Albspirit

Media/News/Publishing

Xhufi: Deklarata e Grenellit për Betejën e Kosovës lë dyshime për integritetin e tij

Historiani shqiptar Pëllumb Xhufi, studjues i njohur i periudhës së Mesjetës, e ka hedhur poshtë tezën e ish-emisarit të ish-presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për Betejën e Kosovës të vitit 1389.

Në një prononcim për “News 24”, profesor Xhufi ka thënë se argumentet historike e rrëzojnë tezën serbe për Betejën e Kosovës më 1389, të cilën Grenell e plasoi në publik si të vërtetë historike.

Xhufi ka thënë se statusi i Grenellit në “Twitter” lidhur me Betejën e Kosovës tregon se, më e pakta,  e ka “një kulturë të pakët për historinë”.

Profesor Xhufi ka theksuar se Grenell ka bërë një interpetim krejtësisht të gabuar historik, sepse në Betejën e Kosovës kundër Perandorisë Otomane kanë marrë pjesë edhe shqiptarët. Ai ka theksuar se dokumentet venedikase, bizantine e osmane si edhe burimet arbërore tregojnë se në Betejën e Kosoves kanë marrë pjese edhe zotër të arbërit, si Gjergj Strazimiri Balsha Jonimajt, zotërit e Himarës si edhe vetë Teodor Muzaka, familja Gropa, Zenebishi, etj. Ai ka theksuar se këtë e thonë edhe burimet historike serbe të shekullit të XIII.

Xhufi ka thënë se Kosova u pushtua nga Serbia dhe nga Princ Lazari, princi i fundit që sundoi në Kosovë dhe ka theksuar se pas Princ Lazarit Kosova është drejtuar nga shqiptarët, para se të pushtohej nga Turqia.

“Statusi i Grenel tregon që ai më së paku ka një kulturë të pakët historike. Sepse trajton Kosovën sikur është një vend i serbëve, ndërkohë që të gjitha burimet historike, në radhë të parë burimet historike serbe të shek.13, tregojnë që Kosova u pushtua nga serbët. Princ Lazari, për të cilin flet Grenell ka qenë princi i fundit që ka sunduar në Kosovë. Pas tij ka qenë pushteti i Balshajve, pushteti i Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe pastaj, natyrisht, Kosova u pushtua nga turqit. Kemi një pjesëmarrja masive të shqiptarëve në këtë betejë dhe më duket se atribuimi që i bën z. Grenell serbëve sikur të jenë zotërit ose ata që e kanë hipotekën mbi këtë betejë të rëndësishme, të madhe, është krejtësisht një intepretim historik që nuk qëndron. Në luftën e Kosovës morën pjesë zotër arbër si: Gjergj Strazimiri Balsha, Jonimajt, zotërit e Himarës dhe vetë Teodor Muzaka, familja Gropa, Zenebishi, etj”, ka thënë ai.

Profesor Xhufi ka mbajtur qëndrim shumë kritik ndaj diplomatit Grenell, për shkak të plasimit të historisë së shtrembëruar të Betejës së Kosovës. Ai ka thënë se kjo vë në dyshim integritetin Grenellit dhe ka theksuar se ai ka qenë “njeriu i paduhur” për të përfaqësuar administratën e Presidentit të SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.

“Deklarata e Grenell të bën të dyshosh edhe për integritetin e tij si ish-përfaqësues i Presidentit Amerikan, Donald Tramp, në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Grenell ka qenë njeriu i paduhur për të drejtuar këto bisedime”, është shprehur ai.

Pëllumb Xhufi, me këtë rast, ka shprehur besimin se administrata Presidentit Joe Biden ka një njohje më të mirë të historisë dhe një qasje tjetër ndaj Kosovës.

Please follow and like us: