Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Bledar Koçi

Pa titull
Ishte e vogël shtëpiza,
sa një krevat.
Dhe brenda shtëpizës, krevatit,
një emigrant.
Në gjumin pa gjumë një fjollë nga dritat e rrugës, dritares, e ngrohte mbi shtat.
E vogël shtëpiza, e vogël.
M’e vogël se ëndrra ku endet ai emigrant.
Xhaxha
Gjurmët skalite udhëve pa fund..
Dhe mushka Kërre xanxare e pashpirt, ty shpirtin t’a deshi, veç ty.
Se flisnit një gjuhë ndër shtigje të blerta
me shkozë e gurishte,
ku çanit të dy.
E ti, kapistallin, e hiqje pas duarsh menduar
këmishës pa llërë në zheg e të ftohtë.
Me Kërren xanxare në lugje, djerrina
ku binin aq yje si zjarre prej qiejsh,
jetonit një botë.
Vrapoj kësaj Bote të hirtë e të egër
pa shtigje të blerta ku yje më ska.
Por ti do më mbetesh atje n’ato gjurmë
mes shqopash, dëllinjash me Kërren xanxare,
I miri xhaxha!
Lajmi i vjeshtës
“Presim të na vish, vallëzat u poqën…”
Lajm më niste gjyshi,
vjeshtës me një letër.
E unë buzëqeshja gërmave të bojës
Letrave të gjyshit,
Në një kohë tjetër.
……
Tani s’më njeh vjeshta, vallëzat më s’u poqën.
Se gjyshin s’gjej dot
As letrën e vjetër.
Trëndafili
Me gazin në buzë, aq shpejt atij kopshti këputa, rrëmbeva një trëndafil plot jetë, të lirë…
Mandej me një frymë, një gotë e burgosa mbytur në ujë.
Ç’kujë!…
…Tek shihja në ç’mund po mundohej dhe vdiste ngadalë një trëndafil.
Qiellore…
Tej qiejve, hyjnive m’u bë se të pashë.
Sa afër, aq larg…
Dhe çmendurisht nis përqafime mbi horizonte që zbehen e lodhen së ardhuri te ty.
Përtej qiellores s’mbaj mend si të pashë.
Lart, yll
Poshtë, dallgë…
….
Ç’i trishtë ky mall…
Pa zë,
Pa sy.
Please follow and like us: