Albspirit

Media/News/Publishing

Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (15)

ZGJIDHJA E SITUATAVE EKSTREME

(Vështirësitë e jetës)

Pa sqarimet e mëposhtme nuk do të lexohej i plotë personaliteti i Alizotit.

Kjo pjesë e librit ka interes kryesisht për familjarët, si dhe për pasardhësit e tij.

Në jetë jemi përballur me dy kategori njerëzish: sojllinjdhe sojsëzë.

Nga ky rregull i përgjithshëm nuk kanë bërë përjashtim as komunistët, që kemi njohur.

Kemi qenë me fat që shumë marrëdhënie në jetë Alizoti vetë e familjarisht i ka pasur me njerëz sojllinj, të cilët i përmendim me respekt në këtë libër dhe të cilëve u jemi shumë mirënjohës!

Kemi qenë fatkeqë për ato raste kur jeta e tij ose e familjarëve të tij ka qenë në dorën e sojsëzëve, të cilëve do t’u përmendim në këtë libër vetëm bëmat, pa përmendur emrat e tyre!

Alizoti, gjatë jetës së tij, në rregjimin komunist, kaloi disa situata ekstremisht të vështira, për kapërcimin e të cilave ka treguar kurajo të madhe e mençuri të veçantë!

 

BURGOSJA

 

Në 22 Korrik 1947 u arrestua!

Në 10 Dhjetor 1947, pas mbi 4 muaj hetuesie të egër, u gjykua nga Gjykata Ushtarakë Gjirokastër dhe u dënua si “Armik i Popullit”!

Akt – Akuza: Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, si dhe pjesëmarrje në një organizatë tradhëtare, me synim përmbysjen me dhunë të pushtetit.

Masa e dënimit: 10 vjet heqie lirie dhe punë të detyrueshme,  konfiskim i plotë i pasurisë të luajtshme dhe të pa lujatshme.

Vendet e vuajtjes së dënimit: Hetuesia Gjirokastër, Burgu i Kalasë, Gjirokastër, Këneta e Maliqit, Kanali Vjosë – Levan–Fier, Burgu i Burrelit.

Kur u lejua që të burgosurit të komunikonin me botën jashtë burgut, Zotia i bëri një telegram shumë të shkurtër Prokurorit Ushtarak të Republikës, – Siri Çarçani, (me të cilin kishte njohje nga koha kur Siriu ka qenë student në Gjirokastër, shok klase me Mufitin, vëllain e vogël të Alizotit) me tekst:

“Pse më keni futur brenda, sa do më mbani? – Alizot Emiri”.

Pas kësaj, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 962, datë 25.11.1949, i ulet masa e dënimit nga 10 vjet në 4 vjet heqje lirie. Doli nga burgu në fillim të tetorit 1951.

Familjes së Alizotit, menjëherë mbas arrestimit të tij, i hoqën “Triskat e Frontit”, duke e cilësuar “familje reaksionare” (dënim politik i asaj kohe), të cilat iu kthyen në vitin 1952.

  • * *

Arrestimi e burgosja e Alizotit ishte pjesë e një fushate të madhe spastrimesh.

Akuzat ndërtoheshin për t’ju përshtatur politikës anti perëndimore të pushtetit të ri komunist.

Në atë kohë në Shqipëri janë kryer shumë arrestime, ku në mënyrë të programuar dhe, të diktuar veçanërisht nga qëndrimi pro-jugosllav ipushtetit, u goditën të gjithë intelektualët ose qytetarët me prirje perëndimore, që dëshironin një shoqëri të lirë, demokratike dhe një treg të lirë. (Në atë periudhë thuhet se janë bërë rreth 3000 arrestime në gjithë Shqipërinë).

Sipas dëshmive, jo vetëm të Alizotit, por edhe të bashkëkohësve, dënimi i Alizotit ka qenë edhe rezultat i hakmarrjes personale të një individi të veshur me pushtet, të cilit Alizoti refuzoi t’i japë motrën për grua, për shkak të qëndrimit moral të tij. Për pasojë akt – akuzën ia “kompletuan” dhe e detyruan ta pranojë pas pesë muaj presioni e torturash në hetuesi.

Është e vërtetë se Alizoti, në atë kohë, ishte shprehur kundër marrëdhënieve me Jugosllavinë, si dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë reaguar edhe ndaj padrejtësive të rregjimit të ri.

Ismail Kallfa, inxhineri i vjetër i ndërtimit, gjitoni ynë, kujton faktin se në Gjirokastër mbahej mend, në opinionin e qytetit, pyetja me nënkuptim e Alizotit: “Ç’ndryshim ka liretanga dinari?”, që nënkuptonte: ç’ndryshim ka pushtuesi italian (Lireta), të cilin e kemi luftuar, nga “miku” jugosllav (Dinari), të cilin e kemi ftuar të grabisë shqiptarët dhe Shqipërinë?!

Koha tregonte përditë se kundërshtimet e Alizotit, si dhe shumë të tjerëve, për grabitjen e Shqipërisë nga Jugosllavia ishin shumë të drejta. Prishja e marrëdhënieve shtetërore të Shqipërisë me Jugosllavinë në vitin 1949, krijoi mundësinë, që dashamirësit e Alizotit të bëjnë të mundur ta shpëtonin atë nga burgu i pa drejtë, duke i ulur kohën e dënimit nga 10 vjet në 4 vjet, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

* * *

Resul Zani dhe Muntaz Tushe kujtojnë një detaj nga periudha e keqtrajtimit, që i ishte bërë Zotes në hetuesi. E kanë parë të kalojë në Bashtenë e Teqesë të ngarkuar me dyshekun e jorganin e tij, të kërrusur, duke gulçuar e rënkuar me dhimbje, i ndjekur nga një polic i armatosur. Me sa duket e transferonin mbas torturave nga hetuesia në qeli, në Kalanë e Gjirokastrës.

 

URDHËRI PËR NXJERRJE NGA SHTËPIA

 

Duhet të ketë qenë fundi i vitit 1952.

I kishin dërguar Alizotit urdhërin me shkrim e vulë, që të lironte shtëpinë e vet në lagjen Palorto e të shkonte të jetonte me gjithë familjen në një ambient në krye të lagjes Dunavat. Besoj se do ketë qenë urdhër i dalë nga Komiteti i Ekzekutiv i Gjirokastrës, bazuar në propozimin e ardhur nga Këshilli Popullor i Lagjes, në zbatim të orientimeve të dhëna nga lart.

Një shqetësim i jashtëzakonshëm në familjen tonë! Alizoti ishte interesuar me shoqërinë e vet për të ditur se ç’përfaqësonte vendi i ri i banimit të familjes së tij, i diktuar nga Pushteti.

I thanë se ishte një haur bagëtish.

E tmerrshme! Pse ky ridënim për Zoten? Pse duhej masakruar e gjithë familja?!

Nuk i kishte borxhe askujt! Ishte i pafuqishëm para këtij tërbimi të verbër të disa pushtetarëve shpirtzinj. Nuk e përtypte dot injorancën e disa njerëzve me pushtet. Karakteri i tij nuk e lejoi t’i përshtatej, qoftë dhe nga e keqia, kësaj injorance. E kjo krenari kishte kosto në atë kohë. Duhej “paguar”! Dhe kur “paguaje”, nuk të linin kusur. E pagoi me burgimin. Nuk mjaftoi! Çfarë të bënte? Ku të vente? Të shkonte të ankohej në Këshillin Popullor të lagjes, në Komitet…? Ishte e kotë dhe e rrezikshme. Me siguri, qëndronin në pritë keqdashësit, ata individë që ia kishin përgatitur këtë “peshqesh”. Ndërkohë kishte rrezik të keq- interpretonin ankesën e tij dhe ta fusnin në kurthet e gatshme të pakënaqësive ndaj Pushtetit.

E koha s’priste!

Në shtëpi bisedonte me shqetësim të jashtëzakonshëm me Anenë (nënën), Muzejenin (motrën) dhe Feten (gruan). Kujtoj kur zbritën të gjithë në katoqet e shtëpisë tonë në Palorto, prej nga donin të na hiqnin.

– Zote, do rrimë në katoqin tonë, nuk largohemi nga shtëpia jonë, nga shtëpit’e jetës, – i thoshnin Muzejeni me Anenë. –Jemi shumë mirë në katoq! – mundoheshin ta qetësonin ato Zoten, që të mos kundërshtonte vendimin e pushtetit, sepse i ruheshin një burgosje të dytë. –Thuaju të na lënë në katoq, se ndreqemimirë këtu. Hapim një dritare të vogël tek muri i ballit, bëjmë dhe një nevojtore përjashta, ndënë kamerje.

– Po shpellat nxjerrin ujë gjithë dimrin, do na sëmuren fëmijët,– kundërshtonte Zotia.

Shpellat, në anën e sipërme, dilnin mbi kuotën e dyshemesë së katoqit, të shtruar me pllaka guri. Të dy ndarjet e katoqit ishin rreth 30 m². Familja përbëhej nga shtatë frymë!

Zotia formuloi dhe nisi telegrame urgjente me përgjigje të paguar në tre drejtime: Enverit, Kryeministrisë dhe Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Po qëndronte në ankth, në pritje të përgjigjes së tyre. Telegramet i kish formuluar shumë të forta. Po bënte llogari riburgosjen!

Erdhi në shtëpi, tek porta e avllisë, një përfaqësues i Pushtetit, i shoqëruar nga një polic me pushkë në krah. –Futunibrenda! – na bërtiste Aneja ne fëmijve, kur Zotia doli në krye të shkallëve të bardha, në ballë të avllisë. Komunikuan në distancë, Zotia lart në shkallë e i dërguari posht në avlli.

Ai iu hakërrye Alizotit, se përse nuk kish zbatuar vendimin e pushtetit. Zotia i tha, se nuk do ta zbatonte atë vendim të paligjshëm. I dërguari i tha, se ishte bërë gati urdhëri për ta nxjerrë nga shtëpia forcërisht me polic.

Ju do të më vini pushkën, porunë do t’ju ve topin! – i tha me ton Zotia.

Ashtu, paske dhe top e ne s’e ditkemi?! Ç’është ky top,mo Alizot, që kërkon t’i nxjerrësh Pushtetit?! – i tha me qesëndi e provokim i dërguari.

Topi është Ligji, që ju e keni shkelur me të dy këmbët, – i tha Zotia dhe vazhdoi: S’ka pushkë që i del përpara atij topi!

Është e çuditëshme se si është e mundur që më është ngulitur gjithë kjo skenë, kur unë isha rreth 5 vjeç. Ka qenë një tronditje shkatërrimtare për tërë shtëpinë tonë, që ka arritur të depërtojë e të gdhendet edhe në kujtesën transparente dy dimensionale të një fëmije.

Mbriti në Komitetin e Partisë përgjigja e telegramit të Enverit. Zotes nuk ia dhanë ta shikonte, por e rëndësishme ishte, që u anullua vendimi absurd i pushtetit vendor, për të na shkulur si familje nga shtëpia jonë.

Jemi shumë kurioze sot të dimë formulimin e telegrameve të dërguara nga Zotia, që bëri të mundur të dilte “topi” i Zotes, së porsa dalë nga burgu si “armik i popullit”, më i fuqishëm se “pushka” e disa pushtetarëve vendorë shpirtzinj.

 

PERJASHTIMI I FËMIJËVE NGA E DREJTA E ARSIMIMIT TË LARTË

 

Në vitin 1962, djali i madh – Ibrahimi, filloi studimet e larta ne Universitetin Shtetëror të Tiranës, në fakultetin e inxhinerisë së ndërtimit.

(E drejta e studimit i ishte caktuar për fizikë, por Alizoti, me ndihmën e Koço Mihos, që në atë kohë ishte kryearkitekt i Tiranës, e ndryshoi për në inxhinieri ndërtimi, pasi inxhinierinë e vlerësonte më shumë se mësuesinë). Sapo filloi studimet, Ibrahimi u interesua në sekretarinë e fakultetit për pagesën mujore të bursës.

(Bursa – ishte një pagese që jepej çdo muaj për periudhën e studimeve, që u planifikohej nga shteti studentëve me të ardhura ekonomike familjare më të vogla nga një kufi mini-mal).

Për çudi, sekretarja i tha se nuk i ishte planifikuar bursë, por vetëm e drejtë studimi. Ajo i tregoi dokumentin zyrtar, të ardhur nga organet kompetente të Gjirokastrës. Emri i Ibrahimit nuk figuronte në listë. E lexoi disa herë listën, e kthente nga mbrapa. Jo! Kjo ishte e pa mundur! Ishte e pabesueshme! Ishte një goditje e pa pritur! Bursa, sipas ligjit, akordohej në bazë të të ardhurave të familjes, të cilat për familjen tonë ishin nën nivelin minimal, ku akordohej bursa.

Pa bursë shteti Ibrahimi nuk mund të vazhdonte studimet në universitet.

Gëzimi i gjithë familjes për fillimin e shkollës së lartë të djalit të madh, që e kish merituar me rezultatet e shkëlqyera, u shemb në tokë! Tronditje e madhe! Nënteksti ishte i qartë:

“Fëmijëve të Alizot Emirit iu kufizohet e drejta e arsimimit deri në shkollën e mesme, pavarësisht nga rezultatet”. Zotia i alarmuar e gjykoi se ky problem nuk mund të zgjidhej duke u ankuar nëpër zyrat e administratës shtetërore e partiake të Gjirokastrës. Nuk duhej humbur kohë. Duhej me çdo kusht të kërkonte të drejtën sipas ligjit! Duhej të mos humbiste të drejtën e shkollimit Ibrahimi, por duhej fituar patjetër kjo e drejtë e mohuar edhe për arsyen tjetër, për të shpëtuar dhe fëmijët e tjerë.

Formuloi një letër për Enver Hoxhën. Kërkoi t’ia shtypnin me makinë shkrimi, që të mos e çonte me shkrim dore tek Udhëheqësi i vendit. Pasi e lexonin letrën e Zotes, nuk pranonte asnjë prej avokatëve të Gjirokastrës për t’ia shtypur me makinën e vet të shkrimit. Ata ndjenin rrezikun, se do të quheshin bashkëpuntorë!

– Me këtë letër ose zgjidh punë, ose përfundon në burg! –thanë të gjithë dhe nuk donin të rrezikonin qoftë dhe thjeshtë nga të shkruarit në makinën e tyre të shkrimit. U gjend shumë ngushtë! Duke e qarë këtë hall me disa miq të vet, i a mori përsipër dhe i a shkroi Rustem Dobi, një nga njerëzit më fisnikë të Gjirokastrës. Rustemi ishte djalë Gjirokastre, me profesion zooteknik, shumë i zgjuar, hokatar i rrallë dhe mjaft kurajoz. Zotia s’ia harronte kurrë këtë nder, që i bëri Rustemi. E dërgoi letrën në Tiranë dhe u interesua me shoqërinë e tij, që kjo letër të binte pa tjetër në dorë të Enverit. Dhe arriti ta realizonte këtë përmes shokëve, që kishin kontakte me Haxhi Kroin, sekretarin personal të Enverit.

Po qëndronte në ethe… Ne, fëmijët, ishim të vegjël dhe nuk mund t’i qanim hallin. Edhe në shoqëri këto probleme nuk ishte e lehtë për t’i trajtuar. Bisedonte me shqetësim me nënën tonë. Kishte marrë një vendim radikal: Ose të zgjidhej ky problem, që i biri të vazhdonte universitetin e, pas tij edhe fëmijët e tjerë, ose le të sakrifikoheshim të gjithë! Dihej mirë se po të vinte përgjigjia negative nga Enveri, represioni mbi Zoten dhe gjithë familjen do te ishte me pasoja katastrofike.

Mbas disa ditësh e thirrën në Komitetin e Partisë, vetë S. Gj, – Sekretari i Parë.

Zotia e kuptoi që në fasadë se përgjigja nuk ishte negative.

– Ke shqetësuar Shokun Enver me një leter! – i tha Sekretari i Parë dhe vazhdoi:

– Shoku Enver na ka dërguar porosi që djalit tuaj t’i akordohet bursë e plotë sipas ligjit, bazuar në të ardhurat familjare. Por, unë nuk e kuptoj se, përse nuk erdhe më parë tek ne për të ta zgjidhur problemin, po vajte drejt e tek Udhëheqësi i Partisë?

– Po pse, kush ma bëri atë “nder” mua, që më hoqën djalin nga shkolla, duke e ditur mirë se unë s’kam të ardhura për ta mbajtur, që të vazhdojë studimet pa bursë? Kjo padrejtësi u gatua këtu në Gjinokastër. Ishte dokumenti zyrtar i dërguar këndej, nga Komiteti në Universitet në Tiranë. Unë humba çdo shpresë se do mund ta zgjidhja këtu këtë problem. Unë besoj se nuk bëra gabim, që u adresova tek Shoku Enver dhe, mendoj se në këtë zyrë vetëm unë s’kam faj! – ju përgjigj Zotia.

 Cili qe formulimi i letrës së Zotes për Enverin? Sa mençuri ka derdhur brenda saj Alizoti? Sa kurajo e sa guxim ju desh ta dërgonte atë, kur u përball me hezitimin kategorik të avokatëve që e lexuan letrën?!

Nuk e dimë! Dimë vetëm se fitoi të drejtën ligjore, të mohuar nga disa militantë partiakë vendorë të veshur me pushtet, nga hienat e zbatimit të luftës së klasave.

* * *

Duke lexuar këto rreshta, të disa prej situatave ekstreme, që j Alizotit iu desh të përballonte, në kohën e rregjimit komunist, të krijohet përshtypja, se e keqia vinte nga poshtë dhe drejtësia nga lart. Por Jo ! E vërteta nuk ka qenë tamam kështu! Zotia e kish lexuar mirë se si funksiononte piramida e diktaturës. E keqia “Luftë Klasash” u diktua nga “lart”, por përkeqësohej e bastardohej “poshtë”. Ishte arma e preferuar e injorancës, që e shkrepte ku të mundte, mbi cilindo, që ishte më i ditur. Në rastet konkrete Alizoti u ankua “lart”, se këtu “poshtë” u tejkaluan kompetencat në raprezaljet ndaj tij. Pra, ai diti të tërheqë  vëmendjen e Diktatorit, se po dilnin diktatorët e vegjël, që zbatonin në praktikë, nën hundën e tij, politika personale më ekstremiste. Rastet e ankuara nga Zotia ishin raste flagrante të shpërdorimit të ligjeve e rregullave të vetë atij pushteti. Enveri, në rastet e më sipërme, nuk mbrojti pikërisht Alizotin, përkundrazi, në radhë të parë mbrojti ligjet e sistemit të tij, nga ku shpëtoi dhe Alizoti. Por ai nuk i hoqi nga sqetulla e tij shkaktarët, diktatorët e vegjël, sepse i duheshin përsëri, prandaj askujt prej këtyre terroristëve të zellshëm nuk i hyri gjëmb në këmbë. Për pasojë, rastet e persekutimit përsëriteshin e përsëriteshin pa mbarim, deri në shëmbjen e atij rregjimi.

Megjithatë, na duhet të pohojmë, se ne kemi qenë shumë mirënjohës ndaj qëndrimit që mbajti Enveri për zgjidhjen e shqetësimeve, të cilat ia bëri të ditura Alizoti.

Do te kish qenë me siguri shumë më ndryshe jeta jonë në atë sistem, në qoftë se Enveri nuk do të kish ndaluar galopin e disa barbareve partiake mbi Alizotin e familjen e tij.

 

PRAPASKENA E KEQDASHJE NGA DISA “KOMUNISTË” NË LAGJE

“Rigoni”

– Ke hypur majë rigonit, e të duket vetja në majë të lisit! – i tha Zotia në prani të bashkëlagjasve kryetarit të Frontit Demokratik të lagjes Palorto një ditë të diel në mëngjes, kur po shkonte në punë, të hapte librarinë e qytetit. Shkak u bë kokëfortësia dhe këmbëngulja e kryetarit, që Zotia të mos shkonte në orar në punë, por të qëndronte në ”punë vullnetare”, për pastrimin e rrugëve të lagjes. Ishte krejtësisht e pakuptimtë të mbyllje librarinë e vetme të qytetit, sepse librashitësi do pastronte disa gurë në rrugën e lagjes, por do të ishte në të njëjtën kohë dhe shkelje e disiplinës në punë, sepse libraria duhet të ishte e hapur të dielen, mbasi pushimin e kishte ditën e hënë, që nuk dilte gazetë. Përveç kësaj, në lagje dihej, se Alizoti ishte i përjashtuar nga puna fizike, për shkaqe të forta shëndetsore. Në të njëjtën kohë në «punët vullnetare», që organizoheshin në lagje, shkonim ne, fëmijët dhe nëna.

Gjithë këto arsye nuk u vlerësuan për të justifikuar mungesën e Alizotit në «punën vullnetare»! Ndaj, mjaftoi përgjigja e Alizotit, që të fillonte lëvizja e ingranazhit të egër e të verbër të atyre militantëve partiakë, fanatikë e injorantë, fatkeqësisht të veshur me pushtet. Ishte një rast i mirë për ta, që të tregonin devotshmërinë, duke nxjerrë një armik në lagje. U bënë disa mbledhje partie. Shprehja e Zotes ishte shprehje e “armikut të klasës”. E kishin thënë ballistët e klasat e pasura për partizanët në male: “…ata të rigonit!” dhe ja ku po e thoshte Zotia përsëri, sot në mes të ditës me diell! Vigjilenca revolucionare e militantëve e zbuloi çelsin e suksesit. “Rigoni!” Por iu vinte gjynah të konsumonin “rigonin” për një armik të vetëm. Mund të nxirrnin edhe një grup armiqësor!

Plani i prodhimit të armiqve në Shqipëri ishte plani i vetëm, që u realizua e u tejkalua. Këtë plan nuk e sabotuan dot “armiqtë”, përkundrazi, “ndihmuan me vetmohim” të tejkalohej!

Disa mendje të errëta e shpirtra te zinj, donin të godisnin me këto veprime edhe fëmijët e Alizotit.

 

Biografia me shpifje e ligësi, e sajuar nga sojsëzë

– Të ka ardhur një karakteristikë e zezë në Komitetin e Partisë të Ballshit, – më tha një shok, që ishte anëtar partie. Interesohu, se me atë karakteristikë që të ka ardhur, zor se mbetesh inxhinier!

– Nga ka ardhur? – e pyeta i tronditur.

– Nga Komiteti i Partisë i Gjirokastrës, por të lutem, mos më nxirr mua! – më tha.

Karakteristika të zeza vinin nga organizata bazë e partisë së lagjes Palorto dhe futeshin në dokumentat personale të fëmijve të Alizotit, në zyrat e kuadrit, në ndërmarrjet ku punonim ne, në Përmet, Fier e Gjirokastër.

Fatmirësisht u vumë në dieni nga miqtë tanë të mirë, komunistë sojllinj, që na njihnin e na vlerësonin. Më ngeli në mendje nga leximi i kësaj karakteristike në Komitetin e Partisë së Ballshit, përveç të tjerave edhe ky përcaktim:

Familja e Alizot Emirit gjatë kohës së luftës, ka strehuar gjermanë në shtëpi! etj, …!

O Zot i madh! Ku kish bërë vaki, që ushtarët gjermanë të strehoheshin në shtëpi të banorëve në Gjirokastër?! Po pse mo, refugjatë kanë qenë ushtarët gjermanë në Gjirokastër? Si ka mundësi ta kenë ngatërruar këtë formuluesit e kësaj “biografie”, disa ish-partizanë të lagjes Palorto? Pastaj, po të ishte e vërtetë ajo, që kanë shkruar e vulosur këta komunistë, vetë ata duhet të dënoheshin me ligjet partizane të kohës së luftës. Si kanë lejuar ata që të strehoheshin gjermanët në mes të lagjes Palorto? Si nuk kishin vajtur t‘i vrisnin mu në gjumë gjermanët, në shtëpinë e Alizotit? Do të kish qenë një rast i mirë për të treguar heroizmin këta “trima”.

Mirë e ke ti, po…, po sikur të zgjoheshin gjermanët?!

Gjetëm dokumentat origjinale të biografisë së sajuar me ligësi për Alizotin!

Janë 19 karakteristika të njëpasnjëshme, të bëra për Ibrahimin nga viti 1962 deri në vitin 1981, ku janë gdhëndur si gjurmë të çrregullta patkojsh të gjymtyrëve të atyre, që kishin shkruar të zezat në të bardhë, se: Gjatë luftës Nac. Çl. qëndrimi i familjes së tij nuk ka qenë i mirë, ka strehuar gjermanë në shtëpinë e tij dhe në 1947 është dënuar me burgim nga gjyqet popullore (Alizot Emiri). Deri vonë ka qenë privat.

Kuptohet, karakteristika është nxirë mirë si për periudhën e luftës antifashiste nacional – çlirimtare dhe për periudhën mbas çlirimit nga pushtuesit. Mjaftonin ato dy rreshta me helm, që mos të qeshte buza.

Karakteristika e parë është bërë në vitin 1962, kur Ibrahimi ka përfunduar shkollën e mesme “Asim Zeneli” me rezultate të shkëlqyera. Dihet se në këto karakteristika të çdo maturanti, paragrafi i parë, “Qëndrimi politik i fami-ljes”, nuk formulohej nga autoriteti shtetëror e partiak i shkollës. Ky formulim bëhej në organizatën bazë të partisë së lagjes, ku banonte familja.

Pra, formulimi i “Qëndrimit politik të familjes së Alizot Emirit” është bërë nga organizata bazë e partisë së lagjes Palorto, ose më saktë, nga disa komunistë të lagjes sonë.

Karakteristika e lagjes e ndiqte individin këmba këmbës gjithë jetën. Kështu ndoqi Alizotin dhe familjen e tij.

Dhe kështu, këto karakteristika na “prinin përpara” ne, fëmijve të Alizotit. Ato çanin shtegun për të kaluar ne. E çanin të ngushtë dhe e linin gëzhdallë, gjithë rrëmba. Ne rripeshim e rripeshim pa pushim. Duhej të ishim gjithmonë të gjakosur! Për të “mirën” tonë, për të “mirën” e vendit!

Po kush i formulonte këto karakteristika në lagjen Palorto?! Kujt i qe besuar kjo detyrë e shenjtë? Cilët qenë ata komunistë, që “strehuan” me shkrim, gjermanët në shtëpinë e karakteristikës së Alizotit?

Kujt i ishin besuar jetët e njerëzve në atë kohë? Cilit njeriu me zemër, me arsye, me kulturë e me humanizëm? Jo, ky misjon aq delikat u qe lënë në dorë njerëzve, që, mundësisht, të mos dinin ç’është libri, që të mos shkelnin kurrë në librari, e librarët t’i konsideronin armiq. O Zot i madh, çfarë fatkeqësie!

Gjithçka në dorën e një farë infermieri dhe ndihmësave të tij. E pa besueshme!

Po, po, është e vërtetë!

Gjithë jetën me “shiringë” në dorë. Shiringa me helm. Dozën e caktonte vetë për secilin. Pati “dorë të lehtë”. Nuk e ndjenim fare. Mbanim mend vetëm “pambukun”, që na fërkonte, sa herë na takonte i përmalluar. Fërkojeni dhe vetë, na dukej sikur thoshte, se jam i zënë, më presin “punë” të tjera. Sa i mirë! Çfarë fati! Dhe sa modest! Nuk u mburr kurrë, për atë që bënte. Gjithçka në heshtje të plotë. Pa bujë. E fshehtë. Mbrapa krahëve! Mbi karakteristikat tona, në të cilat secili nga ne, duhet të shikonte fytyrën, të njihte veten. Veten? Po! Karikaturën e gjithsejcilit prej nesh, të futur ne karakteristikë. Dhe sa i përkushtuar infermieri. Sa i devotshëm. I devotshëm ndaj instiktit të shkatërrimit të jetëve…

 

Biografia e vërtetë, e korigjuar në vitin 1981

Pasi më lejuan të njihem me karakteristikën e ardhur nga Gjirokastra, e biseduam së bashku në familje, në Gjirokastër. Me miratimin e Alizotit kontaktuam me komunistë të vjetër, gjirokastritë, që në kohën e pushtimit fashist ishin me funksione drejtuese në luftën kundër pushtuesve. Na mirëpritën, shprehnin habi me këtë “punën” e Alizotit. Pse kështu? Si është e mundur? Jeni familje shumë e mirë! Dhe lëshuan deklarata zyrtare, ku cilësonin qëndrimin politik antifashist e atdhetar të familjes sonë.

– “Ç’janë ata që kanë shkruar keq për familjen tuaj?! Jemi gati të ballafaqohemi me ta në një mbledhje të organizatës së tyre të partisë në lagjen Palorto, në qoftë se bëhet e mundur të realizohet” – thanë deklaruesit.

Në deklaratat e nënshkruara prej tyre theksohej se:

–     Ne kohën e pushtimit, vëllezërit Alizot e Mufit Emiri sillnin nga Italia e Franca literaturë përparimtare, që nëpërmjet librarisë së tyre shpërndahej në të rinj të besuar në Gjirokastër. Libraria ishte qendër e propagandimit antifashist dhe e përhapjes së ideve demokratike dhe, për këtë arsye, vëllezërit Emiri ishin nën vëzhgimin e policisë fashiste. 

Në mars 1942 vëllezërit Alizot e Mufit Emiri arrestohen nga karabinieria fashiste, të akuzuar si antifashistë e disfatistë. Mbas dy muajsh qëndrimi në burgun e Tiranës, dënohen nga gjyqi ushtarak fashist me nga një vit burg me kusht (conditionel).

Alizoti ka ndihmuar Zonën e Parë Operative, duke qenë ndërlidhës i saj, si dhe me ndihma të ndryshme, si makina e letër shkrimi.

Mufiti ka qenë një nga demaskuesit publikë, para popullit të Gjirokastrës, të eksponentëve të Ballit Kombëtar, Ali Këlcyra e Ismail Golemi, të cilët u bënë bashkëpunëtorë me pushtuesin, (shtator-1943).

Përfitojmë nga rasti për të falenderuar me mirënjohje personat, që me gatishmëri dhe përgjegjësi kanë shkruar deklarata për qëndrimin antifashist e përparimtar të vëllezërve Alizot e Mufit Emiri në kohën e pushtimit, si dhe për kontributin që kanë dhënë për luftën kundër pushtuesve: (Muhedin Çano, Nurie Cico-Bozo, Nuri Çomo, Niko Kekezi, Hulo Hadëri, Koço Miho, Daver Çoçoli, Ikbal Shapllo, Hilmi Çoçoli, Van-gjel Vasili e Sofokli Papajani.) Përulemi me respekt në kuj-tim të atyre, që nuk jetojnë më!

I dërguam këto deklarata në Komitetin e Partisë së Gjirokastrës dhe të Ballshit. Kërkuam të ndryshojë formulimi i deri-atëhershëm për qëndrimin politik të familjes.

Në mars 1942 vëllezërit Alizot e Mufit Emiri arrestohen nga karabinieria fashiste, të akuzuar si antifashistë e disfatistë. Mbas dy muajsh qëndrimi në burgun e Tiranës, dënohen nga gjyqi ushtarak fashist me nga një vit burg me kusht (conditionel).

Alizoti ka ndihmuar Zonën e Parë Operative, duke qenë ndërlidhës i saj, si dhe me ndihma të ndryshme, si makina e letër hkrimi.

Mufiti ka qenë një nga demaskuesit publikë, para popullit të Gjirokastrës, të eksponentëve të Ballit Kombëtar, Ali Këlcyra e Ismail Golemi, të cilët u bënë bashkëpunëtorë me pushtuesin, (shtator-1943).

Përfitojmë nga rasti për të falenderuar me mirënjohje personat, që me gatishmëri dhe përgjegjësi kanë shkruar deklarata për qëndrimin antifashist e përparimtar të vëllezërve Alizot e Mufit Emiri në kohën e pushtimit, si dhe Sekretari i Komitetit të Partisë të Gjirokastrës, Elmaz Puto, shkoi vetë në mbledhjen e organizatës së partisë të Këshillit Popullor të Lagjes Palorto.

Në librin e tij “NJË KOHË TJETËR”, ai ka analizuar këtë rast nën titullin “Lufta e Klasave”. Komunistët e asaj organizate, edhe pas ballafaqimit me vlerësime të bëra nga komunistë më të vjetër se ata të lagjes, me funksione të larta drejtuese në luftën kundër pushtuesve, nuk pranuan të korigjojnë karakteristikën, ku kishin montuar gjermanë.

Gjermanët e tyre ne duhej të vazhdonim t’i strehonim në shtëpi. Çfarë paradoksi!

Këta vrerosës të jetëve të njerëzve nuk ndjenin të ngopur. Shumë xhelozë për vrerin e derdhur prej tyre. Si ishte e mundur, që nuk bëri efektin e duhur? Ishte vrer pa hile! Ku e gjeti forcën Alizoti të sfidojë këtë vrerosje të bërë mbi të, “në emër të popullit”, për rreth dyzet vjet rresht?!

Në pamundësi për të bindur disa komunistë të lagjes, Sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit nuk u tërhoq, por e ndjeu për detyrë të bëjë vete një karakteristikë të re për familjen e Alizot Emirit dhe, me dt.25.11.1981 e dërgoi në rrethet dhe në qendrat e punës, ku punonim ne, fëmijët e Alizotit!

Kjo mund të jetë rast unikal për atë kohë, që Sekretari personalisht, të hartojë një karakteristikë biografike të qëndrimit politik për një familje dhe të mohojë zyrtarisht karakteristikën e hartuar nga organizata e partisë e lagjes! Edhe sot, që janë tejkaluar, vjetëruar e zhvlerësuar plotësisht problemet biografike, ngelet i pa shlyer për ne gjesti i zotit Elmaz Puto, që sfidoi kohën, për të mbrojtur jetë të pafaj-shme njerëzish, të dhunuar padrejtësisht nga disa individë të blinduar me kostumin partiak. Ne, që kemi jetuar atë kohë, e dimë se edhe Sekretari ka riskuar shumë, kur ka vendosur të sfidojë, duke iu kundërvënë vendimit të një organizate partie. Ai sfidoi pasojat e përballjes së “nën-dheshme” me këta fanatikë në ligësinë e tyre. Sigurisht, ai e ka kapërcyer këtë dilemë, duke u mbetur besnik vlerave të larta morale e njerëzore.

Tregoi se ishte sojlli!

Në të njëjtën kohë kjo tregoi se kokëfortësia e së keqes në atë sistem ishte e pa dënueshme.

Alizoti dhe familja e tij i janë shumë mirënjohës këtij njeriu të mirë, këtij komunisti, që vuri moralin njerëzor para predikimit të fesë komuniste me diktaturën e saj.

Mirënjohje e respekt të veçantë meritojnë gjithashtu edhe personat me funksione drejtuese në institucionet e partisë e të shtetit të asaj kohe, si Farudin Hoxha, Anastas Pone, Xhemal Dauti, Resul Zani, Manol Milo, Jaçe Lula e Ndreko Gjylameti, të cilët vlerësuan punën e fëmijëve dhe familjarëve të Alizotit, respektivisht në Fier e Përmet, si dhe i mbështetën me dashamirësi ata për kapërcimin e vështirësive, të krijuara padrejtësisht, për shkak të absurditeteve biografike.

Duke i analizuar hallet, që iu imponuan të kalonte Alizoti, e veçanërisht mënyrën se si ai i përballoi, natyrshëm pyesim: Ku e kishin burimin kurajua e tij e madhe për t’u përballur, forca e karakterit për të sfiduar injorancën e njerëzve të veshur me pushtet, krenaria e tij ëmblematike.? Arsyeja është shumë e thjeshtë!

 

Alizot Emirin e kanë dashur shumë! Të gjithë! E respektonin të vegjël e të mëdhenj, njerëzit e mirë, të thjeshtë e me pushtet, të vobektit e të pasurit, të ashkollët e intelektualët. Ishte gjithmonë i rrethuar me dashuri. E kanë dashur për mençurinë, për dijet, për ndershmërinë, për bujarinë e mirësinë karakteristike e, sigurisht, për humorin e pa shterur, aq të zgjuar, të krypur sa duhet, konçiz, ndonjëherë therrës, por gjithmonë të dashur.

Kjo dashuri popullore e sinqertë, si dhe respekti për të, ishin burimi i pa shterur i energjisë së tij. Ndaj nuk i iku kurrë e qeshura nga buza e tij, shpesh herë e plasur!

 

Qiraxhinj pa qira

 

Kur u anullua, me urdhër të udhëheqjes më të lartë të shtetit komunist shqiptar, vendimi i organeve të pushtetit lokal të Gjirokastrës, për nxjerrjen nga shtëpia të familjes së Alizot

Emirit dhe syrgjynosjen në një haur bagëtish në një lagje tjetër të Gjirokastrës, kushdo do të mendonte, se morën fund një herë e përgjithmonë skenarët e persekutimit të kësaj familjeje.

Çuditërisht nuk ndodhi kështu! Pas kësaj, në shtëpinë e Alizotit u caktua të banojë një “niqastar” (qiraxhi) ushtarak. U zgjodh nga pushteti vendor dhoma më e madhe e shtëpisë sonë, “Odaja e Re”, për niqastarin. Qiraxhiu do shfrytëzonte dhe ambientet e përbashkëta: banjë, koridor, kuzhinë dhe, sigurisht, nuk do paguante qira!

Në shtëpinë tonë në vitet 50 – 60 kanë qëndruar katër familje ushtarakësh:

  • Fillimisht dërguan një kapter me pesë fëmijë. Qëndruan shumë pak. I larguan, për shkak të sipërfaqes së vogel.
  • Në vazhdim erdhi Kajmak Qerimi me familjen. Nuk i mbajmë mend mirë. Ishim të vegjël.
  • I treti ishte Nuredin Zoto nga Përmeti me familjen. Njerëz të shkëlqyer!
  • I katërti dhe i fundit ishte Asaf Hajdini nga Borshi, i cili krijoi familje e u bë me fëmijë, kur ishte në shtëpinë tonë. Kemi kaluar shumë mirë me ta.

Gjyshja jonë kapedane dhe shumë e mençur ka ndërtuar marrëdhënie tepër familjare me të gjithë niqastarët. Ajo dhe Alizoti kanë ditur të diferencojnë këta individë, që realisht na rastisën njerëz shumë të mirë dhe lanë mbresa të pa shlyera në familjen tonë, nga ata pushtetarë, të cilët i instaluan këto familje tek shtëpia jonë.

Nëna e Alizotit, Aneja me halle, ajo grua burrërore, e zgjuar e nikoqire e madhe, i trajtoi gratë e oficerëve si vajzat e saj. Mori rolin e nënës, pa i fyer ato, përkundrazi, nën respektin e plotë të tyre. I mësonte, i këshillonte, i dëgjonte, i vlerësonte, i ndihmonte me dashuri nëne. Rregullat e tabiatet e familjes tonë u zbatuan pa asnjë hezitim nga niqastarët. Ato rregulla i morën me vehte dhe kur ikën nga ne. Prandaj largimi i secilës “nuse” nga shtëpija jonë ka qenë një ndarje e dhimbshme nga të dy palët. Përqafime të përlotura, në respekt të mikpritjes e të asaj bashkëjetese aq harmonike në shtëpinë e Alizot Emirit, kanë karakterizuar ndarjet.

Vendosja e familjeve ushtarake nëpër banesat e familjeve autoktone ka qenë një zgjidhje emergjente për kushtet e shtetit të asaj kohe. Caktimi i familjeve, që do lironin ambientet e shtëpive të tyre për të dërguarit nga pushteti, ishte produkt i llogjikës së persekutimit mbi të cilësuarit si kundërshtarë të regjimit komunist. Me këtë veprim realizoheshin njëherazi:

  • Marrja në përdorim, në mënyrë arbitrare e një pjese të banesave private. Pra, dhunimi i pronës vetiake!
  • Vënia nën një presion psikolgjik e, ndoshta dhe të një survejimi, të këtyre familjeve, të cilësuara të tilla nga push-teti vendor, në zbatim të direktivave të dërguara nga lart.

 

 

 

Please follow and like us: