Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: In memoriam, Luan Ferra

 

 

 

Luan FERRA – U LARGUA NGA JETA, NJË EDUKATOR I NDERUAR DHE MODEL, NJË NJËRI I JASHTËZAKONSHËM!

 

 

 

Një lajm i trishtuar dhe pikëllues për komunitetin vlonjat, për qarqet intelektuale si edhe plejadën e arsimtarëve, ikja përpara disa ditësh nga jeta,e profesorit dhe misionarit të papërtuar, Luan Ferra. Ndër të parët mësues elitarë, që me devotshmëri, ndikoi në hedhjen e themeleve të shëndosha,në aspektet e formimit muzikor si edhe të zbatimit praktik të talentit individual. Një figurë e nderuar dhe personalitet i spikatur, që gjithë jetën e tij me një pasion krejt të veçantë, ia kushtoi arsimimit dhe edukimit muzikor të talenteve dhe brezave vlonjatë.

Profesorin e muzikës, të talentuarin dhe pasionantin Luan Ferra, një njeri i mrekullueshëm, një personalitet dinjitoz, një mësues frymëzues dhe i shkëlqyeshëm,e pamëshirshmja vdekje e rrëmbeu duke e larguar prej nesh.

Hidhërimi e trishtimi, shpesh herë nuk lejon mendjekthjelltësinë të shpreh me saktësi dhe realizëm, portretizimin e një figure të spikatur e admiruese, siç ishte në rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional, profesori me botën e pasur shpirtërore, Luan Ferra.

Një muzikant frymëzues, një edukator skrupuloz me vlera të jashtëzakonshme, një nxitës e motivues si askush tjetër në ngjizjen e dashurisë për muzikën tek gjeneratat e fëmijëve dhe rinisë vlonjate, humbja e të cilit varfëron së tepërmi veçanërisht fushën e muzikës vlonjate.

Kush nuk e njihte në qytetin e Vlorës, profesorin sqimatar, buzagazin dhe intelektualin e përkryer, Luan Ferra. I thjeshtë, modest dhe tepër miqësor me të gjithë, veçanërisht me nxënësit e tij, që përbënin pasionin dhe ngazëllimin e gjithë jetës së tij. Duke u dëshmuar jo vetëm një edukator i përkushtuar dhe një mësues pasionant, por edhe profesionist i spikatur si edhe një motivues dhe udhërrëfyes vizionar.

Luan Ferra, i përket plejadës dhe atij brezi arsimtarësh idealistë, me energji dhe qasje humane, që si një emisar sistematik shumëvjeçar mësimdhënës, me një përkushtim krejt të pazakontë, mundësoi edukimin dhe perfeksionimin muzikor, të një sërë gjeneratave nxënësish për afro 4 dekada sistematikisht. Duke ngjizur dhe lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën e muzikës dhe arteve vlonjate,si një kontribues madhor dhe tepër i suksesshëm, me një potencial dijesh të përkryera.

Luan Ferra, ishte me origjinë nga një familje e thjeshtë, por e njohur dhe tepër e nderuar tepelenase. Por që prej vitesh, qysh në harkun kohor të startit të viteve 1920, ishin zhvendosur dhe jetonin në qytetin e Vlorës, ku shquheshin për një dashuri e pasion krejt të veçantë për artet muzikore dhe humorin. Vëllai i tij më i madh, artisti i Merituar, Myqerem Ferra, ishte një tjetër personalitet brilant i skenës dhe artit vlonjat, si iniciues i themelimit të Estradës Profesioniste të Vlorës, duke kontribuar si aktor e regjisor mbresëlënës dhe tepër i suksesshëm. Kësisoj nuk ishte asfare e rastësishme dashuria dhe pasioni i Profesorit Luan Ferra, qysh në hapat e para të fëmijërisë e mandej të rinisë së tij, për muzikën. Veçanërisht për fizarmonikën, një ndër veglat më të preferuara të asaj periudhe kohore për rininë, si edhe për muzikën burimore e këngën qytetare vlonjate.

Profesor Luan Ferra me natyrën e tij, ishte tepër i ngrohtë dhe i dashur me nxënësit, përherë me një pasion dhe predispozitë për t’u afruar dhe transmetuar atyre me zell, magjinë dhe bukurinë e botës muzikore. Si një misionar dhe mësues i përkushtuar, me nxitjen e tij një sërë vogëlushësh të mitur vlonjatë gjithë talent, hodhën fillimisht hapat e para nën kujdesin e tij, e mandej rrugëtuan në rrugën e pafundme dhe hapësirat e artit muzikor me shumë sukses.

Si një individualitet aq i këndshëm, si një njeri i jashtëzakonshëm dhe aq i dashur, Profesor Luan Ferra, spikaste me profilin e një pedagogu të talentuar, për durimin, këmbënguljen, maturinë, frymëzimin por edhe urtësinë. Këtë e dëshmoi më së miri në rrugëtimin e tij jetësor por edhe profesional, për afro katër dekada, duke e vlerësuar dhe nderuar tej mase profesionin e tij dhe duke u fokusuar me përkushtim në edukimin dhe formimin e talenteve të reja muzikore vlonjate.

Luan Ferra ishte një pedagog dhe mësuesi i madh,si një metodist i shkëlqyeshëm, si krijues dhe imagjinativ, krejt i përkushtuar në angazhimin dhe misionin e tij madhor. Në përgatitjen dhe zhvillimin e talenteve muzikore, tek mrekullia e vërtetë e jetës, siç ishin filizat e reja muzikore vlonjate.

Me autoritetin e jashtëzakonshëm, Luan Ferra si edukator dhe mësues, frymëzonte, jo me logjikën e përsosmërisë, por me imazhin e një personaliteti, që dita-ditës gradualisht ndërtonte dhe shfaqte aspekte zhvillimi të instrumentistëve admirues dhe që premtonin për të ardhmen. Një mësimdhënies model, që idetë e tij muzikore, ai i bazoi në parimet e tij skrupuloze të mësimdhënies. Duke ndikuar në formatimin dhe ofrimin e hapësirave reale të rrugëve respektive, për të përvetësuar teknikat dhe mjeshtrinë muzikore instrumentale.

Si një erudit, Luan Ferra, si muzikant, si mësues, fizarmonikën dhe muzikën e kishte pazgjidhshmërisht pjesëzën pasionante të rrugëtimit të tij jetësor. Duke u lartësuar si një prej pedagogëve, edukatorëve dhe mësimdhënësve tepër aktivë, me një kontribut të çmuar e të jashtëzakonshëm. Me prezencën e tij energjike, me një performancë dhe hov nxitës, duke edukuar gjenerata dhe breza të panumërt, si në Shtëpinë e Pionierit po ashtu edhe në shkollën «4 Heronjtë», në aspektet e gjallërimit dhe inspirimit të jetës kulturore-artistike të talenteve të reja vlonjate.

Një njeri i mrekullueshëm si Luan Ferra, simbioza dhe magjia e edukatorit, mësuesit, imazhit rrezatues dhe optimist të fëmijërisë dhe hapave të para në fushën e edukimit muzikor të talenteve të panumërt vlonjatë.

Me një jetë intensive tepër aktive në shërbim të artit muzikor vlonjat, Luan Ferra nuk ishte thjesht një edukator dhe mësues muzike i shkëlqyer, por njëherazi dëshmoi se ishte një mësues i rrjedhave të jetës. Sepse përpos dashurisë dhe pasionit për profesionin e tij, ai ushqente një dashuri të jashtëzakonshme për gjithë njerëzit e qytetarët e thjeshtë.

Fisniku Luan Ferra, simboli dhe përsiatja e një individi krijues, energjik dhe mendjemprehtë. I mbrujtur me një dashuri dhe pasion në zbulimin e talenteve vlonjate, si edhe në edukimin e kultivimin e tyre muzikor, kontributdhënia e tij sistematikisht për afro 4 dekada, përmes një pune vetëmohuese, përbën realisht një shembull devotshmërie krejt të papërsëritshëm.

Gjithë komuniteti muzikor vlonjat, por gjithësesi edhe qyteti i Vlorës, ku jetoi dhe punoi me vullnet, me aq dashuri dhe adhurim, profesori Luan Ferra, veçanërisht gjeneratat e nxënësve, por edhe gjithë njerëzit e thjeshtë që e njohën dhe e deshën me shpirt, i detyrohen së tepërmi. Sepse ai punoi me frymëzim duke mbjellur e shumëfishuar talentin e krijimit muzikor, e duke përcjellë mesazhin optimist, për të mos u stepur, por as edhe tërhequr e larguar asnjëherë, prej realizimit të ëndrrave dhe pasioneve muzikore.

Për qytetarin dhe misionarin me vlera të larta njerëzore Profesor Luan Ferrën, mirënjohje të pakufishme, faleminderit për madhështinë e shpirtit tuaj, për përkushtimin ndaj fëmijëve muzikantë, për aftësitë dhe komptencën profesionale. Për energjitë e pakursyera, për atë dritë dhe magji që me bujari ofrove, për talentin të cilin e shumëfishove në gjeneratat e shpirtrave fëminore vlonjate.

Jeta e profesorit Luan Ferra ishte sa e mrekullueshme po aq edhe magjike. Një simfoni e arrirë dhe e pambarimtë, një jetë ambiciesh dhe interpretimesh e konvertuar në artin muzikor, përmes notave që lodronin në shpirtin e tij, përmes energjive dhe vrullit që ai mëkonte në shpirtrat e muzikantëve të rinj. Duke vlerësuar në aspektin pedagogjik seriozitetin e përçimit të njohurive dhe shprehive, duke kërkuar metoda të reja novatore, e duke shijuar rezultatet e arritjet përmes punës së tij pasionante tepër të spikatur.

Humbja e profesorit Luan Ferra, natyrisht që krijon një boshllëk të paplotësuar. Por njëherazi edhe një indicie dhe motivim të fuqishëm, për të vijuar rrugën e suksesshme të trashëgimisë që ai startoi dekada më parë. Në edukimin e suksesshëm dhe efektiv, në aspektin e formimit dhe përsosjes së talenteve muzikore vlonjate.

Profesor Luan Ferra, tanimë i përket përjetësisë, por emri dhe gjurmët e tij, do të mbeten një thesar dashurie në zemrat dhe optimizmin e muzikantëve vlonjatë, tek gjithë ata që fati i privoi të kontaktojnë, të edukohen e mësohen, si edhe të bashkëpunojnë me të.

Në hapat e tij të heshtura drejt përjetësisë, do e bashkëshoqërojnë lutjet e shpirtrave tanë, meloditë dhe harmonia e tingujve magjikë, që ai shpërndau me ngazëllim, për të mbetur i paharruar në përjetësi, si model, por edhe si frymëzim në shpirtrat e muzikantëve vlonjatë.

Ngushëllimet më të ndjera dhe të përzemërta për bashkëshorten e tij të dashur, mësuesen e jashtëzakonshme, zonjën Milika, për fëmijët e tij Eduard dhe Lindita me familjet e tyre, tek gjithë të afërmit e tij të familjes si edhe miqtë e kolegët e tij të nderuar.

Shpirti juaj i nderuari profesor, Luan Ferra, u prehtë në Paqen e Përjetësisë!

Gjithë jeta aktive dhe vepra e çmuar, vlerat dhe personaliteti shumëdimensional, e gjithë trashëgimia e vyer artistike muzikore e Profesorit Luan Ferra, do të mbetet e paharruar në memorjen tonë, duke na frymëzuar përherë krenari dhe skalitur piketat për një të nesërme dhe ardhmëri progresiste dhe vizionare.

Athinë,15. 06. 2021.

 

Please follow and like us: