Albspirit

Media/News/Publishing

Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (7)

 

POLITIKË NË LIBRARI

 

Librat politikë

 

Librat politikë ishin të ndara nga ato artistike. Sa hyje në librari, në të djathtë ishte një faqe me rafte librash politikë e ideologjikë. Ato dallonin menjëherë. Ishin të lidhur mirë, me kapakë të trashë, shumica me ngjyrë të kuqe në vishnje. Edhe dimensionet ishin standard. Raftet dukeshin të rregullt.

Përballë ishte banaku, ku rrinte dhe librashitësi. Alizoti qëndronte aty, në mes të librave artistikë, aty e kish vendin e tij. Ndihej më komod në atë mjedisin letrar artistik. Marksin, Engelsin, Leninin, Stalinin e më pas, Maon e Enverin, i kish vënë bashkë dhe i kishte më larg. Me letërsinë politike s’e lidhte gjë, ishin mish i huaj për të.

Alizoti lexonte shumë letërsi artistike. Ndaj, me pasion të veçantë, u bënte reklamë librave, citonte fragmente, u evidentonte lexuesve vlerat e padukshme, duke ua bërë mjaft tërheqëse ato. Ndërkohë, nuk thoshte asnjë fjalë për librat politikë. Nuk i kërkohej t’u bënte reklamë. Shyqyr! Por ndërsa librat artistikë tërhiqeshin nga lexuesit, ata politikë, sa vente e shtoheshin në librari. Raftet ishin plot. Librat e rinj politikë, që po vinin më dendur se më parë, duhej të ekspozoheshin në pjesët më të dukshme të librarisë.

U hap një punë e madhe me transferimin e disa veprave, për t’i zëvendesuar me veprat e porsaardhura. Ishte dhe punë me përgjegjësi. Duhej të ulje Leninin poshtë në dollape, që t’i hapje vend Maos nëpër rafte. Kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte! Apo nuk ishte dhe me kandar të prishur, për të gjetur këto ekuilibra. Pa dilte dhe ndonjë pyetje nga ata, që në librari njihnin vetëm kapakët e librave.

– Leninin gjete të hiqje?!

– Jo, jo, nuk e hoqa, e ngushtova një çikë! – sqaronte me kujdes Zotia. – Gjysmat i mbajta lart, të tjerat i zbrita poshtë.

Pa lëre kur dolën veprat e Enverit! Për fat, ato të parat i ngritën njerëzit, s’i lanë të zinin pluhur në raftet e Zotes. S’mbeti shtëpi pa ekspozuar nga një vepër në raftin e bufesë.

 E paskeni marrë dhe ju? Bravo, ju lumtë, ne kemi marrë dhe…! Këto ishin bisedat e zakonshme.

Por le të kthehemi tek halli i Zotes. Si do t’ia bënte me zhvendosjen e vazhdueshme të veprave të klasikëve të marksizmit? Jo, siç kish nisur kjo punë, nuk i dilej mbanë!

– Po vras mënden, – po i thoshte një mikut në librari -, u meruam, mbetëm me libra në krahë, merova dhe djalin, apo s’janë dhe të rënda plumb.

Nuk dinte si ta zgjidhte këtë kontradiktë, që sa vente e rritej.

– Shkova tek Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë në Gjinokastër, e dëgjova mbas ca ditësh Zoten, t’i tregonte një shoku në librari. – Kam ardhur të trajtoj një shqetësim si librashitës – i thashë.

– Urdhëro, Alizot – më tha.

Dhe ia qava hallin tamam…

– More unë s’po kuptoj një gjë – i thashë. – Këto librat me karakter politik e ideologjik shteti i boton me një farë plani, apo kuturu? Ato botohen për të mbushur raftet e librarisë, apo për të mbushur kokat e njerëzve?

Përse e shtron kështu problemin? – e kish pyetur ai.

 -Nuk tërhiqen fare – i thashë – komunistët nuk lexojnë! Po vazhduam dhe ca kohë kështu, unë do vi të kërkoj ndihmë, për të nxjerrë librat nga libraria e t’i shpiem në depo. Se cilat do hiqen, vureni gishtin ju, se u s’jam i zoti për këtë punë.

-Të kuptova, falemnderit Alizot. Librat do të blihen! – i kish  thënë Sekretari, që, për mendimin e Zotes, e kish pritur shumë mirë.

– Kur marr vesh unë, – vazhdonte Zotia tregimin -, që më kish përmendur në një mbledhje të rëndësishme te Pleniumit dhe u kish hequr vërejtje gjithë komunistëve, që nuk lexojnë e sidomos sektorit të propagandës. Plasën në librari të gjithë! E bukura qe se, pasi blenin një libër me kapakë të kuq, dilnin xhiro me të në dorë, që t’i shikonin. U kënaqa, u ngosa [ngopa] të thom! Apo s’më shkojnë mu përpara xhamit të vetrinës. Më vinë ca, që s’kanë shkelur kurrë në librari, as për të blerë një gazetë, hynë të ndrojtur sikur futen në një botë tjetër. Nuk dinë se ç’të kërkojnë. Më vjen keq dhe i ndihmoj, se e di që nuk kanë faj. Po unë shpohem në hundë, po qe se lexojnë më shumë nga dhjetë faqe libër, e pastaj e lënë mbi oxhak, që të timoset. Më shumë qejf kam kapadainjtë. – s’pushonte se treguari Zotia -. Prëhem me ta. Rrinë përpara rafteve të librave politike të përqëndruar, jo sikur i shohin për herë të parë ato kapaqe libri, po sikur po shohin, se a ka ndonjë libër, që nuk e kanë studjuar. Më kërkoi veprën “ANTI DYRING”, të Engelsit njeri nga kjo kategori, por qe vazhdonte “Shkollën e Partisë”. Ia dhashë dhe pasi doli nga libraria, u thashë atyre që qenë brenda: Ta marrësh “ANTI DYRINGUN”, ta ziesh mirë në një enë me ujë të përvëluar, të marrësh dhe trutë e këtij e t’i ziesh në një enë tjetër, t’i bashkosh të dy lëngjet në një enë të tretë, t’i përziesh mirë e mirë dhe t’i lësh sa të ftohen, kur ç’të shohësh, lëngjet do ndahen nga njeri-tjetri si të prerë me thikë! Nuk e qasin njeri – tjetrin gjëkundi!

Më ka bënë përshtypje, kur ndonjëri, pasi ka blerë veprën e klasikëve, nuk ka dalë nga libraria. Ka pritur një moment, që unë të isha lirshëm dhe më është drejtuar: “Alizot, e mora unë, miru-pafshim”! Me sa duket, këta pandehin se unë shpie informacion në Komitetin e Partisë, se kush ka marrë vepra e kush jo. U ju rraftë pika, thom me vete! Ç’është e vërteta, unë u jam përgjigjur me seriozitet: “Po, po, e pashë!”, që të merrej vesh e të vinin dhe të tjerët, shokët e tyre.

S’kishte derman tjetër kjo punë! Mezi shpëtova! – e mbylli Zotia.

 

Fotografia e Hrushovit

 

Në librarinë e Alizotit binte në sy mënyra e reklamimit. I kushtonte vëmendje të veçantë vetrinave. Tabela e dyqanit, “LIBRARI – KARTOLERI”, kur ishte privat, dallonte në gjithë pazarin. Realizoi me një elektromotor të vogël një reklamë rrotulluese, e vetmja në Gjirokastër. Kalimtarëve u mbetej koka nga vitrina e Alizotit.

Më vonë, kur u detyrua të mbyllte aktivitetin privat, filloi punë si librashitës në shtet. Edhe aty dallohej, veç të tjerave, për shpirtin e reklamës. Krijoi diçka të veçantë. Përgatiti vetë në shtëpi ekspozimin e tri fotografive të mëdha brenda një kornize të vetme. E vendosi te vitrina e librarisë. Kur shikoje vetrinën përballë, brenda kornizës dukej fotografia e Enverit, kur e shikoje kornizën anash dukeshin dy fotografi të ndryshme: nga njëri krah dukej Stalini, nga krahu tjetër dukej Lenini. Me këtë foto të çuditshme, për atë kohë, bëri të mundur, që përsëri njerëzve t’u mbetej koka e kthyer nga libraria e Alizotit. Por njëkohësisht, me këtë poli – foto, ku kish bashkuar në një kornizë tre udhëheqësit e asaj kohe, Alizoti bënte një rrugë e dy punë. Nga një anë donte të tregonte se nuk ishte akoma “armik i sistemit”, nga ana tjetër, realizonte atë që kishte në gjak, reklamën. Njerëzit përsëri kthenin kokën për të parë katër burra, Enverin, Stalinin, Leninin dhe mënjanë Alizotin.

Kjo punë zgjati shumë vite. Për fotografitë që do vendoste në të majtë e në të djathtë të Enverit, Zotia konsultohej me ata të Komitetit të Partisë, në mënyrë që Enveri të ndihej sa më rehat në kornizë. Po të rrinte rehat Enveri, mund të rrinte i pashqetësuar dhe Zotia. Më vonë, sipas porosive, u hoq Stalini e u vendos Hrushovi në kornizë.

Në vitet ‘60 filloi e çara midis Enverit e Hrushovit. Zotia dëgjonte radiot e huaja në shtëpi. Dëgjonte “Zërin e Amerikës”, radiot italiane dhe merrte informacione për ato që ndodhnin në botë, e sidomos për ato që kishin lidhje me Shqipërinë. Sapo e ndjeu erën e “leckës së djegur”, shprehje që e përdorte Alizoti në këto raste, hoqi nga vitrina kornizën me tre udhëheqësit dhe e futi brenda nën banak, në librari.

Erdhi në librari një nga miqtë e Zotes, Cike Borova. Me Ciken Zotia ndihej mirë, bënte muhabet pa teklif, ndonëse ai ishte ushtarak. Nuk ruhej nga Cikia. I bëri përshtypje Cikes mungesa e kornizës me fotot e udhëheqësve në vitrinë.

– Pse e ke hequr nga vitrina kornizën me fotografitë e udhëheqësve? – pyeti Alizotin.

– Më është çjerrë një çikë fotografia e Hrushovit!, – ju përgjigj Alizoti -, dhe e hoqa se binte keq në sy, sa të gjejmë ndonjë fotografi tjetër.

-Mirë bëre, – i tha Cikia -, po shikoje dhe një herë, se nuk të është çjerrë një çikë, të është çjerrë shumë. Mos kërko një herë për një herë fotografi tjetër.

U kuptuan!

Ato që Zotia i kish dëgjuar nga radiot perëndimore, Cikia i kish marrë vesh nga informimi, që u bëhej fillimisht veçmas, komunistëve e ushtarakëve.

 

Marksi shenjtor

 

Libraria ishte tek Sheshi i Çerçizit. Nuk ishte ndërtuar Hotel Turizmi në Gjirokastër. U fut në librari një plakë shumë e moshuar. Nga veshja dallonte se ishte nga Dropulli. Po shikonte me vëmendje nëpër rafte. Librashitësi po e shikonte i çuditur. Nga insistimi i saj u kuptua se nuk kish ngatërruar rrugën, se ndryshe do të kish dalë menjëherë nga libraria, siç ndodhte shpesh kur e ngatërronin me dyqanin e djathit. Diçka po kërkonte.

Ju afrua Zotia dhe e pyeti greqisht:

– Çfarë dëshironi?

– Dua diçka për ta varur tek muri. – ju përgjigj plaka.

– Kam një shenjtor, – i tha me zë të ulët Alizoti -, e do?

Plakës i ndriti fytyra.

– Afrohu këndej. – i tha Zotia dhe e çoi në fund të librarisë, nga ku dukej pjesa mbrapa ndarjes, që ishte si magazinë. Zotia mori një fotografi të madhe me ngjyra të Karl Marksit dhe ia ekspozoi në dritë plakës.

– Është shenjtor! – i tha.- Të pëlqen?

Plaka bëri menjëherë kryqin dhe u fal para Marksit, sikur po merrte teseren e partisë komuniste. Zotia i shërbeu me solemnitet në këtë mikro ceremoni fetare. Si u çlirua plaka, Zotia ia bëri rulon dhe e porositi se mos e zhubroste rrugës “Shenjtorin”. Plaka e pa me inat shitësin, që guxoi ta këshillonte, se si duhej të mbante “Shenjtorin”. Bëri dhe njëherë kryqin dhe e mori me kujdes të veçantë. E ndërsa mori të largohej, shitësi e porositi:

– Se mos harrosh t’i ndezësh qirinj!

– Sapo të vete në shtëpi, biro, do t’ia lë ndezur dit’e natë!

– Alizot, mos të ta marrin për keq “këta”? – e pyeti me merak një shok, që u ndodh në librari.

– Nuk e besoj,- ju përgjigj Zotia-, s’kanë se përse. Unë për “Shenjtor” e dhashë. Le të venë ta shohin, po nuk qe me qirinj të ndezur. Plaka nuk më turpëron mua. Ajo e bëri kryqin tre herë në librari, pa le se ç’do t’i bëjë në shtëpi. Pastaj, a nuk falen dhe “këta” para Marksit?

 

 

FUKARALLËKU

 

Fukarallëku

 

Janë pa kuptim sot shumë biseda, që bëheshin me shqetësim në atë kohë. Ishin biseda të fukarallekut.

Në periudhë dimri, Gjirokastra ishte e ftohtë, me shumë lagështi dhe me ngrica. Binte shumë shi aty. Aq shumë sa thuhej se Gjirokastra për shira zinte vendin e parë në Shqipëri. Binin mbi 2000 mm në vit. Nxihej nga retë midis maleve gjithë lugina e Drinos. Ndënë retë e rënda shtëpitë e vjetra, me çatitë me rrasa guri, mbi mure guri, ndane kalldrëmeve të gurta. Strehët e çative kullonin në rrëzë të mureve, e shpesh edhe brenda tyre, në tavanet e odave. Sikur të mos mjaftonte gjithë kjo lagështi, edhe borë binte shumë herë gjatë dimrit. Kur vazhdonin temperatura të ulëta, dëbora e rënë ngrinte. Ngrica në rrugët shumë të pjerrëta të Gjirokastrës bëhej mjaft shqetësuese dhe e rrezikshme për banorët.

Libraria ishte shumë e ftohtë. Nuk lejohej asnjë lloj ngrohje, nga ato që kish ajo kohë, as sobë me dru, as mangall me qymyr. Paraqesnin rrezikshmëri zjarri. Ndërkohë dera e librarisë qëndronte gjithmonë e hapur. Zotia rrinte i mbledhur në qoshen e librarisë, me këpucët e lagura. Fuste brënda këpucëve mantana, karton i prerë në formën e këmbës. Kartoni thithte shumicën e lagështisë. Kur vinte në shtëpi nxirreshin mantanat, thaheshin pranë zjarrit dhe rivendoseshin në këpucët e lagura. Këpucë kishim sejcili vetëm nga një palë, si të gjithë.

Hynin në librari njerëzit dhe i qanin hallin Alizotit për të ftohtit. E megjithatë gjenin ngushëllim duke bërë krahasim  me vende pune më të vështira, si shitësat e turshive, apo të djathit, që fusnin gjithë ditën duart në fuçi me shëllirë, kur temperaturat shkonin deri minus dhjetë – pesëmbëdhjetë gradë.

Dhe në këtë atmosferë shumë të ftohtë, kur hynin njerëz të lagur, duke u dridhur, Zotia hapte muhabet, që t’i ngrohte:

– E di unë se ç’do kjo qerata kohë!

– Hë, mo Alizot! – e pyesnin.

– Do, që të kesh përpara një tepsi me mumuligë të përvëluar, me pak shëllirë përsipër… – vazhdonte Zotia.

– Edhe me nja di pika vaj ulliri, – shtonte ndonjë nga të pranishmit, që uria e përgjithshme dhe të ftohtit e thërrisnin të merrte pjesë në përgatitjen e kësaj sofre imagjinare.

Ata dukej sikur po ngroheshin nga ideja se erdhi çasti të hanin mumuligën e përvëluar dhe të mbeteshin me gojën hapur, deri sa t’u ftohej ajo në gojë, para se ta kishin kullufitur…!

– Pa le, sikur të kesh e ta shoqërosh edhe me një koqe qepë djegëse, që hem ta hash e hem ta qash me lot atë të shkretë mumuligë! – e përfundonte propozimin” e tij Alizoti. Propozim i mirëpritur nga ata, që patën fatin të ndodhen në këtë gosti të rastit, ku nuk mungoi asnjë gjë, gjer te qepa djegëse dhe të qeshurat për ëndrrën e ngrohtë me sy hapur.

 

Kungulli

 

Kungulli ishte bërë aleati ynë. Ishte i lirë dhe shtyheshin vaktet me të. Sidomos kungulli dimëror. Me formën si  dardhë të ndihmonte për ta çuar nga pazari në shtëpi. Nuk të rrëshqiste nga dora. Kungujt dimërorë i shikoje të varur në skarat prej hekuri të dritareve në shtëpitë e Gjirokastrës, në vend të vazove me lule.

Rastisi, që, duke çuar kunguj dimërorë në shtëpi, na kishin vënë re gratë e mëhallës. Tek sofati mbi rrugë, ndënë shtëpinë e Tusheve, shpesh dilnin gratë pasi kishin terezitur punët e shtëpisë. Merrnin me vete ndonjë punë dore dhe llafoseshin me njëra – tjetrën. Pozicioni i sofatit ishte i përshtatshëm për sehir. Dukej rruga që nga sheshi i Xhamisë së Palortosë deri tek sheshi i Zamos. Rruga është shumë e pjerrët dhe kalimtarët zbrisnin me terezi dhe ngjiteshin ngadalë. Pra, kishte kohë të bollshme, që gratë të shikonin dhe të analizonin kalimtarin.

Si Zotia dhe ne fëmijët, i përshëndesnim gjithmonë këto gra të mira e të qeshura të lagjes tonë.

Jemi gjitonë të gjithë jetës, – na thoshte Zotia. Familjet tona kishin njohje të herëshme, kishin dashuri dhe respekt reciprok, kishin besim të plote tek njëra – tjetra. “Gjiton i gjithë jetës” ishte si një titull fisnikërie. Nuk quhej kushdo. Nuk mjaftonte thjesht afërsia e shtëpive. Gjitoni i gjithë jetës ishte provuar në halle të mëdha…  Tek shtëpia e xha Sitkiut, Sitki Tushes – gjitonit tonë, siç na tregonte Aneja – gjyshja, fshihej Mufiti, – vëllai i Zotes, i cili ndiqej nga regjimet e kohës.

Një ditë po ngjisnim me Zoten kalldrëmin e pjerrët të Palortosë. Ecnim kokëulur, të detyruar dhe nga pesha e kungujve dimërorë, që po çonim në shtëpi. Kur u afruam ndënë sofatin e Tusheve dëgjuam zëra. Ngritëm kokën e pamë gjitonet tona që po qeshnin. Njëra prej tyre, Vikua, pyeti tërë qesëndi:

– Zote, keni tërë këto ditë që shpini kunguj dimërorë në shtëpi. Ç’do t’i bëni, apo vini zahirenë e dimrit!

Zotia ndaloi, si për t’u çlodhur, para se të jepte përgjigje, që të mos i mbahej fryma nga e përpjeta.

– Aaah moj Viko, – psherëtiu Zotia -, më detyrove, po Juve do t’ua thom, se ju kam si motra! Mbase dhe s’e dini, po ne kungullin dimëror e përdorim për shumë qëllime, ndaj i marrim me shumicë.

– Uaa, po për ç’qëllime, mo Zote ziu. Veç birekut e qahive, ç’mund ta bësh kungull mavrinë?! – u bënë kurioze gratë, që ishin nikoqire të mira dhe e dinin se me kungull vetëm gënjehej fukarallëku, reshteshin fëmijët.

– Ne, – i tha Zotia – kungullin dimëror e ndajmë në dy pjesë. Ndajmë qafën e kungullit nga fundi i tij. Qafën e ngushtë të kungullit e përdorim si juve, për birek ose qahi. Ndërsa me pjesën e gjerë kemi punë… I marim zëmrën pa e prerë lëkurën. Fundin e kungullit bosh e thajmë në diell.

– Po ç’e bëni fundin e kungullit me zëmër të hequr? – nxituan gratë e lagjes të marrin vesh ndonjë gatim që s’e dinin, se deri atëherë ju kishin shkuar dëm celfat e kungullit.

– Pasi thahet, ne, fundin e kungullit, e përdorim për oturak, kur ngrihemi natën, që mos thyejmë ndonjë këmbë a ndonjë dorë, gjersa të gjejmë qenefin (banjën) në fund të shtëpisë.

Gratë ia plasën gazit dhe u ngritën e ikën nga sofati, ku qenë ulur, duke thirrur:

– Të rraftë pika, more Zote, me gjith kungull e me gjith marifetet e tua!

 

Buti me djathë

 

Dhe “faleshin” njerëzit në dyqanet e bulmetit, apo ato të ushqimores, pothuajse çdo ditë. Mbanin radhë të gjata, derisa të arrinin të blenin racionin e planifikuar. Djathin e blinte vete Zotia, ngaqë ja zgjidhte Sadik Koçi, shitësi i bulmetit. Kur qëllonte që të kishte shumë njerëz në radhë, nuk qëndronte të humbiste kohë. Hynte brënda në dyqanin e bulmetit, përshëndetej me Sadikun dhe i thoshte me “seriozitet”:

– Ki kujdes, rrotulloma një çikë atë butin tim ( fuçinë) të djathit, se mos më vejë kripa në fund!

– Mos ki merak, se sot e kam rrotulluar! – i përgjigjej Sadiku.

Largohej Zotia i qetë. Njerëzit bëheshin kuriozë. Ata që s’e njihnin e pyesnin.

– Ç’është ky but?!

– Unë djathin e marr një herë në vit, – sqaronte Zotia -, e marr me bute, por ja lë Sadikut, se nuk i bëjmë dot hyzmet në shtëpi dhe vimë e marrim pak nga pak.

Shumë njerëz qeshnin. Kish nga ata që habiteshin. Kish dhe ndonjë që e quante padrejtësi, që nuk i falej Alizotit. Me të gjithë kënaqej dhe i kënaqte Alizoti.

 

 

Libri i përshtypjeve

 

I shërbyen shumë keq në restorant! Ishte duke udhëtuar me autobuzin e linjës Tiranë – Gjirokastër. Restorantet ishin shtetërore. Pasagjerët e autobuzëve të linjave interurbane ishin klientë kalimtarë dhe nuk u kushtohej vëmendje, po të mos kishe ndonjë të njohur në stafin e restorantit.

Ashtu i mërzitur dhe i nevrikosur, u ngrit, shkoi te banaku dhe kërkoi “Librin e Përshtypjeve”, që ishte një fletore, të cilën shteti e linte në këto lokale, në mënyrë që populli të bënte vërejtje, apo ankesa për personelin.

Ia dha librin e përshtypjeve banakjeri. Alizoti shkoi në tavolinë dhe shpejt e shpejt shkruajti ç’kishte në mendje, ashtu i nevrikosur siç ishte. Ndërkohë tek banaku mbërriti edhe përgjegjësi i lokalit dhe po e shikonin me inat Zoten, që nuk e njihnin se sa të hidhur e kishte penën kur revoltohej. Mbaroi se shkruari dhe thirri kamerjerin, i cili erdhi, e rrëmbeu librin e përshtypjeve dhe e çoi tek banaku. Përgjegjësi e hapi me nxitim, e lexoi dhe, e dërgoi vrap kamerjerin në tavolinë.

– Ç’dëshironi nga përgjegjësi i lokalit – i tha kamerjeri gjithë përzëmërsi, e ndërsa Zotia po hezitonte, kamerjeri vazhdoi:

– Do porositësh se s’bën, se i mbetet qejfi përgjegjësit, s’e pandehëm, po qënkeni burra të mirë. Jua bëftë Zoti hallall…!

Shokët e Zotes në tavolinë s’po kuptonin ç’kish ndodhur. Ata e morën vesh nga Zotia, që i kishte telendisur tek libri i përshtypjeve dhe po rrinin gojëhapur para respektit të papritur, të ardhur nga personeli i lokalit.

Duke ngrënë ëmbëlsirë, ata u njohën me tekstin, që kish shkruar Zotia:

Jemi të mrekulluar nga shërbimi i shkëlqyer i personelit të këtij restoranti. Shprehim vlerësimet tona më të larta. Ju lumtë”!

 

Restoranti pa ujë

– Kamarjer të lutem një gotë ujë! – ju drejtua Zotia në restorant. Uji merrej direkt në çezmë. Nuk kishin dalë ujërat e paketuara, bile në atë kohë dukej marrëzi, po të thoshe se do të vijë uji me bidona. Kamerjeri nuk po arrinte t’u shërbente dot gjithë klientëve, që u futën njëherazi nga autobuzi në restorant dhe po vononte të plotësonte kërkesat për ujë të tyre.

Po mbaronin së ngrëni dhe gotat me ujë nuk u sollën në tavolinë.

E thirri përsëri Zotia kamerjerin. Ai erdhi se do të merrte lekët. Zotia ju drejtua me pamje dashamirëse dhe i bëri një pyetje?

– Kamarjer, të lutem, a ke dieni ti…?

Për çfarë? – i tha kamerjeri gjithë kuriozitet.

– Ku varrosen në qytetin tuaj, ata që mbyten për një pikë ujë në restorant?

 

Të mbyll një vrimë

 

Ishte shumë i uritur kur u futën në restorantin, tek i cili ndaloi autobuzi Gjirokastër – Tiranë, në kohën e drekës. Nuk ishte bërë akoma rruga nga Ballshi. Kalohej nga Tepelena nën Salari, në Sevaster, në Kotë, Babicë e në Vlorë, nëpër një rrugë malore, të ndërtuar nga ushtria italiane në vitet 1916 – 1918, e paasfaltuar, tërë pluhur, që zgjaste rreth gjashtë orë. Sikur të mos mjaftonte kjo, shoferi nuk i qëndroi në Vlorë, por i ndaloi për të ngrënë drekë në Fier. U ulën, porositën, s’kishte kohë për t’u menduar. Koha e qëndrimit të autobuzit ishte e kufizuar.

Erdhi kamerjeri me stivën me pjata në dy duart, dhe plotësoi dy tavolina njëherësh. Sekush uli kokën mbi pjatën e vet.

Zotia u ndje shumë i zhgënjyer nga ajo që po shihte në pjatën e tij. Iu kujtua ajo shprehja: “Sa një gocile (glasë) pule”. Mbas gjithë asaj lodhjeje dhe urie, ja dhe një fat i keq në restorant. Ishte vërtet punë fati, se nuk gjeje dot as të drejtën, s’kishe ku ankoheshe, plus që nuk kishe as kohë për ankesë. Pa instiktivisht orën. Autobuzi do nisej për Tiranë mbas gjysmë ore. Ta hante apo të mos e hante?! Edhe po ta hante, nuk do të ndryshonte asgjë. Vendosi! I dha vetes një pamje të qetë dhe thirri:

– Kamarjer, të lutem, ka mundësi? – Kamerjeri sapo kish shërbyer në tavolinën tjetër.

– Urdhëroni! – tha në moment kamerjeri dhe u kthye nga klienti që e thirri. U ngrys i tëri, sapo pa pjatën e pa filluar prej tij, ku binte menjëherë në sy, se nuk kish as gjysmë racioni. Qëndroi mbi tavolinë gjithë inat dhe po bëhej gati për t’u përballur.

– Do të të lutesha shumë të më japësh një ndihmë të vogël! – iu drejtua Zotia mjaft i qetë dhe me zë lutës.

– Si urdhëron, si mund t’ju ndihmoj? – e pyeti i gatshëm kamerieri, që u çlirua nga tensioni. Ishte ngrysur kot! Klienti as e kish në mend të ankohej. Dukej mjaft i sjellshëm.

– Unë do ta mbaj kokën kështu, – i tha Zotia dhe e uli kokën, duke e rrotulluar pak atë mbi tavolinë, për ta nxjerrë veshin lart, në pozicion horizontal – dhe ti të ma hedhësh gjellën, me një lugë kafeje, në vrimë të veshit. Do më bësh një nder të madh, se kështu, të paktën, e di që e zë një vrimë! Hë, mos përto, se s’kemi as kohë!

Kamerjeri nuk e mbajti dot gazin, rrëmbeu pjatën dhe shkoi drejt e tek sporteli i kuzhinës. Mbas pak u kthye me pjatën plot, kurse në sportel u shfaq koka e kuzhinjerit, që qeshte me të madhe dhe ndiqte me sy kamerjerin se kujt do t’ia çonte pjatën e mbushur dingas.

Please follow and like us: