Albspirit

Media/News/Publishing

United Press, 1949/Mbreti Zog: Një luftë vdekjeprurëse ka vazhduar për 4 vjet në Shqipëri midis njeriut të lirë të lidhur me traditat e tij stërgjyshore dhe njeriut robot që është nënshtruar një pushteti të imponuar nga një pakicë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Maj 2021

 

“Kansas State Collegian” ka botuar, të enjten e 20 tetorit 1949, në faqen n°6, intervistën ekskluzive të korrespondentit të “United Press” me mbretin Zog, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

Mbreti në mërgim Ahmet Zogu i Shqipërisë thotë se lufta Stalin-Tito është vetëm një grindje familjare

 

Nga Walter Collins

Korrespondent i United Press Staff

Copyright, 1949, nga United Press

Kajro – (U.P) – Mbreti Ahmet Zogu i Shqipërisë, i cili e ka jetuar në mërgim për tre vjet, tha sot se lufta e ftohtë Stalin-Tito është vetëm “një grindje familjare”. Ai parashikoi që prirja e politikës botërore do të bënte të mundur që ai të kthehej në fronin e tij Ballkanik “në një të ardhme të afërt”.

 

Jugosllavia është e rrethuar

 

“Jugosllavia e gjen veten aktualisht të rrethuar nga vendet anëtare të Cominform”, tha Zogu. “Një luftë e ftohtë është shpallur kundër saj, por unë jam i mendimit se deri më tani është një grindje familjare”.

Në një intervistë ekskluzive me United Press – Zogu parashikoi gjithashtu që popujt e lirë dhe demokratikë përfundimisht do të ndihmonin Shqipërinë të lirohej nga Komunizmi.

“Një luftë vdekjeprurëse ka vazhduar për katër vjet në Shqipëri midis njeriut të lirë të lidhur me traditat e tij stërgjyshore dhe njeriut robot që është nënshtruar një pushteti të imponuar nga një pakicë” – tha ai. “I gjithë kombi është duke u përgjakur deri në rënien e tij të fundit në këtë masakër ideologjike”.

 

Dëshiron të vizitojë Amerikën

 

Zogu tha se do të ishte i lumtur të kishte mundësinë për të vizituar Amerikën “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ai iku nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, më 8 Prill 1939, ndërsa trupat e Musolinit hynë në vend. Gruaja e tij, Mbretëresha Geraldinë, gjithashtu u largua edhe pse ajo kishte lindur një djalë vetëm tre ditë më parë.

Zogu ka insistuar të ruajë të gjithë protokollin e oborrit të tij në mërgim. Ai përbëhet nga tetë oborrtarë, dy prej të cilëve janë gjithmonë në detyrë. Këtu vlerësohet se Zogu shpenzon 500.000 usd në vit.

Ai, Mbretëresha dhe Princi i Kurorës Leka jetojnë në pallatin që është në Larens, lagje e modës në detin Mesdhe pranë Aleksandrisë.

“Unë besoj se evolucioni i situatës politike botërore do të na çojë në një të ardhme të afërt të parashikojmë rivendosjen e regjimit ligjor në përputhje me interesat kombëtarë të Shqipërisë”.

 https://www.darsiani.com/la-gazette/united-press-1949-intervista-me-mbretin-zog-nje-lufte-vdekjeprurese-ka-vazhduar-per-kater-vjet-ne-shqiperi-midis-njeriut-te-lire-te-lidhur-me-traditat-e-tij-stergjyshore-dhe-njeriut-robot-qe-eshte-nenshtruar-nje-pushteti-te-imponuar-nga-nje-pakice/

Please follow and like us: