Biden: E ardhmja e përbashkët varet nga aftësia për të punuar së bashku
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden mbajti fjalimin e tij të parë në sallën e Kombeve të Bashkuara duke trajtuar problemet qendrore me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe bota, përfishirë pandeminë COVID-19, klimën, konfliktet botërore, gjendjen në Afganistan, çështjet madhore diplomatike dhe luftën kundër korrupsionit.
Presidenti Biden e hapi fjalën e tij me sfidën që përbën pandemia e COVID-19 ës për botën dhe u bëri thirrje udhëheqësve të vendeve të OKB-së, që të adresojnë ndryshimet klimatike.
“E ardhmja jonë e përbashkët do të varet tek aftësia jonë për të njohur humanizmin tonë të përbashkët dhe për të vepruar së bashku”, tha zoti Biden.
Zoti Biden po e mban fjalimin në një kohë të vështirë në presidencën e tij ende të re pas tërheqjes kaotike të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.
Presidenti Biden e mbrojti tërheqjen, duke argumentuar se ishte një hap i nevojshëm.
“Ne u dhamë fund 20 viteve të konfliktit në Afganistan dhe ndërsa mbyllim këtë epokë të një lufte të ashpër, po hapim një epokë të re diplomacie të pandalshme”, tha zoti Biden.
Zoti Biden u zotua se do të mbrojë interesat jetike kombëtare amerikane, por tha se “misioni duhet të jetë i qartë dhe i arritshëm” dhe se ushtria amerikane “nuk duhet të përdoret si përgjigje për çdo problem që shohim përreth botës.”
Presidenti Biden u tha delegatëve të Asamblesë së Përgjithshme se SHBA synon të punojë me partnerët dhe aleatët për të ndihmuar në udhëheqjen e botës drejt një të ardhmeje më të begatë për të gjithë njerëzit. (VOA)