndërgjegjen e tyre. Ideja se ‘respekti’ është një pronë, një e drejtë ose një ‘ofertë’ e kushtëzuar i ka shtyrë të miturit të vrasin për të mbrojtur një ndjenjë të nderit, që kurrë nuk mundën ta fitonin ose meritonin?

10. Zbatimi i dobët i ligjit dhe pamjaftueshmëria e qendrave rehabilituese për minorenët që përfshihen në përdorimin e dhunës, vjedhjes, konsumimit të hashashit apo drogave të tjera, që vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm
Dhuna e çfarëdo forme gjatë rritjes së fëmijëve indukton në mënyrë të pandërgjegjshme mungesë tolerance ndaj të tjerëve, krijon një tendencë të vazhdueshme të fajësimit të çdokujt që ka marrëdhënie me ta për dështimet e tyre dhe rrit shkallën e mospranimit të vërtetës apo paaftësisë për të pranuar fajin?/gazeta shqiptare

Please follow and like us: