Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: KËRPUDHA

Nga ankthi-vrer toka çahet,
vena e zbuluar pikon gjak të zi.
Kërpudhat nga të çarat vërshuan
rrënjët në kalbëzim dhe shi.
Ndër njerëz kërpudha verbërie
mbirë në sy, ballë… e në zinxhir.
Kërpudha egër lulon si sëmundje,
pushton si zgjim.
Damarë të vrertë zgjatën e zgjaten,
rrjetë rugësh nën kupolë,
dhe shtylla, dhe trarë:
Qendër e botës,
një kërpudhë e madhe e bardhë.
Mirëseerdhe në botën e kërpudhës!
Për të jetuar kupolën, a ke gjëmba, iriq?
Këtu shkruhet: në strehën e urrejtjes së ftohtë
ke zemër të hash të gjallë armiq?
Si skalpin hiqe fytyrën,
vare në gozhdë
që nën hije të bësh udhë.
Pikë-pikë mbi bar helm-vesën
thithe nën kërpudhë.
Në verbëri kapu, në marrëzi të marri-
kërpudhë opake në pllenim.
Nga stuhi verbërie, tërmet tërbimi
ke lindur si kthjellim.
Sëmundja profesionale e ligësisë
Sussana Tamaro, shkrimtarja e njohur italiane, në një interviste të përkthyer e të botuar për publikun shqiptar më 8 qershor 2016 në gazetën “Shqip”, pyetjes “…përse e refuzuat ftesën për të marrë pjesë në politikë më 2008”, i është përgjigjur: “Sepse nuk kisha dhe nuk kam atë ligësi, që është aq e domosdoshme për të hyrë në politikë”.
Pra, sipas kësaj filozofie, një sasi, një dozë ligësie, si fillim, na qenka e domosdoshme për të qenë në Poltikë.
Po… për të vazhduar gjatë në politike, sa doza ligësie të duhen?
Për të vazhduar gjatë në politike kjo dozë ligesie ashtu si ajri duhet marrë në porcione të përhershme e qendrueshmërisht në rritje. Pastaj që të jesh i suksesshëm në politikë, dozat e ligësisë duhen marrë nga tri herë në ditë si ushqimi, apo si mbushja e serbatorit të makinës me benzinë, si karikimi prej baterive i laptopit, i ifonit e ipadit etj. Shkurt, tipat e një politikani të formatit si kryeministër e zv/kryeministër duhet të jenë pranë ndonjë rezervuari a magazine që përditë të furnizohen dingaz me mall të freskët ligësie.
Dhe mundësisht ky mall duhe të jetë më i shtrenjtë se havjari a se dimantet e zinj të Afrikës. Këtë edhe mund t’ua sigurojnë ata që kanë lejuar të punojnë në laboratoret e drogës, heroinës, në Xibrakë a ku nuk dihet se ku tjetër.
Ky bollëk, kjo pasuri e zezë, ky luks ligësie, ky llum me nga pak kripëzim ligësie prej vulgu e prej rruge gjendet me bollëk në praktikën politike shqiptare.
Ka mbi njëzet vjet që e ndeshim. Nga të majtët e të djathtët. Dhe nga enturazhi e nga mediat pranë tyre.
Please follow and like us: