Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Më mirë një president opozitar se një pro qeveritar!

 

 

Sinqerisht është të vësh duart në kokë kur lexon se një nga kërkesat e këtij komisioni për shkarkimin e Presidentit të Republikës, është ajo e titujve të dhënë para dhe gjatë fushatës elektorale. Pra, a i kanë shërbyer LSI-s dekoratat e ndara nga Presidenti? A është ushtruar si duhet e drejta kushtetuese etj? Komision për dekoratat? Çfarë bëhet? Sipas Thesarit të Shtetit shqiptar, vetëm gjatë fushatës janë punësuar rreth dhjetë mijë njerëz. I ashtuquajturi punësimi sezonal në këmbim të votës. Po t’i referohesh tabelës së votave nga Komisioni Zgjedhor, një shifër e tillë të jep plot dy mandate. Një punësim në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Vlera monetare 63 mijë euro. Megjithatë Kuvendi nuk ngre komision hetimor. Në raport me vitin e kaluar, por edhe 2019-ën numri i tenderimeve është dyfishuar. Pikërisht në fushatën elektorale, pra në kundërshtim po me Kodin Zgjedhor. Megjithatë Kuvendi nuk ngre komision hetimor. Lëvizja Vetvendosja në Tiranë ka bërë publike disa video ku tregohen qartazi parregullsi në numurimin e votave. Madje ka pretenduar se edhe parti të tjera opozitare kanë plot të tilla dhe që duhet t’i publikojnë dhe t’i depozitojnë tek organet përkatëse. Megjithatë Kuvendi i Shqipërisë nuk ngre komision hetimor. Një javë para zgjedhjeve, një komision surragatosh, të ashtuquajtur specialistë, mbyllën pikat doganore me Greqinë dhe Maqedoninë. Që dmth atyre shtetasve shqiptarë emigrantë në Greqi, u ndalohej e drejta e votës. Një javë pas zgjedhje, komisioni i surrogatove, e hoqi urdhër-ndalimin. Megjithatë Kuvendi i Shqipërisë nuk ngre komision hetimor. Vërtet duhet të merremi me Presidentin e Republikës? Një makineri e tërë e shtypit merret me pozitat e Bashës. Një shpurë e tërë analistësh me shumicë qeveritare se nuk janë as të majtë e as të djathtë, janë paramilitarë me pagesë, merren me standartet e dorëheqjes së Bashës. Një e drejtë që u takon më së shumti vetëm të djathtëve. Ose atyre që aderojnë tek Partia Demokratike. Vendin nuk e qeveris Basha. Tenderat nuk i ndan Basha. Punësimin sezonal nuk e ka bërë Basha. Sahanlpirës paramilitarë, mos dërdëllisni për të mundur Bashën, por për të ndrequr Shqipërinë. Kaq, është fare e thjeshtë. Më 14 Prill 2021, Presidenti me sa mbaj mend dekoroi edhe një figurë të Rilindjes Kombëtare, Kostandin Kristoforidhin. Nuk e di se çfarë efekti elektoral ka kjo dekoratë, kur për më tepër kjo iu nda një shoqate në qytetin e Elbasanit. Megjithatë me fyerjen e një punësimi sezonal, as që çohet nëpër mend. Por nuk është ky thelbi.

Komisioni Europian sapo dha një konkluzion mbi çeljen e negociatave, atë të ndërtimit të shtetit të së drejtës. Vetëm kështu Shqipëria mund të asociohet me vendet perëndimore. Që ta kuptoni këtë, kjo ka të bëj pikërisht mbi faktin që Shqipëria po hallakatet vetëm në publicitetin e denoncimit, si nga njëra palë ashtu edhe tjetra. Me vulgaritetin e komisioneve të tilla. Shteti i së drejtës nënkupton veprimin e ligjit. Sa kohë që do besoni në ato që thonë palët dhe jo Gjykatat, nuk keni shtet të së drejtës. Nga ato që qarkullojnë lart e poshtë, flitet se do hiqet Ilir Meta dhe do emërojnë Majkon. Unë e kam thënë edhe një opionion dhjetë ditë më parë. Kjo nuk ndryshon asgjë për shqiptarët, arsyeja, nuk janë ata që e zgjedhin Presidentin e tyre. Kështu që më mirë me Metën se sa me Majkon. Nëse Metën duan ta heqin për një lloj opozitarizmi të fortë etj., nuk ja vlen. Më mirë një President opozitar se sa një President qeveritar.

Please follow and like us: