Albspirit

Media/News/Publishing

Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (16)

Dokumenta origjinale

 

MILICIA FASHISTE SHQIPTARE

KOMANDA

(Teksti i përkthyer i Komunikatës së Milicisë Fashiste).

Tiranë, më 01 Prill 1942

Zyra   Politike

Nr. i Protokollit 359 / B / 6 … Dokumente të bashkëlidhura: A – A

Në përgjigje të fletës Nr. …

Lënda:     Propagandë armiqësore.

Drejtuar:

MËKËMBËSISË MBRETËRORE TË MADHËRISË SË TIJ MBRETIT PERANDOR NË SHQIPËRI, TIRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TIRANË

Po shkruaj sa është komunikuar nga Komanda e Gjykatës VIII të Gjirokastrës:

“ “ “ “ “ Në datën 18 të muajit në vazhdim, në lokalitetin Mashkullorë (shtatë kilometra larg nga Kryeqendra), u mblodhën të gjitha Autoritetet civile, politike, si edhe ushtarake të kësaj Qendre, si edhe një përfaqësi e popullit dhe e studentëve, për të përkujtuar patriotin “Çerçis Topulli”.

Në Mashkullorë, Federali mëkëmbës, Dr. Çuçi, foli përpara personave të pranishëm, duke përkujtuar aktivitetin e patriotit, ndërsa Prefekti foli në Gjirokastër, përpara varrit të vëllait të Topullit, duke i nxitur të pranishmit që të vepronin me rregull dhe me disiplinë për interesin e lartë të Atdheut.

Në datën 18 dita u mbyll pa incidente të ndonjë lloji.

Por, ditën e nesërme, kryetari i fshatit të Mashkullorës kallëzoi përpara armës së Rojeve Mbretërore se mbi një pemë që nuk ndodhej larg nga zona e banuar e fshatit të tij ishte gjetur një flamur shqiptar – i llojit të vjetër, ku shkruhej: “sot në zemrat tona, nesër mbi malet tona””dhe pranë së njëjtës pemë u gjetën nja njëqind trakte armiqësore.

Arma e Rojeve Mbretërore, me anën e hetimeve të kujdesshme, mundi të përcaktonte se flamuri i përmendur më sipër, u vendos në Mashkullorë, që nga ora gjashtë e mëngjesit e datës 18 të muajit në vazhdim, nga njëfarë Muhedin JAHO, tipograf, nga Gjirokastra, i cili mbasi u arrestua, rrëfeu se bashkëpunëtorë në këtë ngjarje ishin edhe personat e mëposhtëm:

REZURI XHENETI –

ALIZOTI EMINI –

MUHEDIN ÇANO –

PERTEF XHIKU –

Traktet armiqësore jane dërguar nga Tirana me anën e disa pakove që përmbanin libra – të cilat i drejtoheshin Alizotit – me sa duket me zarf të Ministrisë së Brendshme. Nëpunësit e postës ia dorëzonin pakot drejtpërdrejt personit të sipërpërmendur, pa i kaluar ato më parë në Zyrën e Çensurës. Dy të tjerët ishin shpërndarësit.

./././../././.

Flamuri – i sekuestruar – ishte qepur dhe qëndisur nga tri studente nga Gjirokastra, ndër të cilat Nurje Çiço, e quajtur “e apasionuara”, e cila dje u përjashtua nga shkollat për gjithë këtë vit në vazhdim.

Të akuzuarit e përmendur më sipër u dërguan sot në Tiranë, mbasi janë kallëzuar pranë Gjykatës së Posaçme.

Në shenjë proteste kundër përjashtimit nga shkollat të studentes Nurje Çiço, dje të gjithë nxënësit e lokalit të gjimnazit – liceut, bënë grevë. Ndërsa sot u paraqitën të gjithë në shkollë, me rregull, duke i filluar përsëri mësimet.

Bëhet e ditur se në datën 18 disa studentë të cilët bënin pjesë në përfaqësinë që u mblodh në Mashkullorë, shkuan në lokalitetin ku ishte vendosur flamuri dhe i panë edhe traktet armiqësore. Një student u ndalua me njërin prej tyre në xhep.

Popullsia është e qetë dhe njerëzit e arsyeshëm nuk dinë se si ta shpjegojnë lidhjen ndërmjet flamurit të vjetër shqiptar dhe trakteve armiqësore.” ““““

TOGERI I PËRGJITHSHËM KOMANDANT

(Alessandro Biscaccianti )

[ Nënshkrimi ]

 

SHOQËRIA E ALIZOTIT

 

Për natyrën e veçantë të tij, si dhe për natyrën e punës që bënte, Alizoti kishte një rreth të madh shoqëror. Ai ishte gjithmonë në kontakt me njerëz të moshave, të shtresave, të nivelit arsimor e kulturor të ndryshëm. Prandaj quhej «njeri i pazarit».

Ai krijonte shumë shoqëri, sipas kategorive të ndryshme shoqërore, dhe mundohej t’i përshtatej psikologjisë e mentalitetit të seicilës kategori:

Shoqëria kryesore ishte ajo me njerëzit e librave, me krijuesit dhe me lexuesit e pasionuar. Në këtë shoqëri ai e ndjente veten në “fushën” e tij të preferuar. Diskutonte me pasion e shkëmbente argumente me bashkëbiseduesit për letërsinë në përgjithësi, si dhe për libra të mirë, në veçanti. Në këtë shoqëri bënin pjesë intelektualët e të gjithë fushave në Gjirokastër, si dhe intelektuale të fushave të ndryshme të letërsisë, artit e kulturës, që vinin kryesisht nga Tirana. Jo më kot libraria e Alizotit është quajtur “qendër kulturore” në Gjirokastër. Ishte kthyer në Institucion!

Shoqëria tjetër ishte ajo e humorit dhe e batutave, që përbëhej, jo vetëm nga lexues të librit, por edhe nga njerëz të thjeshtë, që e donin humorin dhe hiqnin stresin e jetës nëpërmjet tij. Në këtë shoqëri bënin pjesë sidomos njerzit me të cilët Alizoti komunikonte për ditë, të cilët punonin pranë librarisë, si berberët, fotografët, apo të tjerë, që iu pëlqente të shkëmbenin batuta humori. Me këtë kategori batutat ishin të përditëshme “hidh e prit”.

Shoqëri më e kufizuar ishte ajo e klubeve, e kafes apo rakisë, si dhe e lojrave të tavolinës, si shah, tavllë apo domino. Në shoqërinë e klubeve bënin pjesë edhe shoferët e autobuzeve që vinin nga Tirana e, duke pirë nga një gotë raki, kënaqeshin e çlodheshin me humorin e Zotes. Shoqëria e kafeve, e lojrave të tavolinës u shtua në periudhën e pensionit, duke krijuar “filialet” e saj edhe në Përmet e Fier.

Do të bënim gabim po të mundoheshim të evidentonim me emra të përveçëm shokët e Alizotit, pasi ata janë aq të shumtë! Një pjesë prej tyre kanë në këtë libër shkrimet e tyre për Zoten, kurse disa të tjerë janë përmendur në libër si personazhe, në episode të ndryshme.

Nuk mund të lemë pa përmendur disa prej shokëve të afërt që, për motive pune, kanë qenë me banim të përkohëshëm në Gjirokastër, si Mimi Zhapa, Cike Borova, Feti Gjilani, Kleanth Koçi, Myftar Tare, etj, të cilët e vlerësonin dhe e respektonin Alizotin, pa u ndikuar aspak nga “ biografia” e tij.

Alizoti kishte shoqëri të panumërt, por miqësi të kufizuar! Ai miqtë i zgjidhte mirë e i provonte në vështirësi. Dhe, për fat të keq, nuk ka kaluar pak vështirësi në jete. Nuk ka thënë kurrë se është zhgënjyer nga miqtë, apo të ketë zhgënjyer ndonjëherë ndonjerin prej tyre.

Nga rrethi familjar veçojmë Skënder Zhulin, djalin e tezes, me të cilin kanë qenë si vëllezër.

Nga miqtë më të hershëm të Alizotit kujtojmë Rako Brahon nga Erindi, me të cilin ishin rritur bashkë. Miqësia me familjen Braho ka vazhduar për sa kohë kanë jetuar prindërit dhe vazhdon edhe sot nga pasardhësit e të dy familjeve.

Në periudhën 1936-1938, kur ka punuar si telegrafist në Kuçovë e Tiranë, forcoi miqësinë me vellezërit Mehmet e Osman Kallfa, që i kishte nga lagjia në Gjirokastër, me Fadil Muçon nga Gjirokastra e me Magrip Mehmetin nga Navarica e Sarandës. Kjo miqësi vazhdoi gjithë jetën, sa ishte Zotia gjallë.

Para çlirimit në Gjirokastër kishte miqësi të herëshme me Iljaz Babameton, Emin Shtinon, Ferik Shtinon, Reshat Tartalen, Harun Tushen, e të tjerë, të cilëve ju kërkojmë ndjesë që nuk i kemi përmendur.

Në vitin 1946 Alizoti sëmuret rëndë, pasi i u krijua abses në mushkri. Kirurgu i famshëm Vasil Laboviti, (Doktor Vasili i Madh), i bëri një operacion shumë të vështirë për kushtet e kohës, mbasi u desh të hiqeshin dy brinjë që të pastrohej mushkria. Mbas një trajtimi mjekësor për një kohë të gjatë në spital, në sajë të kujdesit të veçantë të Doktor Vasilit, arrin t’i shpëtoje vdekjes. Pra, Doktor Vasili i shpëtoi jetën dhe Zotia e bëri mik “për kokë”, miqësi që e vazhduan deri në fund të jetës.

Në periudhën e vështirë të burgut Zotia kujtonte me respekt të veçantë Veliko Malilen, Et’hem Alikon e Sabri Dervenin, me të cilët ka ndarë edhe kafshatën e bukës.

 

NJERËZIT E MIRË, NË DITË TË VËSHTIRA

 

Janë kujtuar me mirënjohje të veçantë në familjen e Alizotit ata njerëz të thjeshtë e të mirë, që pavarësisht nga pasojat që mund të kishin, kanë sfiduar kohën dhe i janë gjendur asaj familjeje në ditë shumë të vështira. Është vendi të kujtojmë e të shprehim mirënjohje të thellë për këta njerëz e këto familje edhe ne, pasardhësit e Alizotit.

* * *

Mufiti, vëllai i Alizotit, për qëndrimet e tij të hapura kundër okupatorit, vëzhgohej nga spiunë të milicisë fashiste, duke i bërë herë pas here edhe kontrolle në shtëpi. Gjitonët tanë të jetës, familja Sitki Tushe, që për shkak të pozicionit të shtëpisë së tyre, e dëgjonin më parë se të tjerët zhurmën e këmbëve të milicëve, që vinin në rrugën e lagjes, jepnin alarmin: Gruaja e Sitkiut vinte te qilari përballë shtëpisë sonë dhe bënte zhurmë me një tepsi, që e lëshonte në dyshemenë me pllaka guri të qilarit, ose përplaste fort një kapak të gurit të kafesë duke thirrur: “lejmon„! Ky ishte “sinjali”, dhe Mufiti dilte nga shtëpia me rrobat e trupit, kapërcente muret e kopshtit dhe futej në shtëpinë e xha Sitkiut, ku e fshihnin në një vend të sigurtë.

Kur mbrinin milicët në shtëpinë tonë, nuk arritën ta gjenin asnjëherë aty.

* * *

Është kujtuar vazhdimisht gjesti i familjes së Et’hem Alikos nga Lazarati.

Kur e futën në burg Alizotin, pas bastisjes së shtëpisë së tij, nëna e Et’hemit ka sjellë ushqime nga Lazarati me mushka dhe i ka shkarkuar tek thoropulla (deriçka), në rrugën mbi shtëpinë tonë në Palorto. Ju gjend Et’hemi Zotes si mik në kohë të keqe, në vështirësi, në rrezik. Kjo nuk ishte thjesht një gjest human, një mundim apo një shpenzim. Edhe sikur të ishte vetëm kaq, ne përsëri do t’u ishim shumë mirënjohës. Por jo! Ishte shumë më tepër se aq. Ishte një revoltë e vërtetë, ishte një kundërvënie thuajse e çmendur, që ju bë ballazi, me vendosmëri, me trimëri dhe vetmohim atij pushteti, në momentin kur egërsia e tij ishte sa mizore, aq edhe e verbër. Atë që bënë ata, lazaratasit, ne nuk e bënim dot! Miqesinë me Et’hemin Zotia e vazhdoi gjithë jetën. Et’hemi kishte bërë akademi ushtarake në Itali, por janë njohur në kushte të vështira: kanë qenë bashkë në burg.

* * *

Me shumë mirënjohje është kujtuar veprimi i familjes së Lela Dobit, në lagjen Palorto. Drita Dobi (Tushe), vajza e Lelasë, e mban mend mirë dhe e kujton me shumë emocion atë periudhë, pavarësisht se ka qenë në moshë rreth 15 vjeç. Edhe tani më dridhet trupi, tha ajo, kur na tregonte: “Kur u burgos Zotia dhe u sekuestrua gjithçka, deri tek paisjet shtëpiake e sendet personale, u sekuestrua edhe paja e përgatitur për martesë, si dhe makina qepëse e Muzejenit. Muzejeni kërkoi me këmbëngulje që t’i ktheheshin gjërat e saj, ose së paku makina, që s’kishte pse të sekuestrohej, pasi ishte pronë e saj dhe jo e Zotes. Me makinën qepëse do të kishte mundësi të punonte për të mbajtur familjen me bukë, por kërkesa e saj nuk u muarr parasysh për rreth 7 muaj”.

Atëherë i ka “hedhur krahun” me dhemshuri teto Lelaja. E pranuan në shtëpinë e tyre, ku kishte shoqe vajzën e asaj shtëpie, Dritën, dhe e lanë të punonte me makinën e tyre qepëse, deri sa pushtetarët, ua kthyen më në fund makinën qepëse të sekuestruar padrejtësisht. Muzejeni ditën punonte në shtëpinë e saj, duke bërë prerjet e së bashku me Feten edhe qepjet me dorë të porosive të klienteve, të cilët vinin fshehtas, dhe në darkë, kur errej, e veshur si plakë me kokën të mbuluar më shifonin e zi, për të mos e parë njeri, shkonte tek shtëpia e Lelasë, për të bërë qepjet në makinë.

Muzejeni kujtonte gjithmonë me shumë mirënjohje atë familje bujare, që i hapi portën në ditën e keqe.

Kujtonte gjithashtu gjitonen e tyre, Xhikon, nënën e Izet Matos, që i çonte mangall tek këmbët, që i ngrinin nga të ftohtit, pranë makinës qepëse…

* * *

Është kujtuar me dashuri Fazua (Fazileti), vajza e Selfo Kallfës.

Shtëpia e xha Selfos ishte mbi shtëpinë tonë. Fazua ishte moshatare me Muzejenin. Ju sillte ushqime fshehurazi dhe, sa herë vinin kafshët e tyre nga fusha, të ngarkuara me prodhimet bujqësore, këpuste kallinjtë e misrit dhe i hidhte në kopshtin tonë. Muzejeni na ka treguar se Shpëtimi, i vogël, dy vjeç, ishte mësuar që do t’i jepnin për të ngrëne tek shtëpia e xha Selfos, dhe i thoshte: “Faxho, dua buti!”(Fazo, dua bukë!)

* * *

Kur doli nga burgu Zotia dhe e pushuan nga puna si shitës në dyqan me komision, (për shkurtim kuadri), kishte vetëm dy rrugë: – ose të punonte puntor krahu, ku mund të gjendeshin punë të rënda, – ose të hapte aktivitet privat, që në atë kohe lejohej.

Të dy variantet ishin pothuaj të pamundura për Zoten:

– Punëtor krahu nuk punonte dot për arsye shëndetësore.

– Aktivitet privat nuk hapte dot, se nuk kishte asnjë kapital dhe nuk kishte asgjë që mund ta shiste.

Por familja duhej mbajtur me bukë me çdo kusht. Motra mbajti familjen me bukë, kur ai ishte në burg, por kjo nuk mund të vazhdonte akoma. Ajo duhet të krijonte familjen e saj!

Shkoi në Tiranë e i qau hallin Hasan Totos, i cili kishte një dyqan privat kinkalerie. Hasani, ky gjirokastrit sojlli, që kishte respekt e besim te Alizoti, e mbështeti me bujari për të hapur aktivitet privat në Gjirokastër. Kështu Zotia hapi një kinkalieri të vogël private, furnizimin me mall e merrte në Tiranë nga Hasani pa pagesë, dhe mbasi shitej malli, i kthente paratë. Kjo ishte një zgjidhje e artë për atë kohë dhe Zotia, që nuk i mungonte shpirti i tregëtisë, e zhvilloi aktivitetin duke e bërë librari-kartoleri-kinkaleri.

Zotia i ka qenë mirënjohës gjithë jetën Hasan Totos për ndihmën bujare, që i dha në një kohë të vështirë për familjen.

* **

Në periudhën e vështirë ekonomike për familjen e Alizotit, kur paga që merrte ai në punën si librashitës ishte aq minimale, sa nuk mjaftonte as për plotësimin e nevojave më elementare të familjes prej 7 frymësh, ju gjendën njerëzit e mirë, të cilët e kanë ndihmuar.

Kristaq Qurku e Hajri Aliu, këta gjirokastritë sojlli, kanë krijuar mundësi për të marrë në punë në rrobaqepsi bashkëshorten e Zotes, Feten. Gjithashtu, duke pasur para-sysh arsyet e saj shndetësore, i kanë dhënë asaj pune dorë në mënyrë që të kishte mundësi të realizonte normën, duke i evituar punën në makinë qepëse, e cila i krijonte probleme me këmbën e sëmurë me tromboflebit.

Po ashtu, i kanë krijuar mundësinë Alizotit të prodhojë në shtëpi kuti kartoni, që shërbenin për eksportin e konfek-sioneve. Kështu Alizoti aktivizonte të gjithë familjen në punë suplementare për të mbijetuar, duke e kthyer shtëpinë në një punishte të vërtetë.

* * *

Në familjen e Alizotit janë kujtuar gjithmonë me nderim e me respekt gjitonët e mirë, që kanë hapur shtëpitë e tyre për pritjen e ngushëllimeve sipas traditës, kur në shtëpinë e Alizotit kanë ndodhur fatkeqësi.

Gjirokastra ka pasur e ndoshta vazhdon ta ketë, një traditë mjaft njerëzore e fisnike në raste të tilla: Një nga familjet e të afërmve, apo e gjitonëve afër shtëpisë, ku ka ndodhur morti, hap derën, domethënë e vë shtëpinë e vet, për tre ditë rresht, në dispozicion të pritjes së ngushëllimeve nga ana e burrave të familjes, të cilëve u ka rënë fatkeqësia.

Kjo do të thotë, që burrat e familjes ku ka ndodhur vdekja, si dhe të afërmit e tyre, që kanë ardhur nga larg, qëndrojnë tre ditë e netë në shtëpinë e gjitonit, i cili merr përsipër të gjithë trajtimin e tyre me ushqim e me fjetje, veç vënies në dispozicion të shtëpisë për pritjen e ngushëllimeve. Ky është një veprim i veçantë njerëzor, është një  mbështetje e madhe morale për familjen e goditur. Prindët tanë u kanë qenë mirënjohës deri në fund të jetës gjitonëve të mirë, që na u gjënden me gjithëshka në ditët e vështira të mortit:

– Familjes së Rustem Dhramit, ku u pritën ngushëllimet, kur ndërroi jetë, pa pritur, në moshën 23 vjeçare, vëllai i vogël, Mufiti.

– Familjes së Kasem Roqit, ku u pritën ngushëllimet, kur ndërroi jetë motra, Feraseti.

– Familjes së Balil Sherifit, ku u pritën ngushëllimet për vdekjen e nënës, Anesë.

– Ngushëllimet për vdekjen e Alizotit u pritën tek familja e Galo Menes, dajkos tonë.

Edhe ne, fëmijët e Alizotit përulemi me respekt e nderim për gjestin fisnik të këtyre familjeve.

 

FAMILJA E ALIZOTIT

 

BABAI – Ibrahimi, (xha Braçia)

Ka qenë burrë i mençur, i dashur, i gjëndur e i përkush-tuar për familjen.

Banonte fillimisht në lagjen Pllakë e, pas martesës, në shtëpinë e tij, në lagjen Palorto.

Ka qenë në Turqi, prandaj dinte pak turqisht.

Ka punuar përndarës poste në Gjirokastër dhe me rrogën e vogël mbante familjen.

Nuk ishte fetar, kishte miqësi si me muhamedanët, ashtu edhe me kristianët.

Ishte sqimatar në paraqitje e sjellje, mikpritës, i muha-betit dhe këndonte bukur këngët gjirokastrite.

Ndërroi jetë më 1942, në moshë rreth 60 vjeçare.

NËNA – Halimeja (Aneja )

Aneja ishte grua e zgjuar, e respektuar e me karakter të fortë, zonjë grua, siç thuhej në atë kohë. Ishte shumë nikoqire e autoritare në familje, si dhe me shumë autoritet në rrethin familjar. I përballoi me dinjitet fatkeqësitë e vështirësitë e shumta në jetë. Vdekja e parakohëshme e Mufitit, dhe burgosja e Zotes e goditën fort, por nuk e thyen. Ajo u bë burrë kur s’kishte burrë shtëpia, diti ta mbante familjen me nder në kushtet e fukarallëkut të skajshëm, pa i shtrirë dorën askujt e pa ulur kokën para keqdashësve. Ishte shumë e pastër, gatuante gjellë të shijshme, ndonse në kushtet e fukarallëkut ajo gjellët i quante “të rema (gënjeshtra) për të rreshtur fëmilën (fëmijët)”.

Nuk ishte fetare, por besonte në një Zot, se thoshte shpesh “ka Perëndia”. Fëmijët e vegjël i quante “melaiqe”. (ëngjëll) dhe zot i jetës.

Ishte dorëdhënë e bënte gjithmonë sevap (bamirësi) tek njerzit e vobektë në lagjen tonë.

Ajo na rriti ne fëmijëve me shumë vështirësi, por na fali shumë dashuri, deri sa ndërroi jetë në moshë të thyer, në maj 1967.

VËLLAI – Mufiti

Mufiti, vëllai i vetëm, ishte 6 vjeç më i vogël se Alizoti. Kishte mbaruar gjimnazin me rezultate shumë të mira dhe vazhdonte me rezultate të shkëlqyera vitin e tretë të fakul-tetit të mjekësisë në Padova të Italisë. Njëkohësisht punonte me vëllain (Alizotin) në librarinë, që e kishin së bashku, në mënyrë që të mbanin familjen, si dhe të përballonte shpen-zimet e shkollës. Ishte tip tepër studios dhe dinte disa gjuhë të huaja (italisht, frengjisht, gjermanisht). Ishte energjik e me ide përparimtare antifashiste e demokratike. Për këtë arsye ndërpreu studimet dhe u aktivizua me përkushtim në mbështetje të luftës nacionalçlirimtare kundër okupatorit, mbasi ishte anti -zogist e anti-fashist i vendosur. E urrente okupatorin dhe propagandonte ide perparimtare e demo-kratike, jo vetem tek shokët e tij, por edhe tek ushtarët italianë, që vinin në librarinë e vëllezërve Emiri. Libraria ishte qendër e grumbullimit të rinisë përparimtare, e propagandimit antifashist dhe shpërndarjes së literaturës përparimtare.

Me rekomandim të Ali Kelmendit, që në atë kohë ishte i internuar nga regjimi i Zogut në Gjirokastër, krijon lidhje me E.S.I.-n (Edition Social International) të Francës. Nëpërmjet kësaj shtëpie botuese siguroi sjelljen në Gjirokastër të litera-turës përparimtare në gjuhën frënge. Kjo literaturë mundi t’i shpëtonte censurës së egër të kohës, në sajë të babait të vëllezërve Emiri, i cili në atë kohë punonte në postë.

Për idetë dhe veprimtarinë e tij antifashiste e përparimtare ai vëzhgohej nga milicia fashiste, duke i bërë herë pas here edhe kontrolle në shtëpi, por me ndihmën e gjitonëve tonë të mirë, arrinte të fshihej e të mos kapej prej tyre.

Një herë ka qëlluar me shpullë në librari një oficer italian, me të cilin u grind keq, pasi oficeri u soll me fodullëk e arrogancë.

Në mars 1942 arrestohet si antifashist, mbahet dy muaj në burgun e Tiranës dhe dënohet nga gjykata ushtarake me një vit «conditionel», si disfatist e për veprimtari subversive kundër okupacionit.

Më 23 tetor 1943, në moshën 23 vjeçare, vritet nga një predhë, kur forcat gjermano-balliste kanë qëlluar me artileri mbi popullsinë e pa mbrojtur të Gjirokastrës.

Rreth viteve 47 – 48, (nuk jemi të sigurt për kohën), kur Alizoti ishte në burg, Aneja, nëna e vëllezërve Emiri, u thirr në një mbledhje të organizuar nga përfaqësuesit e pushtetit me nënat e të rënëve në luftë, ku u komunikua shpallja dësh-mor edhe e Mufit Emirit, djalit të saj të vrarë. Aty u vlerë-suan lufta, përpjekjet dhe gjaku i derdhur për Atdheun, ndaj dhe pushteti popullor do të shpërblente këto familje, këto nëna, me disa favore, si pension etj. Aneja jonë u prek shumë dhe i është drejtuar organizuesve të atij takimi e emocionuar, e përlotur, thellësisht e zhgënjyer: “Nuk e kuptoj, djalin që m’u vra ma shpallni dëshmor, tjetrin, që e kam gjallë, ma keni futur në burg, kur dihet se ata kanë luftuar bashkë për një qëllim. Nuk pranoj asnjë nder tjetër, vetëm ju kërkoj të më nxirrni Zoten nga burgu! Unë nuk dua të ha në gjakun e djalit të vrarë”!

Këtë ndodhi e kanë përmendur disa herë në shtëpinë tonë, kur Aneja ishte gjallë e ne ishim të vegjël. E tregonte halla, Muzejeni, edhe për të treguar krenarinë e nënës, por edhe me pengun se, nga ky keqkuptim i justifikuar, humbën vlerësimet e merituara për Mufitin, vëllain e saj, që nuk i shqitej nga kujtesa.

(Për këtë fakt ne nuk kemi dokument, megjithatë vendosëm ta evidentojmë si një të vërtetë të jetës së familjes. Le ta dinë pasardhësit e kësaj familjeje).

 

MOTRAT

Alizoti kishte dy motra:

Motra e madhe – Feraseti

Ishte martuar në lagjen Cfakë të Gjirokastrës me Asllan Kasoruhon. Naxhiu ishte fëmija i vetëm i familjes. Për kushtet e vështira ekono-mike që kishte familja, Naxhiu pothuajse u rrit tek shtëpia e dajkos (Alizotit) qysh fëmijë. Zotia dhe Fetia nuk e ndanë kurrë nga fëmijët e tyre, deri sa ai krijoi familjen e tij.

Motra e vogël – Muzejeni

Ishte 13 vjeç më e vogël se Alizoti.

Motra e vogël përballoi pasojat e fatkeqësive të mëdha të familjes.

Ajo kishte më shumë komunikim me Mufitin, vëllain e vogël, me të cilin kishin 7 vjet diferencë në moshë. Mufiti përpiqej t’i mësonte Muzejenit gjuhët e huaja, italisht e frengjisht. Vëllezërit e kishin futur në kurs për rrobaqepëse me mësues italian, në Gjirokastër. E kishin kompletuar me tekste metodike për rrobaqepsi. E mësoi profesionin e rrobaqepses me shkollë italiane. E pajisën me makinë qepëse “Singer” dhe tërë kompletin e instrumenteve të nevojshme. Vëllezërit i siguronin revistat e modës italiane, me të cilat ajo punoi gjithë jetën, duke siguruar klientelë të zgjedhur.

Ishte vetëm 16 vjeç kur iu vra vëllai, Mufiti. Mufiti, bashkë me Muzejenin dhe nënën (Anenë), të kapur për dore po ngjiteshin lart mbi lagjen Dunavat, për t’i shpëtuar bombardimit me artileri mbi qytet. Sapo ishin ndarë me Alizotin e me Feten. “Është mirë të ndahemi, që t’i mbetet një shtëpisë!” – i kish thënë Mufiti Zotes, dhe vazhduan rrugën në drejtime të ndryshme. Ndërkohë kishte filluar bombardini me mortaja mbi popullsinë. Qëllonin forcat gjermano – balliste nga kalaja. Shpërthimi i një predhe mortaje e ndau Muzejenin nga vëllai. Kur u përmend Muzejeni, e tronditur nga zhurma e shpërthimit të predhës dhe e dërmuar nga përplasja në tokë, që kish pësuar prej saj, nuk po shikonte vëllanë. Bertiti!!! U kthyen dhe njerëz të tjerë, që po ngjiteshin lart për t’i shpëtuar bombardimit. I thërrisnin Mufitit. Ai nuk përgjigjej. E gjetën të hedhur nga presioni i predhës poshtë murit të kopështit të Mulla Latos. Po rënkonte! Ishte plagosur rëndë në trup nga një cifël predhë mortaje. Kishte hemoragji. E rrëmbyen gjirokastritët dhe e çuan në spital. Kushtet e vështira të transportit, me krahë e me kalë, i morën shumë kohë, mbi gjysëm ore. Hemoragjia vazhdonte. Ai e kuptonte shumë mirë se ç’po ndodhte. Ishte student i shkëlqyer i vitit të tretë të mjekësisë. Muzejeni kujtonte fjalët e fundit të tij: “U përpoqa shumë, por nuk do harrij të gëzoj lirinë”!

Shoqja e ngushtë e Muzejenit, Manushaqe Çami (Shaqe Kallfa) na ka përshkruar tmerrin, që pasoi këtë gjëmë në familjen e Alizotit. Shaqia ishte më e vogël në moshë nga Muzejeni. Shtëpia e Shaqes në Gjirokastër ndodhet mbi shtëpinë e Alizotit.

– Sa herë kujtoj Muzejenin, – na tregonte Shaqia – , menjëherë përfytyroj atë skenë të llahtarëshme, që nuk më shqitet nga mendia, kur Muzejeni qante për vëllanë. Nuk ishte një e qarë e zakonshme. Nuk ishte thjeshtë një kujë. E qara e Muzejenit ishte rrënqethëse, drithëruese, e pa krahasueshme…! Kuja, ulërima, lebetitja, rënkimi, gulçet, dënesa, psherëtima ishin mbledhur të gjitha bashkë në vajtimin e asaj motre të helmuar e të dëshëruar për vëllanë!

 “Për shpirtin e Mufitit! – ishte “be”- ja më e rëndë e Muzejenit. “Motër mos qoftë”! – ishte një shprehje, që përdorej në shtëpinë tonë, që ishte një lutje dhe donte të thoshte: Mos pastë motra, dmth. të mos ketë dhimbje, vuajtje shpirtërore! Motra, në shtëpinë tonë, identifikohej me dhimbjen e thellë, me vuajtjen më të lartë njerëzore.

Pas burgosjes së Alizotit, në vitin 1947, u bë dhe konfiskimi i plotë i pasurisë së familjes. Morën gjithçka, deri tek rrobat e trupit! Në shtëpi jetonin tre gra, Aneja (nëna e Alizotit), Fetia (gruaja e Alizotit), Muzejeni 20 vjeç (motra e Alizotit) dhe dy fëmijët e vegjël, Ibrahimi katër vjeç dhe Shpëtimi i porsalindur. Muzejeni u bë burrë! Së bashku me Feten shkuan ne dyert e pushtetit dhe jane ankuar jo vetëm për dënimin e pa drejtë të Alizotit, por edhe për bastisjen e pa shpirt të shtëpisë, duke ju thënë: “Na ktheni së paku pjatat e lugët të ushqejmë fëmijët, na ktheni makinën qepëse, që të punojmë e të mbajmë familjen! Ju Alizotin e keni burgosur padrejtësisht, ndërsa ne na keni dënuar me vdekje”!

 Nuk u dhanë as pjata për të na ushqyer ne, as makinën qepëse!!

 Muzejeni u detyrua të punojë shtatë muaj me makinën qepëse tek familja e mirë e Lela Dobit, e cila me dashamirësi ja krijoi këtë mundësi, deri sa më në fund ia kthyen makinën e saj. Me të ardhurat e siguruara nga puna si rrobaqepëse, Muzejeni, një vajzë mjaft kurajoze e shumë inteligjente për atë kohë, arriti të mbajë gjallë familjen, si dhe të trajtonte me ushqime e veshmbathje vëllain e burgosur, në të gjitha vendet ku vuajti dënimin.

Muzejeni u martua me Xhevdet Meçanin nga Përmeti, gjeodet me shkollën teknike të Fulltzit, i cili punonte dhe banonte në Tirane. Lindën dy fëmijë, Luanin dhe Eldën.

 Dy fëmijët e parë të Alizotit, Ibrahimi e më pas Shpëtimi, pas mbarimit të shkollës së mesme me rezultate maksimale, fituan të drejtën për të vazhduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës.

Muzejeni nuk i la nipat, që i kishte rritur vetë, të qëndronin në konvikt, por i mbajti në shtëpinë e vet, deri sa mbaruan studimet, megjithëse kishte dhe dy fëmijët e saj. Meritë të veçantë për këtë qëndrim bujar ka bashkëshorti i saj, njeri i jashtëzakonshëm e me zemër të madhe, i cili i donte e respektonte nipat e Muzejenit, sikur të ishin fëmijët e tij.

 Ne përulemi me respekt para kujtimit të Xhevdetit dhe Muzejenit, këtyre dy njerëzve të shkëlqyer, të cilët u ndanë nga jeta respektivisht në vitet 2000 dhe 2005.

 

BASHKËSHORTIA – Ilfeti (Fetja)

 

Ishte vajzë nga familja Mene, me banim në lagjen Palorto, pra bashkëlagjase me Alizotin.

Familja Mene ishte një familje e varfër. Babai i saj, Raifi, i cili shiste fruta të thata për të mbajtur familjen, ndërroi jetë shpejt, duke lënë jetimë dy fëmijë të vegjël.

Nëna e saj, Afesaja (Nanaja), vine nga familja Babameto, një familje me emër në Gjirokastër. Grua e urtë, e dashur, që e përballonte me dinjitet fukarallëkun dhe e kishte lidhur jetën me djalin e saj të vetëm e familjen e tij. Ndërroi jetë më 1969.

Vëllai i saj, Galipi, që ishte 1 vit më i vogël, shoferi “legjendar” i Komitetit të Partisë në Gjirokastër, ishte njeri shumë i përkushtuar në punë, familjar shembullor e shumë gazmor në shoqëri. Për humorin e tij të veçantë e për batutat spontane mund të shkruhet një libër i tërë.

Bashkëshortja e tij, Vera nga Mashkullora, është një grua e veçantë, e mençur, e dashur, e pritur, nikoqire e mirë dhe e sakrificës.

Fetia kaloi një fëmijëri të varfër në një familje të thjeshtë. Ishte nxënëse shumë e mirë në shkollë, por për arsye ekonomike e ndërpreu atë kur kishte mbaruar vitin e parë të shkollës së mesme. Qysh e vogël punonte tantella me dorë, të cilat i shisnin për të ndihmuar sadopak ekonomikisht familjen.

Mbas viteve të para të martesës, jetoi një jetë të vështirë dhe rriti katër fëmijë më shumë mundime e sakrifica. Megji-thëse me probleme shëndetësore, punonte me normë në rrobaqepsinë ushtarake deri sa doli në pension. Veç punës së lodhshme të shtetit, ajo përballonte gjithë ngarkesën e shtëpisë me rritjen e katër femijve, si dhe me shërbimin që i bënte vjehrës së saj në pleqërinë e thellë. Dhe kjo ngarkesë e përditshme bëhej super ngarkesë po të kesh parasysh kushtet e vështira e mungesat më elementare që kishin gratë në atë kohë, si dhe fukarallëkun e madh ekonomik të familjes. Fetia ishte një bashkëshorte e përkushtuar, që i qëndroi Zotes pranë në të gjitha vështirësitë që kaloi në jetë, të çdo lloi që kanë qenë ato.

Për fat të mirë, ajo jetoi gjatë, sa arriti të bëhej edhe stërgjyshe, kaloi një pleqëri të mirë, e rrethuar nga dashuria e përkujdesja e fëmijve, nuseve, mbesave e nipërve, por mbi të gjithë, nga djali i vogël, Bashkimi, me të shoqen, Mirën, dhe dy vajzat, Besjana e Çeljeta, me të cilët jetoi e pleqëroi. Ndërroi jetë me 15 tetor 2007, në moshë 88 vjeçare. Ne fëmijët e kujtojmë si nënë të mirë e të dhemshur deri në dhimbje; bashkëshortet tona e kujtojnë si vjehër të urtë e gojë-ëmbël, fëmijët tanë e mbajnë mend si gjyshe të dashur deri në përkushtim./albspirit.com

 

 

Please follow and like us: