Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: DOKTORI I PILOTËVE USHTARAKË SHQIPTARË

 

(Në kujtim të Kareman Hasko (Aliaj), partizanit pionier, doktorit të radhëve partizane, doktorit ushtarak të pilotëve që na rikthehet nga kaltërsitë e qiellit shqiptar nga pena e të birit Astrit Aliaj me libër të posaçëm dhe të dedikuar “Mjeku i kaltërsive”, një libër-përmendore për kujtimin e tij njerëzor. Ai ishte lindur më 6.1.1928, Ishte rreshtuar në radhët partizane, në Br23S, infermjer, ndihmësmjek, student në ish-Jugosllavi (Boegrad dhe Lubjanë) nga dhjetori 1947 deri në Maj 1948 dhe në ish-BRSS (Kiev) nga 19.9.1948 deri më shtator 1951, vit kur ju dha edhe grada “nëntoger” dhe doktor ushtarak, gjithçka e dokumentuar në dosjen personale me nr. 7372 të oficerit doktor Kareman Abas Hasko (Aliaj). Edhe aparati i librit është një gjetje e spikatur për monografinë “Një jetë kushtuar mjekësisë”, ku përfshihen edhe art grafik dhe kopertina nga Alketa e Dorela Aliaj si dhe redaktimi nga mjeshtri Kristaq Shabani që ka shkruar dhe përsiatjen: “Profil “obelisk” i spikatur i mjekut me shkathtësi mendjeje dhe shkathtësi veprimi profesional”. Doktor Kareman Hasko (Aliaj), përmbushi me nder “betimin e Hipokratit” pikë për pikë duke e kaluar jetën si mjek profesionist, në pastërti dhe dlirësi, dhe kështu ai mbeti deri në ditën e dëshmorëve të 2018-ës dhe përgjithmonë mirënjohje, nder, krenari e Aviacionit Ushtarak, por dhe mbarë trevës së Labërisë).

 

 

Kareman Abas Hasko (Aliaj) është një emër i njohur i aviacionit ushtarak shqiptar. Ai nuk ishte pilot, por mjek ushtarak, mjek i tre aerodromeve. Ai përgatiste djemtë e kaltërsive, i niste dhe i priste plot emocion, djemtë e Shkollës së Aviacionit, i dërgonte në fluturime të ëndërrimeve të bardha edhe pse me mision luftarak. Ai ishte dhe mbeti shpirti plot emocion I studentëve për pilotë, që çanin kryq e tërthor qiejt e kaltërsive dhe bardhësinë e reve, pilotonin guximshëm në prehër të qiellit dhe riktheheshin buzagaz tek kontrolli mjekësor i doktor Kareman Haskos. Edhe pse me emër heroi nuk u ndje kurrë hero por mbeti njerëzor deri në frymën e fundit. I njihte emër për emër gjithë pilotët, “kishin shkuar në dorë të tij”, i kishte matur emocionet si askush dhe u kishte dhënë leje të ngriheshin në kaltërsitë e Republikës. “Varka” e jetës së tij u mbush me vite, me njerëzillëk, me halle e shpresa, ku mbizotëroi gëzimi. Buzëqeshja e shpirtit ja kalon çdo lloj buzëqeshjeje. Prandaj mbeti përgjithmonë sikurse thotë i biri, Astriti, “i thjeshtë, i durueshëm, i respektueshëm, korrekt, i dashur, i ndershëm, i drejtë, i zoti, kurajoz, optimist, i kulturuar, i sakrificës e familjar shembullor” (f.19). Doktor Karemani jetoi një jetë krenare, dinjitoze duke materializuar njerëzoren dhe shpirtbardhësinë. Prandaj shprehja “bëmë Baba të të ngjaj” është plotësisht e materializuar dhe e vërtetuar si një aksiomë popullore e pagabushme. Doktor Karemani ishte një misionar në jetë dhe këtë mision e vijon Astriti. Po edhe e tejkalon kur nuk lejon që një jetë e gdhenur në dashuri njerëzore e babait e sjell në një libër të posaçëm për të: “Një jetë kushtuar mjekësisë”, Kujtimet e mjekut të aviacionit Kareman Abas Hasko (Aliaj). Prandaj edhe bilbili i gjuhës shqipe Naim Frashëri shkruante: “Mos thuaj se vdes njeriu,/Se, është fjalë çilimiu./Tek i biri, jetëgjati,/Është mbëshehur i ati.”. Jeta e doktor Karemanit është një “ditar”, që edhe pse e ka shkruar vetë, në pentagramin e shpirtit ja hedh në letër i biri. Ku ka më bukur! Kështu jeton e gjallon më gjatë, por dhe shtrihet në të gjithë brezat që e trashëgojnë mirësinë e tij. Lumturia e agimeve të brezave të së ardhmes do “kullosin” shpirtin qetësisht në hijet e ëmbëla të së kaluarës. Kështu kujtimi i dr. Karemanit do të jetë dhe më afër, dhe më i prekshëm, këshillues, i përjetshëm si dëshira e njerëzve të zemrës si dhe shokëve, miqve e kolegëve të tij. Dhe brezat që do të vijnë do të dinë ta “ndezin” jetën nën dritën e qiririt të mirësisë që nuk fiket kurrë, që dhe brezat të përjetojnë emocione të papërmbajtshme jetësore si emocionet e ndjenjat njerëzore të brezit të hekurt të doktor Karemanit, këtij obelisk me mendje të shkathët dhe profesionist i mjekësisë e shpirtrave njerëzorë. Libri i Astrit Aliaj është përshkruar me vërtetësi jetësore, plot çaste lumturie dhe krenarie të ligjshme, që përcjellin besim dhe shpresë, të epokës mjekut të pilotave, besim e shpresë që do të vijojë edhe në këtë botë të mbushur me kompleksitet. Libri është original për një jetë të jetuar vrullshëm në të gjithë dimensioned jetësore larg mbingarkesave e sforcimeve, por e mbushur me dokumente arkivore e familjare. E bukura qëndron tek e thjeshta dhe e mira, plot ndjenjë dhe njerëzore. Libri memorial kujtese për doktor Karemanin është një etalon mirësie, prush atdhetarie, shembull që transmeton mesazhe të fuqishme të dashurisë njerëzore, për mënyrën e depërtimit në botën njerëzore me thjeshtësi dhe dashuri. Ky ishte një “provim” i vështirë për shokun tonë Astritin (autorin e librit), që në 360 faqe të librit “Një jetë kushtuar mjekësisë”, në të tetë pjesët e tij, ka përmbushur me sukses të plotë, një ndër detyrat më të vështira të jetës së tij.

Sevasteri, fshati i lindjes dhe origjina

Kushdo ka kaluar në Sevaster, i ka rënë në sy nyja e hershme historike si një kala natyrore, që lidh gjithë Shqipërinë jugore, sepse rruga nëpër shekuj kalonte faqes së malit, për në Tepelenë, Memaliaj, Gjirokastër, Janinë, Selanik e më tej, në qendrën e Perandorive. “Rrapi i Sevasterit”, ishte pika turistike me ujin e ftohtë, ku qëndronin nëpunësit e kohëve antike që i dhanë edhe emrin fshatit, stacioni ku ndalonin autobusët, pushonin, udhëtarët, fshati me postë-telegraf, qytezë rrëzë Tartarit, fshat me shkollën: “Drita e Diturisë” ndër të parat dhe të rrallat në Vlorë, me njerëz drejtues me zë, specialistete e kapacitete, në shumë fusha, me gjurmë thesar për origjinën të gdhendur në Amfiteatrin e kësaj treve me tradita të çmuara të rralla, të ruajtura, pasuruara dhe transmetuara nëpër breza shekujve. Këtu në këtë fshat ishte lindur Kareman Abas Hasko (Aliaj), që vjen për shokët, miqtë, kolegët në librin e Astrit Aliaj “Një jetë kushtuar mjekësisë”. Pjesa e parë “Fëmijëria” vjen e përshkruar në mënyrë emocionale që sikurse thotë redaktori i librit Kristaq Shabani, “ka arritur në skalitjen e profilit, një detyrë sa e vështirë, aq dhe e përgjegjëshme”. Vendlindja, pozicioni gjeografik, vlera e qyteti Amantia, qytet i lashtë, vërtetues i faktit të lashtësisë së banorëve të këtyre trojeve dhe aspektet e zhvillimit kulturor, prejardhja e emrit të fshatit Sevaster, bazuar në të dhëna arkeologjike e shpjegime etimologjike; paraqitja e ardhjes në jetë dhe jeta zanafillore e Karemanit, ku jepet dhe një “organogramë” e pemës gjenealogjike e familjes, fisit..”. Në këtë libër tradita, zakonet, doket, përshkrimet e përfaqësuesve të brezave të familjes, mjediseve banuese si dhe të dhënat bibliografike të bazuara fuqishëm në dokumenta arkivore e bëjnë publikimin serioz dhe mjaft të besueshëm. Prioriteti dhe dashuria për arsimimin, të dëshirës së gjithë trevës për dije e arsimim, të bindin në idenë e rrugëtimit të ardhshëm që e fton lexuesin të jetë besnik librit për njohuritë që vendos në dispozicion serviren duke marrë përmasën e nevojshme për të realizuar tejnjohjen. Karemani fëmijë e ndjente veten të bekuar për vendlindjen e tij dhe dashurinë për të e kishte të shenjtë, sepse në ditë të shenjtë kishte lindur. Këtë vend të bekuar bashkëfshatarët e tij e kishin ngritur në art, kur këndonin: “Sevaster- Kudhës Grehoti,/o vend i bekuar nga Zoti”. Bijtë e Sevasterit e dinin mirë se një popull pa kulturë e shkollë sundohet lehtë nga të huajt, prandaj përpjekjet dhe lufta për çeljen e shkollës, kanë qënë pjesë e luftës për të siguruar lirinë e mëvehtësinë për këtë krahinë, të njohur për zhvillimet historike, dhe që quhej “Kudhës Grehot”, përpara vitit 1945. Fakt është se për përhapjen e gjuhës shqipe, çeljen e shkollës së parë në këtë trevë, ndër 10 shkollat e para në qarkun e Vlorës, ku përmblidhte mbi 9 fshatra në kufijtë e Vlorës me Tepelenën dhe Mallakastrën, shënohet në memorjen e njerëzve, viti 1911, kur njihet hapja e shkollës së Sevasertit e transmetuar brezave, e njohur historikisht dhe e pasqyruar edhe në shtypin e kohës. Fëmijëria është një stacion në udhën e jetës dhe është në fakt pranvera e shpirtit, përjetimi më njerëzor i halleve dhe brengave të kohës të cilat Kareman Hasko (Aliaj) i përjetoi sikurse gjithë bashkëmoshatarët e tij. Kapitulli “Fëmijëria” është mbushur me emra e detaje, një mekanizëm i domosdoshëm informativ për lexuesin, që në rreth shtatëdhjetë faqe mbyllet me pushtimin fashit italian, që edhe pse Karemani ishte në klasën e tretë si gjithë bashkëmoshatarët, ishte koha kur nuk kishte më fëmijëri. Fëmijëria e kishte humbur kuptimin dhe nocionin e të qënit e tillë. Kishte ardhur koha e burrërimit të parakohshëm, kur robëria kërkonte kundërpërgjigje, për të rrëmbyer armët sikurse kishin bërë baballarët e tyre në vitin 1920 dhe në luftrat e tjera për liri.

Antifashizmi trend i kohës dhe detyrim për çdo shqiptar gjatë LIIB

Pjesëmarrja në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) është pjesa e dytë e librit, ku “Dashuria për Atdheun, lind nga dashuria për familjen” është e përshkruar me “kohë e zezimit”, që është “pushtimi kulturor” italian fashist, që në fakt krijoi stanjacion dhe robëroi shqiptarët. Në libër del në pah  aktiviteti patriotik në çetën e Sevasterit, por nuk ngurohet dhe hapur flitet edhe për pjesëmarrje të “gabuar” në formacionet e ish-Ballit Kombëtar, e justifikuar nga fakti që vinte nga mituria. Por sikurse shpjegohet në rreshtat e librit solli pasoja të shumta, sorollatje, jo pak andaralla për doktorin deri në mos pranim në partinë e asaj kohe, gjatë gjithë jetës, paçka se në fakt ishte larguar nga formacionet e Ballit dhe kishte përqafuar idealet antifashiste të partizanëve shqiptarë, duke ju bashkuar partizanëve të Brigadës së 23-të Sulmuese. Në fq 86, flitet qartë për ngjarjen e qershorit të vitit 1944 ku kushëriri Çuman Mehmeti (Aliaj), bënte pjesë në çetën e Ballit në Amonicë dhe prej Amonicës shkuan në Kropisht e në Vlorë, duke e marrë edhe Karemanin me vete në atë kohë një 15 vjeçar. Ndërkohë që është më se e njohur se aktiviteti i kësaj brigada sikurse gjithë brigadat e tjera ka qenë mjaft i suksesshëm gjatë LANÇ-it edhe përtej kufijve administrativë shqiptarë. BrXXIIIS ishte formuar në Zall-Mner të Tiranës, më 21.9.1944, nga batalionet “Krujë-Ishëm”, “Dajti”, e “Mati” dhe që kishte rreth 700 partizanë të organizuar në tri batalione. Që me krijimin u fut në përbërjen e DIS, ku mori pjesë në luftën e Tiranës. Forcat e saj për afër dy muaj rresht goditën autokolonat gjermane në rrugën Vorë-Milot, si dhe garnizonet e fortifikuara të armikut në Krujë, Vorë e Ura e Zezë. Ndërkohë shpartalloi forcat e Legalitetit në zonën e Ishmit dhe me veprimet e saj luftarake bëri që 400 forca të tyre të dorëzoheshin. Në fund të muajit tetor organizoi mbrojtjen e bregdetit në zonën e Ishmit, për të ndaluar çdo zbarkim të mundshëm të forcave anglo-amerikane në atë drejtim. Pas goditjeve të ashpra e të vijueshme, më 1 nëntor 1944 çliroi Krujën. Me urdhër të Shtabit të Korparmatës IS më 17.11.1944 BrXXIII S në bashkëveprim me BrXXIV S vazhdoi ndjekjen e forcave gjermane që po tërhiqeshin në rrugën Milot-Lezhë-Shkodër, duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha, më 18 nëntor ‘44 çliroi Milotin, më 23 nëntor ’44 Lezhën dhe së bashku me forcat e disa brigadave të tjera, mori pjesë në çlirimin e Shkodrës. Me urdhër të Komandës së Përgjithshme, kaloi kufirin shtetëror dhe vazhdoi veprimet luftarake në Mal të Zi bashkë me BrVIIS e BrXXIVS për të ndihmuar në çlirimin e popujve të Jugosllavisë, kryesisht të shqiptarëve që jetonin në këto troje. Në faqet e librit lexuesi gjen të faktuar rrugëtimin e Karemanit dhe kalimin me forcat partizane, kur ranë nën breshëritë e plumbave të nazistëve gjermanë në Shkodër. Por fakt është se “incidenti” me forcën kundërshtare politike që humbi luftën dhe u bashkua me pushtuesin e ndoqi pas si një “hije e zezë”, si një damkë biografike edhe pse rrugën e jetës e çau me guxim dhe zotësi. Ndërkohë që është e njohur se gjithë fisi dhe fashati i Karemanit kishte përqafuar fuqishëm luftën partizane si pjesë e kolacionit të madh antifashist botëror. Vëllai i tij Tefiku ishte partizan i BrVS heroinë e popullit. Edhe pse me “njollë në biografi” Karemanin dhe shokët e tij i përballuan me ndër sfidat më të mëdha të jetës: “luftën partizane” dhe dolën fitimtar në një Shqipëri të sfilitur por të lirë.

Shkolla – kudhra ku u përgatit e ardhmja e doktorit të pilotëve

Kareman Hasko (Aliaj) është pjesë e historikut të aviacionit, është një copëz e jetës qiellore shqiptare. Paslufta ishte një oqean pafundësish perspektivash për t’u shkolluar dhe rritur profesionalisht, dhe për të gjetur veten në shoqëri. “Rruga drejt mjekësisë”, “Kthimi në Atdhe dhe fillimi i karrierës ushtarake”, “Martesa dhe karriera”, “Fillimi i jetës bashkëshortore”, flasin për thelbin e jetës dhe burrërimin në shkollin dhe profesión por edhe në jetën familjare, për detyrimet e mëdha në jetë që vijnë kaq pozitivisht dhe me ndjesi reale dhe vërtetësi jetësore. Nuk ishte më partizani i thjeshtë, infermieri partizan, ndihmës mjek në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak në Tiranë, por student për mjekësi, nëpër fakultete  në Beograd, Lubjanë, në Kiev, në Tiranë, mjek në tre aerodrome, mjek në Shkollën e Aviacionit në Vlorë deri në daljen në pension, duke e përmbyllur me krakteristikën figurative: “T’i linde në ditën e “Ujit të Bekuar”, u largove në ditën që nderojmë Dëshmorët e Atdheut”.

Libri i Astrit Aliaj është një qëmtim plot sqimë në përditshmërinë e jetës, në emocione, gëzime, trishtime, guxime, në luftën për për dije e profesionalizëm, në botën e madhe të pamatë shpirtërore, në zbatueshmërinë e betimit “vargmal” të Hipokratit, babait të mjekësisë në botë, në bardhësinë e bluzës por më shumë në bardhësinë e karakterit dhe të figurës intelektuale e fisnike, në interesimin për shëndetin, rigorozitetin profesional, në përkushtimin ushtarak. Ai punoi dhe jetoi në një periudhë kur aviavioni e filloi nga zerua dhe u ngjit në majat e lavdisë së kohës me rreth 240 mjete ajrore avionë e helikopterë, një flotë e jashtëzakonshme për kohën dhe për mundësitë shqiptare. Shqipëria pati një Shkollë të Aviacionit, në historikun e së cilës shkruajti bindshëm emrin Kareman Aliaj. Një shkollë që do të jetojë gjatë në kujtesën shqiptare dhe nuk dihet se kur do të ketë sërish një të tillë. Aviacioni, për nga natyra tepër i veçantë me njerëz të veçantë, që kërkonte shumë trajnim e sakrifica rigorozitet dhe kërkesë të lartë sepse fiziologjia e fluturimit, dhe sidomos ajo për përdorim luftarak kërkojnë elementët më të mirë psiko/fizike të njeriut. Këto element pilotët tanë i morën fillimisht në shkollat e aviacionit jashtë në ish-Jugosllavi, në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, meqenese atje ofroheshin kushtet më të mira për trainimin e pilotëve luftarakë. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik në baza ideologjiko-politike, ashtu si edhe me fushat e tjera të ekonomisë, ushtira filloi te vuante menjehere pasojat e prerjes se ndihmave ushtarake sovjetike. Por sektori qe ndjehu me shpejte mungesen ishte aviacioni. Prandaj edhe lindi nevoja e një shkolle për pilota në vendin tonë dhe sigurisht edhe mjekun e donin shumë të përgatitur dhe kompetentë. Ishte periudha kur Ushtria Popullore kishte nevoja emergjente për furnizimin me gjak të ri të radhëve të aviacionit ushtarak, por dhe ideologjia e kohës, “Të mbështetemi në forcat tona”. Kështu u vendos krijimi i një shkolle e cila kishte rol kyç në përgatitjen e pilotave dhe të teknikeve të aviacionit ushtarak, sipas përvojës së marrë nga shkollimet në ish-BRSS. Më 11 Maj 1962, me dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, u vendos hapja zyrtare e Shkollës së Lartë Ushtarake te Aviacionit. Pilotët përgatiteshin me një program dy vjeçar, kurse pas vitit 1964 programet e shkollës u ngritën në nivel tre vjeçar. Në vitin 1976, Shkolla e Lartë Ushtarake e Aviacionit, sipas kërkesave në rritje të armës së aviacionit, u bë institucion me program tre vjeçar për gjithë specialitetet, ku shkollës i shërbente si pistë e dheut në Pish Poro (Akërni) e vendosur pranë Lagunës së Nartës në veri të qytetit të Vlores, e ndërtuar më 1950 dhe shërbente si bazë rezervë e Regjimentit të Kuçovës. Komandanti i parë i shkollës ka qenë kolonel Babaçe Faiku, me kontribut të madh në formatimin e shkollës që ishte njëherazi edhe mik e shok me doktor Karemanin. Studentët e parë të aviacionit shqiptar, si Koço Biku, Bardhyl Lubonja, J.Bakshevani, P.Lengu, Sefedin Tomçini (dëshmor), Petraq Koroveshi, Thanas Papa, Foto Lako, S.Shahini, Kostandin Sadiku, Flamur Micko, Nehar Jazenxhiu, Naun Todo, Haki Jupasi, Mahmut Hysa, Bardhosh Hasani, Hasbi Serani, Avdi Gjomema, Agim Nanaj, Kaso Petroshati, Hamit Ulqinaku, Guri Merko, Petrika Kostani, Arqile Kosta, Servet Murati, Isa Arapaj, Astrit Jaupi etj. Por edhe grupet e studentëve që pasuan kishin një doktor të apasionuar që i niste dhe i priste në pistat e avionëve. Dr Karemani ishte bërë për studentët e pilotimit në Shkollën e Aviacionit një shok, mik e vëlla, një njeri depërtues në shpirtin e pilotëve dhe që ju dhuronte kënaqësi e buzëqeshje për misionin e vështirë të pilotimit ushtarak shqiptar. Doktor Karemani edhe kur Shkolla e Aviacionit u kthye në “Shkollën e Trupës” dhe që shërbeu edhe për helikopterët i përjetoi me ndjenjë ndryshimet që çuan gradualisht deri në eleminimin e shkollës që ishte sa vitale aq edhe domosdoshmëri për kohën. Doktorin e gëzonte çdo sukses dhe ngritje në strukturat ajrore shqiptare, që në fakt në këto vitet e fundit janë në pritje të ringritjes, me qëllim që tradita të mos humbasë dhe të marrë vendin që meriton në zhvillimin teknologjik dhe profesional të vetkontrollit të plotë të hapësirës ajrore shqiptare. Janë një galeri jetësore tipash e karakteresh me të cilët është ndeshur në jetë doktor Karemani dhe që vijnë natyrshëm në këtë libër lirshëm si vlerë e kontribut, profesionalisht i arrirë, plot ndjenjë e mbresa, si pikë referimi për pasardhësit, të pashkëputur nga mjedisi familjar, kulturor, i lidhur fortë me gjenealogjinë familjae, fisin, fshatin, krahinën, mbarë trevën e Labërisë. Një libër që shpalos vlera e cilësi, karakteristika, temperamente, traditë, reflektime, triumfe, arsimim, mirësjellje, norma, ligje, përkushtim serioz ndaj detyrës.

Ligji-Betim i Hipokratit i lindur e zotim historik edhe për doktor Karemanin

Doktori nuk e harroi kurrë betimin dhe ndjenjën sublime të detyrës. Fakt është se Betimi i Hipokratit e bëri Kareman Hasko (Aliaj) mjek të pilotave dhe njerëzve të thjeshtë. Njeri me dije të thelluara sepse që në shkollë e kishte përvetësuar dhe e dinte mirë se Hipokrati 2500 vjeçar, ishte ai që ndau magjinë nga mjekësia, Hipokrati i epokës së Perikliut, që dijet rreth tij erdhën deri në epokën shqiptare të aviacionit ku shërbeu doktori i kaltërsive, doktor Karemani dhe gjithë kolegët e tij. Kushdo nga doktorët sikurse dhe doktor Karemani e dinte se, babai i mjekësisë konsiderohet një nga figurat më të shquara në historinë e mjekësisë dhe tradicionalisht është quajtur “Babai i Mjekësisë”, por ai i dha frymë e jetë mjekësisë humane, ku humanizmin dhe njerëzillëkun e përqafuan një plejadë e shkëlqyer mjekësh shqiptare sikurse edhe doktor Karemani. Doktor Karamani thoshte se “Ecja është ilaçi më i mirë i njeriut”, ndërkohë, që “fluturimi është vetëm për ekselentë”. Doktori e dashuroi artin e mjekësisë prandaj edhe u bë më shumë se njerëzor përgjatë jetës e karrierës ushtarako-mjekësore. Për doktor Karemanin ka me dhjetra e qindara mendje e zemra që e kujtojnë për atë çfarë ishte dhe çfarë bënte sepse “Betimi i Hipokratit për të ishte i shenjtë, ishte ligji moral i mjekëve profesionistë”, ligji-Betim i Hipokratit i lindur si zotim historik, por që në fakt ishte kthyer në betim të shkruar rreth dy shekuj më vonë, betim që erdhi natyrshëm tek çdo mjek shqiptar. Profesioni i mjekut e bëri doktor Karemanin një njeri profesionist plot virtyte humane dhe që ofronte dashuri njerëzore sikurse kishte mësuar në tre shkolla, branda dhe jashtë vendit. Në aparatin e librit vërtetësia dokumentare e bën monografinë sa solide aq edhe të besueshme në sytë e lexuesit, të miqve, shokëve e kolegëve, çka flet për seriozitetin e shkallës maksimale dhe përkushtimin e autorit Astrit Aliaj. Për këtë arsye mjeku i burrave të kaltërsive, i heronjve të ajrit, do të jetojë përjetësisht në një vepër të të birit dhe në zemër të shokëve, miqve e kolegëve si etalon mirësie.

 

Please follow and like us: