Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike
Në këtë pjesë do të lexoni parathënien e regjizorit Pëllum Kulla
dhe pak fjalë si hyrje nga Ibrahim & Shpëtim Emiri.
++++++++
UNË, LEXUESI I PARË
Pëllumb Kulla
Libri që na vjen në dorë është një dëshmi e rrallë dashurie. Është as më shumë as më pak, një përmendore për babanë.
Fëmijët e familjes Emiri, prindër të dhemshur dhe ata, ndërmarrin një punë të bukur duke qëmtuar, mbledhur e përzgjedhur një numër të gjërë kujtimesh, përshkrimesh, anekdotash, fotosh për të krijuar një portret origjinal: atë të babait të tyre, Alizot Emirit.
Ata janë të ndërgjegjësuar tashmë që babai i tyre nuk është një prind i thjeshtë, nuk është një anëtar familjeje çfarëdo, nuk është një baba i dashur gjithsesi, si miliona e miliona të tjerë.
Babai i tyre është një figurë publike, emblemë e një lloji të veçantë, për të cilin nuk janë aspak vetëm fëmijët e tij ata që e shquajnë dhe që nisin të shkruajnë, ata të parët, në memorial dhe libra të tjerë.
Arsyeja e veçantisë, për të cilën është shkruar deri tani nga penat më të njohura të letërsisë dhe publicistikës shqipe, është se Alizot Emiri, ky gjirokastrit i mirë dhe i dashur, është bërë i famshëm edhe duke mos qenë fare njeri i pushteteve, hero legjendar, klerik me emër, pasunar i spikatur, artist, apo sportiest i famshëm. Jo, jo… Asnjë nga këta! Alizot Emiri ishte një qytetar tipik i të tëra vuajtjeve ekonomike, një shtetas kokëunjur që përbuz dhe lufton heshturazi tërë pushtimet ushtarake dhe ideologjike, që kanë rrënuar aq shumë këto viset tona.
Madhështia e kësaj figure, për të cilën është shkruar dhe mbulon faqet e këtij libri të bukur, është të qënurit i afërt me botën e librit. Po, po, një librashitës, për të cilin këtë herë nuk do të përdorim cilësorin i thjeshtë. Alizot Emiri ishte një përhapës, një promovues, një njohës i thellë dhe i vetëdijshëm i kulturës që rrezatonte dyqani i tij i vogëlth dhe raftet e mbushur e të vendosur në të. Ishte një shitore e pazhurmshme, si shumë shitore të vendosura brinjëmëbrinjë në rrugën me kalldrëm, që të shpinte në Qafën e Pazarit të qytetit piktoresk të Gjirokastrës…
Djemtë e personit që është vendosur në qendër të librit, miqtë e mi të vjetër, më dërguan dorëshkrimin dhe me një gjuhë allasoj, në stilin e lëndës ku do të zhyteni dhe ju, më kërkuan të jem lexuesi i parë i librit të tyre, gjë që unë natyrisht e pranova me dëshirë dhe emocion. U ndjeva i privilegjuar e mjaft i nderuar tek më thanë ta prisja këtë shirit që më vunë përpara. Babai i tyre edhe për mua, që nuk e pata takuar asnjëherë, nuk ish kurrsesi i panjohur fare. Por jo aq i njohur edhe i dashur sa është tani, që përdora një frymë të vetme në leximin e këtyre faqeve. Përveçse, siç thashë, shkruhet për një njeri të përkushtuar në përhapjen e dijes, moralit dhe edukatës, ajo që këtë libër e bën tërheqës edhe më shumë, është se kemi të bëjmë me një lëvrues të humorit. Këtu hasim një njeri gojëmprehtë që natyra, jeta, vuajtjet dhe leximet e paisën me një mendje edhe më të mprehtë akoma. Të thënmet, shakatë, truket e tij i paten kaluar me kohë kufijtë e qytetit të gurtë. E folura e tij e figurshme dhe bile poetike, shpotitë me të cilët sulmonte nëpunësat, shkrimtarët, shokët, pjesëtarët e familjes, duken se gjatë viteve balancuan ferrin e vuajtjeve me parajsën e buzagazit. Kemi të bëjmë me një arkiv, me një memorial tërë shend. Alizoti është model i hokatarit të stilit qit e prit. Asnjëherë ai nuk e vononte përgjigjen e thekur, se humbja e kohës i ulte vlerat përgjigjes. Ai rrezatonte një kulturë të gjërë që i vinte nga kontaktet e shumta me të. Duke pasur për vite të tëra lidhje të shumta me botën e sidomos, me Italinë, duke zotëruar më së miri gjuhën e italianëve, e duke qënë lexues i etur i botimeve të tyre, ai ishte vetiu hapa përpara librashitësve të tjerë, shumë përkthyesve dhe bile, pa tepërim, edhe një sërë shkrimtarëve. Kultura dhe shija e tij vinte natyrshëm edhe ngaqë ish pjesë e një rrethi shoqëror mjaft të ngritur, përbërë nga shkrimtarë dhe artistë, mjekë, gazetarë dhe politikanë. Ai zinte një vend të denjë dhe të respektuar në mjedisin e tyre.
Shpesh tipa të tillë, si hokatari ynë, gjykimet sipërfaqësore i klasifikojnë si të lehtë, si joseriozë, shakaxhinj e aqë. Në të vërtetë, në faqet e këtij libri, ju do ta gjeni atë në episode tronditës. Janë përleshje të ashpra me të keqen tipike të këtij kombi. Këtu flitet për burgun e pamerituar të Alizotit. Këtu tregohet lufta e tij për bukën e gojës, injektimi i edukatës së punës tek fëmijët, këmbëngulja e tij despotike për rezultate të mira në shkollat e tyre. Të gjitha këto, janë të thëna herë me humor, herë me paravolira dhe nëntekste të thekura, gjëra që fëmijët që kaluan dekada në shkollën e atit, i kapnin fluturimthi. Tastiera e gjerë dhe e shtrirë e ndjenjave të Alizotit më preku pa masë me sensibilitetin e rrallë të babait, që mban fëmijët deri në mes të natës të përgatisin kuti kartoni e t’i shpien të nesërmen, të përfunduara gjatë rrugës për në shkollë. I biri tregon për një natë, që duke punuar në këmbë, ai, fëmijë i rraskapitur, qe përgjumur dhe ish në rrezik të binte përmbi një thikë të mprehtë. Alizoti u tmerrua dhe e zgjoi të birin duke e sharë për rrezikun që mund të vinte nga kjo. Djali pranoi se pat fjetur në këmbë, por për ta kaluar e për të krijuar pak atmosferë të gëzueshme, rrëfeu se pat parë një ëndërr. I tha se kish qenë një ëndërr me gjellë restoranti, me ca gjellë të shijëshme, gatuar me vaj ulliri. Por asnjë gaz nuk erdhi nga ajo ëndërr. “Pashë Zoten (Alizotin)” – tregon i biri, Shpëtimi, – që po rrinte si i ngrirë me kapset dhe kutinë në duar. Ndërkohë, pas gjumit, unë po ndërgjegjësohesha.
Vura re se po shkëlqenin qelqet e syzeve optike të Zotes… Nuk ishte shkëlqimi i qelqeve. Sytë e babait ishin njomur! U bëra esëll. U ndjeva fajtor… Nuk duhej t’ia tregoja atë ëndërr. Nuk ishte faji i tij që ne ishim të varfër. Pas pak më thirri:
– Lere tani, hajt të biem të flemë, u lodhëm”!
Dashuria e Alizotit për familjen është e pamatë dhe kjo i jep librit një ngrohtësi të veçantë. Fëmijët bëheshin shpesh object qitje për breshëritë e shpotive të tij. Aq më tepër gruaja e tij, Fetja e dhemshur. Fëmijët kujtojnë mamanë që punonte deri në mesnatë në një rrobaqepësi, teksa një natë, pas turnit, ajo pat hyrë në shtëpi me frymëmarrje të shpeshtuar duke u qarë, se një i panjohur e pat ndjekur nëpër sokakë. Ajo iu shkreh të shoqit fajtor, që nuk kish dalë ta priste.
“Kush ishte ai?” – pyeti Zotia.
“Nuk e di, nuk e pashë”.
“E pse nuk e ktheve kokën ta njihje atë maskara?! Aty ku kish drita, të ktheje kokën dhe ai kur të të shihte fytyrën, nuk do të të ndiqte më”.
Vini re mjedisin e gjërë demokratik në familjen Emiri. I ati e pat lëshuar këtë frazë të mprehtë dhe fëmijët e citojnë me krenari. Unë, lexuesi, pata një dyshim dhe nxitova të shoh albumin e fotografive që zbukuron librin. U lumturova. Bashkëshortia e Alizotit, më pas ndoshta edhe gjurmët e jetës me shumë halle mund të kenë bërë punën e tyre, por duket të kishte qenë mjaft e hijshme në rininë e vet. Ajo mirëpriste thumbat e të shoqit, mjaft që në famije të mos fashitej gazi.
Por unë nuk kam ndërmend aspak të vazhdoj t’u heq kurreshtjen të tjerëve… Le të flas pak për punën e autorëve… Stili i të treguarit është i rrjedhshëm dhe elegant, një stil i denjë për figurën që trajtojnë. Duke përgëzuar autorët-bij, ngul këmbë se unë po vazhdoj të ngre lart figurën e Alizot Emirit.
Në faqet e këtij libri bën ferk thjeshtësia, shija e përzgjedhjes të gojëdhënave të panumërta nga thesari i babajt. Një fllad vetëironie fryn tej e mbanë rrëfenjave të tyre. Shëmbull i bukur ilustrues është një episod, kur babai shkon në korridoret e universitetit për të pyetur për rezultatin e provimit të njërit prej djemve dhe aty takon shoqet e kursit të djalit. Në shoqëri me to, Alizot Emiri shkëlqen me hokat dhe batutat e kripura. Që nga ai çast e deri në mbarim të studimeve djalit nuk iu ndanë asnjëherë femrat. Falë baba Zotes! Djali tjetër duket sikur psherëtin, kur shkruan:
“Eh! Babai nuk më erdhi asnjëherë në korridoret e fakultetit tim”!
Në disa kapituj tregimi i ngrohtë i lojërave fëminore merr trajtat e një narrative alla-Tom Sojer, të M. Tuenit. Lojëra plot të papritura, mbushur me fantazi dhe zbukurime dekorative që mbështesin gjasmet e çiliminjve. Duket sikur këta kapituj qëndrojnë më vete, ngaqë Zotia futet rrallë në skenë, por prania e tij ndihet fort. Është pikërisht një tjetër meritë e tij, që vogëlushët, bij dhe nipër, shfaqnin atë begati imagjinate. Më vete qëndrojnë edhe episode ku bie në sy ngulmimi i atit për edukimin e pjellave të tij me ndjenjën e punës dhe me nderimin e duhur për njerëzit që derdhin mund e djersë.
Askujt më mirë se këtyre bijve me kujtesë të mahnitshme nuk do t’u kishte hije që këtë libër ta bënin, siç e kanë bërë, një radhua mirënjohjesh për njerëzit e mrekullueshëm të Gjirokastrës, qytet që duket sikur ofron bujarisht gurët e tij për këtë përmendore që ata po ngrenë për prindin e tyre të paharruar.
“Kemi shkruar ca faqe, – më shkruajnë miqtë e mi autorë të librit, në letrën e tyre të bukur që shoqëronte dorëshkrimin, – që po të renditen, trashen sa për një libër. Bile ne pretendojmë se ato janë me humor… Përveç kësaj, humori nuk është i yni. E kemi të marrë. Nuk do të ketë konflikt për të drejtën e autorit.
Autori nuk jeton më! Nga ju nuk na del llafi për këtë hile”.
Dhe, siç e patë, unë u mundova që të mos u dalë!
“Mbahu i dashur, kurajo! – më thonë ca më poshtë. – Ne se ke kohë për të humbur, po të ndihmojmë ne”.
Modestë, sa nuk mban më! Por u gabuan tërësisht dhe ndodhi ajo që ata në të vërtetë besonin: lexuesi i parë e përfundoi librin duke qeshur, duke ua cituar shokëve, që gjatë leximit rastisnin t’i ndodheshin pranë. Vë bast se kjo gjë do të ndodhë edhe me ju. Dhe a mund të quhet humbje kohe, kjo?!
DY FJALË SI HYRJE
Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë:
– A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë?
Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?!
Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët.
Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.
A do të pranonte Alizoti si librar, të mbante në librarinë private këtë libër të shkruar nga ne, për shëmbull për një personazh të ngjashëm? Sigurisht që jo! Po qe se do ta detyronin ta lexonte, në përfundim do të ishte shprehur si gjirokastrit:
Gjëpo – gjëpora …, merr nga koshti e bjer brënda!
Po atëherë, kush mund të na i shkruante?
Qëllimi ishte i thjeshtë: Homazh për Alizotin, si libràr i shquar, si një personazh i njohur e i dashur në Gjirokastër në kohën e vet, por edhe si prind i jashtëzakonshëm.
I dhamë kurajo vetes.
Ne kemi disa avantazhe: Jemi gjirokastritë, por dhe bashkëkohës me babanë! Për më tepër, në shumë nga ndodhitë e këndshme të Zotes, kemi qënë dëshmitarë ose “viktima”.
Po për vlerat letrare ç’do të bëjmë?!
Fukarallëkun letrar do ta kompensojmë me dashurinë e fëmijës për prindin. Dakord! Pastaj, edhe për të shkruar, fare zero nuk jemi. Se tek e fundit, kemi kaluar nëpër klasat e shkollës së mesme “Asim Zeneli”, me emër në atë kohë, e, për më tepër, jemi nxënësit e Agim Shehut, poetit e pedagogut të talentuar të letërsisë.
Ore,… pa prisni… prisni, se për pak harruam, po jemi dhe fëmijët e Alizotit, diçka do ketë lënë tek ne dhe ai.
Ka lënë mo… ka lënë, po ka lënë si librár e jo si shkrimtar!
Përsëri hezitim!
Që të gjithë këta faktorë, që na u dukën në përgjithësi pozitivë, nuk mjaftojnë të marrësh kurajon për të shkruar libër.
Debatonim:
Nuk na i ka borxh lexuesi të lexojë hartimet tona. Ore lexuesit mos ia qani hallin, se ai është aq i mençur sa të mos e blejë librin tonë, sado i hutuar të jetë nga botimet pa hesap të autorëve, që vërtetë nuk kanë lexuar vetë asnjë libër, por po e kompensojnë me shkrimet e tyre pa fund.
A nuk jemi ne, që kemi thënë sa herë “O Zot, vur dorë, se na harrove përsëri! Na i hiq penën! Mos na ler të nxjerrim sytë”!
Ta shkruajmë, apo të mos e shkruajmë…?!
E zgjidhëm më në fund.
Do ta bëjmë libër për familjen tonë, për nipër e mbesat e Alizotit. Nuk do ta shesim në librari. Do ta shpërndajmë tek miqtë e Alizotit, tek familjet e tyre, në shenjë mirënjohje për dashurinë dhe respektin që kanë treguar ndaj babait tonë. Ata do të na falin për mungesën e vlerave letrare.
E dinë se nuk jemi shkrimtarë.
Për këtë gjetje do të binte dakord edhe Zotia. Do t’i shtohej prehja! Vendosëm ta shkruajë Shpëtimi e ta plotësojë Ibrahimi.
Portreti i Alizotit
Për të evidentuar portretin e Alizotit ne kemi kompletuar këtë përmbledhje edhe me elemente biografie, si dhe me vlerësimet e shkruara nga shumë autorë në librat e tyre, si Dalan Shapllo, Elmaz Puto, Bajo Topulli, Baftjar Dobi, Sevo Tarifa, Vasil Dilo, të cilat i kemi shkëputur dhe vendosur këtu, bashkë me humorin e Zotes.
Mirënjohje të përzemërt ndaj tyre!
Për Alizotin kanë shkruar me dashamirësi në librat e tyre edhe zotërijtë Vasil Kati, Skënder Çiço, Petro Dudi, etj, të cilëve ju jemi gjithashtu mirënjohës.
Falënderojmë me shumë respekt njerëzit e dijes e të letrave Dritëro Agolli, Muzafer Xhaxhiu, Nasho Jorgaqi, Gaqo Veshi (Hyskë Borobojka), Agim Shehu, Jorgo Bulo, Adem Harxhi, Thanas Dino, Andon Lula, që e mirëpritën lajmin se fëmijët e Alizotit po plotësojnë një dëshirë të tyren dhe të shoqërisë, për ta përkujtuar Alizotin.
Me sa dashuri e respekt na dhuruan ata mbresat e tyre nga njohja me Alizotin!
Do të theksonim kontributin e veçantë të prof. Nasho Jorgaqit, i cili nuk na u nda që nga momenti, që ne i kërkuam mbresat nga njohja me Alizotin. Na vlerësoi për këtë inisiative, na çliroi nga pasiguritë, na inkurajoi, duke na nxitur vazhdimisht i merakosur, se mos e zvarrisnim punën e nisur. Lexoi materialin bruto, që ne përgatitëm dhe na solli këshilla prej ustai të moçëm, para se ta çonim për redaktim e botim.
Pjesëzat me humor
Ne mundëm të evidentojmë një pjesë shumë të vogël të ndodhive plot humor të Alizotit, vetëm ato ku kemi qënë të pranishëm dhe disa që i kemi dëgjuar rastësisht e fatmirësisht nga ritregimi i bërë nga të tjerë.
Sa të vërteta janë ato që janë shkruar në këto grimca humori?
Duhet kuptuar se ato nuk janë të shkruara nga autori, vetë Zotia. Atij as i kish shkuar ndonjëherë nëpër mend se do shkruheshin një ditë thëniet gazmore të tij. Ai e kishte të natyrshëm humorin. Me humor sfidonte fukarallëkun dhe stresin e kohës. Ndihej më i pasur dhe më i qetë. Do duhej t’i rrinte nga mbrapa një sekretar, për t’i qëmtuar ato nga mëngjesi në darkë. E sekretar nga mbrapa doemos që nuk donte, edhe po t’ia vinin me detyrim. Nuk ia mbante. Ishte koha kur njerëzit flisnin me vete nga hallet e shumta dhe e kthenin kokën pas, se mos i kish dëgjuar njeri. Pa lere kur doje të bëje dhe humor! Pra, këto histori janë sjellë nga kujtesa mbas rreth pesëdhjetë vjetësh, si dhe nga gojëdhënat.
Nuk jane regjistrime!
Kemi bërë kujdes që ritregimi i tyre të jetë sa më afër realitetit në esencë, ndërsa në formë sigurisht që mund të ketë ndryshime të vogëla, se edhe vetë Alizoti nuk e thoshte dy herë njëlloj të njëjtën histori. Veç ai kishte dhuntinë të ruante e bile ta shtonte dozën e humorit. E bënte në moment edhe më të këndshme historinë. Asnjëherë nuk të mërziste kur tregonte.
Dëshirojmë veçanërisht, që në këto kujtime, të mos lëndohet kurrkush. Ishte në natyrën e Alizotit, që të mos i lëndonte të tjerët.
Humorin e tij e kontrollonte, që gjithmonë të ishte sa më dashamirës. Donte të qeshnin të gjithë. Përjashtuar ato raste kur humorin e përdorte për të goditur një ves. Në rast se dikush do të ndihet i lënduar, sigurisht, pa dashje e kemi lënduar ne, fëmijët.
Ndaj që tani i kërkojmë falje!
A ka njeri gjë për të shtuar? Me sa kënaqësi do ta prisnim!
——
Po a arritëm ne të sjellim të gjallë e të plotë portretin e Alizotit?
Nuk ndihemi të qetë! Ne e dimë mirë, se nuk e bejmë dot “vezën” e babait!
Përderisa ne vazhdojmë të prezantohemi si fëmijët e Alizot Emirit, do të thotë se nuk i ngjajmë tamam atij. Duhet ta ulim Atë, që ta arrijmë Ne…! Jo! Punë që s’bëhet!
Nuk do të ishte aspak modesti po të thoshnim se “mbetëm si rigoni në bythë të lisit”.
Kjo është e vetmja fatkeqësi, që na la babai, se do ikim nga kjo botë si fëmijë, “fëmijët e Alizotit”, por ama, sejcili nga ne do të ketë edhe individualitetin e tij, moshën.
Me respekt për lexuesin: Fëmijët e ALIZOT EMIRIT.