Albspirit

Media/News/Publishing

Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (11)

 

HOKAT JASHTË LIBRARISË

Ku do ta bëni ‘Hanimunë”?

I priste me kënaqësi të veçantë çiftet e rinj. Shkonin në librari dhe prezantoheshin tek Alizoti si të fejuar. Zakonisht Zotia i njihte secilin si klientë në librari. I uronte, i pyeste dhe bënte lidhjet me rrjetin e tyre familjar. I bëhej shumë qejfi, që vinin apostafat për ta takuar. Ishte një lloj celebrimi i veçantë, që ju bëhej edhe nga Alizoti në librari. Zotia gjallërohej i tëri, hapte muhabet, bënte humor e, sidomos, kur njihej nga afër me familjet e tyre. Dhe ndërkohë i dukej se Libraria respektohej si një vend i shenjtë.

– Të më vini përsëri, – u thoshte. – Do t’ju ruaj libra të mira. Të fala të m’i bëni, mirardhshi!

– Do të vijmë prapë xha Alizot, – angazhoheshin të rinjtë, që ishin të entusiazmuar nga mikpritja.

– Mos hajdeni prapë, por hajdeni mbarë, – i përcillte me humor Alizoti.

Edhe kur martoheshin do të vinin përsëri tek Zotia në librari. Përsëri urime.

– Qoftë bukë e ëmbël! – uronte Alizoti.

I pëlqente ky urim dhe ndonjëherë e shpjegonte, se ky urim, i trashëguar nga të parët, ishte kuptimplotë. Mbartëte filozofinë e jetës. Urohej të ishte jeta pa dhimbje, pa lotë, pavarësisht nga fukarallëku. Kur tek çifti i ri ishin të dy të arsimuar dhe Zotia kish konfidencë me ta, bënte dhe humor e i pyeste:

– Ku do ta bëni “Hanimunë”?

Ata qeshnin…

Në dialektin gjirokastrit kjo shprehje ka kuptimin: “Ku do shkoni të hani mu…”?

Në të vërtetë shprehja është një kombinim me anglishten, ku “Hanimu” është shqiptimi i fjalës “honey moon”, që do të thotë “muaji i mjaltit”. Të pranishmit që ndodheshin në librari dhe dëgjonin shpjegimin origjinal me mjaft humor të Zotes, qeshnin gjithashtu, por qëllonin dhe nga ata, që u kish qëlluar martesa vërtet “hani mu…”, të cilët psherëtinin.

– Ah, s’është për të qeshur, ore vëllezër, jo!

* * *

I kishte shkuar në librari Hektor Vebiu me të fejuarën, Sofinë. I uroi Zotia me kënaqësi të veçantë. Familja e Alizotit me të Vebive kanë pas lidhje të hershme në Gjirokastër.

– Po na e ke marrë nusen, mo Tore? – e pyeti Alizoti.

– Nga Dervicjani, – e sqaroi Hektori.

– Mirë ke bërë, punë me mënd! – i tha Zotia.– Ju, shtëpitë në Pllakë i keni me katoq e nuk e keni problem për të pritur gomarët e Dervicjanit!

Qeshën me humorin e Zotes, që bazohej edhe në eksperiencën e jetës e në traditat e fshatit të gruas, Dervicjanit.

(Këtë histori na e ka treguar Sofia në plazhin e Malit të Robit, ku jemi gjitonë të mirë me familjen e Hektorit e gëzojmë, kur shihemi të dy palët).

 

Ke një cigare?

Zotes i kish bërë përshtypje. Një person në Gjirokastër, kish filluar një ‘zanat’ të ri. Dilte çdo ditë në mëngjes, kur njerëzit nxitonin për të shkuar në orar në punë, qëndronte tek Qafa e Pazarit, i ndalonte dhe iu kërkonte një cigare. Si profesionist, që ishte bërë në këtë punë, bënte përzgjedhje të “kreditorëve”, nuk i dilte përpara të njëjtit person dy ditë rresht etj. Pra ruante një lloj “etike”!

Njerëzit, të kapur në nxitim e sipër, i linin një cigare dhe vraponin për të kapur kohën e humbur, pa pritur të dëgjonin falënderimet e tij.

I erdhi radha Zotes për t’i paguar “taksën”. Zotia i dha cigaren në mënyrë të shkujdesur, si një veprim rutinë dhe u largua. Pas ca ditësh u përsërit e njëjta skenë. U përsërit për herë të tretë…! Zotes i bëri përshtypje: i njëjti person, i njëjti veprim… “Një cigare, të lutem”, çdo dy tre ditë. Nuk ishte ndonjë shpenzim i madh, por nuk ishte e moralshme zgjidhja, që kish gjetur ai.

Ditën tjetër Zotia e pa që larg se në Qafën e Pazarit do t’i nënshtrohej “taksës”. Ndaloi tek kafeneja, para se të arrinte në Qafë dhe bleu një paqetë cigare, ndonëse një paqetë të filluar e kishte në xhep. Doli nga kafia dhe vazhdoi të ngjitej në kalldrë- min e rrugës së pazarit. Sa u afrua tek vendi, doli ai, “miku”.

– Alizot, ke një cigare? – ju drejtua “taksidari”.

Zotia ndaloi, nxorri paketën e pa filluar “Partizani” dhe ja dha “mikut” në dorë.

– Merre, – i tha Zotia -, hape dhe numëro cigaret. Po të dolën njëzet e një, njëra është tëndia.

Miku ngeli me paketë në dorë. Ai e dinte shumë mirë se paketat kishin vetëm njëzet cigare. E kuptoi se veprimi i tij ishte bërë i dënushëm nga shoqëria. I ktheu paketën e panisur Zotes, u nda dhe nuk u pa më në atë “funksion” në Qafën e Pazarit.

– Qafën e Pazarit ja u ç’bllokova, – thoshte duke qeshur Alizoti -, për qafat e tjera nuk mbaj përgjegjësi!

 

Me shokët nga lagjia e sipërme

 

I ngacmonte shokët që banonin në lagjet e sipërme të Gjirokastrës.

Një pjesë e banorëve, të kushtëzuar nga pozicioni i lagjes në krye të qytetit, në rrëzë të faqes së Malit të Gjerë, e kishin ndërtuar jetën edhe me elementë të fshatit. Kishin kopështe mbi lagje, kishin kullota, haure e stane. Mbanin bagëti, dhen, dhi, lopë, kafshë ngarkese etj. Kuptohet që mbajtja e kësaj ekonomie ndihmëse kërkonte përkushtim nga këta banorë. Harxhonin shumë kohë për këtë dhe në Qafën e Pazarit dilnin me rallë se të tjerët, që nuk mbanin bagëti në shtëpi.

– Po ç’u bëre?! Humbe fare! S’mbahet mënd sa kam pa të pare në pazar – dëgjohej herë pas here në librari kjo pyetje, që ju drejtohej banorëve, që zbrisnin nga kreu i Gjirokastrës. Dhe Zotia përfitonte nga rasti për t’i ngacmuar:

– Kot i bie në qafë. Banorët e lagjes së tij tani vonë e kanë njohur Pazarin. Ata t’i thonë faleminderit dhisë.

– Pse mo, Alizot, ç’lidhje ka dhia me Pazarin?

 – Kur u iku dhia nga kopeja dhe u var më të poshtë, e ndoqën për ta zënë deri sa dolën në Qafën e Pazarit. U habitën shumë kur panë Qafën, harruan dhinë dhe pyetën: “Ç’i thonë këtij vëndit këtu, mo”?

 

Pse s’të çoi babai në shkollë?

 

Tek rruga e Qafës së Pazarit në Gjirokastër, karshi librarisë, ishin berberët të vendosur në tre dyqane të njëpasnjëshëm, që komunikonin nga brenda me njëri tjetrin.

Berberana ishte vendi ku ziente muhabeti, nga që frekuentohej prej një numëri të madh njerëzish, që për vetë natyrën e punës tek berberi, qëndronin rreth gjysëm ore secili. Përveç bisedave të zakonshme kishte dhe humor. Gaqe Kekezi ishte berberi më me humor, ose shakaxhi, siç quheshin atëherë në Gjirokastër.

Gaqia ishte një burë i gjatë, i mbajtur, simpatik, gjithmonë i qeshur dhe i hahej muhabeti me Zoten e, sidomos, donin të ngacmoheshin me njëri tjetrin.

Një herë, kur Gaqia po i bënte karshillëk Zotes, që nga trotuari i shkallëzuar para berberanës, përballë librarisë, duke u ngrehosur e me duar në mes, Zotia ju drejtua:

– Mos u kapardis shumë, se me katër klasë shkollë je!

– Po zotrote, që më bën vrejtje, sa klasë ke? – ja ktheu Gaqia me të madhe, që të dëgjonte gjithë pazari e jo vetëm berberana.

 – Edhe unë aqe kam, – ju përgjigj Zotia -, se babai tim qe fukara, s’kish lekë të më çonte në shkollë e më dërgonte në Kucullë, për të mbledhur rigon… Po çudi e madhe me babanë tënd, – vazhdoi Zotia pas një pauze, që e krekosi më shumë Gaqen -, që kish qeset me flori e nuk të çoi ty në shkollë. Po me sa duket, e kish kuptuar se ç’gomar kishte bënë!

U dëgjuan të qeshura në “auditor”. Disa qeshnin se ju pëlqeu batuta, disa e zgjatnin të qeshurën se donin të futnin në sedër Gaqen, për të vazhduar komedinë e lënë në mes.

Auditori, si berberana dhe kalimtarët e rastit, ishin juria më origjinale, që me të qeshurat e tyre dhe romuze të ndryshme, me të cilat ngacmonin dy lojtarët kryesorë, bënin njëkohësisht edhe klasifikimin e ndeshjes. Kjo juri ishte e pa korruptushme. Dhe vetëm në qoftë se humori pëlqehej, ajo ritregohej nga ata që e kishin dëgjuar.

 

Te Cile Muka

Zoten e merrte vazhdimisht shoqëria për të pirë ndonjë gotë te Cile Muka. E kujtoi Cilen edhe Dritëro Agolli, në takimin që patëm në shtëpinë e tij në janar 2011, sepse kishte shkuar te lokali i tij me Alizotin. Ju kujtua një episod tjetër, kur kishte pirë një herë te Cilia, e duke qeshur, tregonte:

“Cile Muka kishte një pijetore të tij në Gjirokastër. Ishte njeri që kujdesej shumë, prandaj mezet i bënte me mjeshtëri. Në atë kohë kisha botuar te “Zëri i Popullit” shkrimin “Cile Mukën e kam pranë dhe kulturën për karshi”. Unë kujtova që do ish mërzitur Cilja, por kur vajta më thotë: bëre mirë me atë shkrimin, se e morën vesh dhe në Amerikë që qënkam gjallë, se gazeta shkon edhe në Amerikë, kështu që më bëre shumë mirë. Po tani do të të qeras, por duhet të mbarosh shkollën 7 vjeçare. Po s’mbarove 7 vjeçaren nuk del nga këtej! (7 vjeçare ishte që duhej të pije 7 gota). Epo mirë, pimë ca, erdhi dhe një shok tjetër, Vangjush Gambeta, që ka qenë gazetar. Filluam me të tjera dhe në fund tha Cilia – i mbaruat të tëra tani, mbaruat dhe universitetin, më duhet t’u vë çelsin tani, s’kam ç’u bëj”!

Ju qepën keq Zotes një natë te Cilia, shoqëria me miq të ardhur nga Tirana. Zotia pinte, por me karar. Nuk është dehur asnjëherë! E Cile Muka kishte ca “rregulla”, që Zotia i dinte mirë! Zotia ishte nga ata “nxënës”, që mund të mbaronte vetëm “filloren”. Donin ta dehnin, “të mbaronte të paktën të mesmen”!

– Edhe një dopjo për Zoten!- i bërtisnin kamerierit. Kur Zotia e pa se donin ta dehnin, filloi t’i bërtiste dhe vetë kamerierit, shokut të tij të vjetër: – O, o, mut i mu…!

Miqtë po qeshnin me të madhe, se po shijonin dehjen e Alizotit. Vazhdonin dopjot, Zotia i kthente me fund për miqtë. Po mbaronte edhe “universitetin”, sipas Ciles. Kur dolën nga pijetoria, po shikonin Zoten, se mos kish nevojë për shoqërim. Jo! U nda me përzemërsi me ta dhe u nis i kënaqur e i kapardisur për në shtëpi. Të nesërmen i shkuan shokët e “darkës” në librari.

– S’na i merrte mendia, Alizot, që të pije aq shumë dhe ta mbaje rakinë sikur ishe esëll.

– Nuk piva shumë! – ju përgjigj Zotia, sikur nuk ishte në darkë me ta.

– Ore Zote, ti nuk e di se sa ke pirë mbrëmë! – insistuan ata, që po shikonin se Zotes nuk i kish dalë akoma rakia.

– Unë kam pirë gjithsej dy dopjo! – u tha i qetë Alizoti.

 – Jooo! Ç’thua, mo Zote, ke pirë shtatë dopjo raki, të numëruara. (Apo ngatërrohen kollaj në numërim gjirokastritët!) Ti e humbe fare dhe po i bërtisje e po e shaje kamarjerin, na prëjte, na kënaqe!

– O po, nuk merret vesh se kush e humbi e kush e fitoi – u ndërhyri Zotia – Unë kam pirë vetëm dy dopjo raki e pesë dopjo ujë. Ato që lashë pa pirë mbrëmë, do vete t’i pi një e nga një çdo natë tek Cilia!

Shokët shtangen.

– Kjo nuk ka mundësi, Alizot!

– Ka mo ka! Ju kujtohet kur e shaja kamarjerin? I thoshja frengjisht të më sillte ujë. O (eau) në frengjisht i thonë ujit, e këtë fjalë frengjisht ia kam mësuar edhe kamerierit. Ju rrofshi që më respektuat dhe unë do t’ju kujtoj për natë tek Cile Muka, sa të mbaroj dopiot e pa pira!

 

Mos u mburr me ko… e botës!

 

Shkonte më shpesh në Përmet, tek Ibrahimi, djali i madh.

– Jam bërë me koloni, – thoshte Zotia, meqenëse Ibrahimi ishte në Përmet, ndërsa unë në Fier.

Tek ne vinin gjithmonë bashkë të dy me nënën.

– Jemi bënë si Norodom Sianuku me Monikën, – thoshte duke qeshur.

Norodomi ishte princi i Kamboxhias, që kish bërë një vizitë në Shqipëri me të shoqen. Atëherë u fol se Monika lahej në vaskë me qumësht! Na e kish gjetur kohën! Ndoshta ajo u bë sebep që shqiptarët filluan radhën për të marrë një shishe qumësht. Por nejse, është tjetër muhabet.

Në Përmet e në Fier kishte të njohur të vjetër, por bëri dhe shumë të rinj. E prisnin me padurim. Gjithmonë më pyesnin: “Kur do na e biesh Zoten”?

Kur shkoi në fillim në Përmet, doli xhiro, u takua me moshatarë qe njiheshin dhe shkuan në klubin ku loznin pleqtë. U ulën në një tavolinë dhe po bisedonin, po çmalleshin me njëri-tjetrin dhe Zotia i kënaqte me humorin e përhershëm. Më vonë erdhi në tavolinë një përmetar, që nuk njihej me Zoten. U prezantuan, u pyetën me njëri tjetrin.

– Ç’fëmijë ke, ku i ke? – e pyeti Cacia Zoten.

– Katër, – ju përgjigj Zotia -, tre djem e një vajzë, – dhe i tregoi se ku punonim.

– Po ju? – e pyeti Zotia.

– Kam dy vajza e një djalë, – ja ktheu Cacia dhe vazhdoi -, Dhëndëri i madh është Shef Shtabi i brigadës në Berat, dhëndëri i vogël është Zv. Komandant i policisë në Sarandë, – dhe vazhdoi e nuk pushonte së treguari histori me dy dhëndurët.

Zotia u fry. Prit se po thoshte ndonjë llaf për fëmijët e tij, por jo, meazalla. S’mbaronin ndodhitë dhe trimëritë e dhëndurrëve, që ndoshta ishin zmadhuar pak nga vjehëri. Dhe Zotes s’ju durua më e ja priti:

– Mos m’u mburr me koqet e botës. Unë të pyeta për koqet e tu. Ke të na thuash ndonjë fjalë për fëmijet e tu?

Cacia u pre! Nuk e kishte prerë njeri në mes kur fliste me pasion për dhëndurët. Pa ç’pa dhe u shkëput nga shoqëria e u largua. Zotia e ndjeu veten fajtor, që u bë sebep të largohej njeri nga shokët e grupit të përmetarëve dhe iu drejtua atyre:

– Ore, më falni se ndoshta i fola rëndë dhe u bëra shkak që të ndahet nga ju. Ju jeni shoqëri e përhershme këtu. Unë jam mysafir, do iki prapë…

– Po aman, more Alizot, – ia ndërprenë në mes ndjesën pleqtë përmetarë -, po ku paskishe qenë, or njeri i Perëndisë, po na çmendi fare, na mori mendjen e kokës me historitë e dhëndurëve, nuk dinim si t’ia bënim. S’kishim muhabet tjetër. Rrofsh, o Alizot se na shpëtove. Po edhe ne të humbur fare! E paskemi humbur për një fjalë. Me një fjalë të vetme i vuri kapak Alizoti!

 

Kalldrëmi i Palortosë

Rreth viteve 60 u shtrua me kalldrëm rruga e Palortosë, nga shtëpitë e Skëndulajve, në sheshin e Xhamisë, u ngjit ndënë Tushet, tek Dobatët, tek kroi i Sulos, tek kroi i Çoçoles e gjer tek Shametatë. Kalldrëmi u ndërtua me gurë të bardhë, jo me gur të zi, si pjesa tjetër e Gjirokastrës. U punua me punë vullnetare të banorëve të lagjes, e kombinuar me punën e disa specialistëve me pagesë. Ky kalldrëm nuk kishte cilësinë e kalldrëmeve të rrugëve të pazarit të qytetit, absolutisht jo, por megjithatë përmirësoi mjaft gjendjen egzistuse të rrugës. U sistemua rruga në gjithë gjërësinë e saj, duke u bërë e kalushme edhe për automjetet si ambulancat etj, si dhe u bë më e qëndrushme ndaj grryerjeve të fuqishme që shkaktonin shirat e rrëmbyer të Gjirokastrës.

Por ky kalldrëm pati dhe një të veçantë. Projektin! Nuk u bë i rrafshët në drejtimin gjatësor të rrugës, si të gjitha kalldrëmet e Gjirokastrës, as i shkallëzuar, por u bë i dhëmbëzuar. Në çdo, rreth një metër gjatësi, ngrihej lart 7÷8 cm, mbi nivelin e kalldrëmit të ri, një rresht gurësh të kalldrëmit në gjithë gjerësinë e rrugës. U argumentua si masë mbrojtëse për të evituar rrëshqitjet e njerëzve kur binte borë e ngrinte në qytet. Në kohën pa borë e ngrica këto “dhëmbë”, të dala mbi kalldrëm, e vështirësonin ecjen. Ky model kalldrëmi të impononte të ecje duke vënë një këmbë në “fushë” e një këmbë mbi “dhëmbin” e dalë. Pra njerëzit, kur ecnin në këtë kalldrëm, dukeshin sikur çalonin, sepse me një këmbë çoheshin më lart, me tjetrën binin poshtë. Shpesh dëgjoheshin të ankoheshin banorët e lagjes, që po bëheshin sakatë me pahir.

– Ç’qe kjo mëndje, xhanëm…?! Pse s’u bë si kalldrëmet e pazarit…? Po na mësojnë si të çalojmë me pahir?!

E të tjera, e të tjera…! Një ditë, kur dolëm së bashku nga shtëpia për në Pazar, dëgjova “sqarimin” që i bëri me humor Zotia një bashkëlagjësi, që po ankohej.

– Projektin e kalldrëmit tonë e ka bënë Moisiu.

Bashkëlagjësi e dinte se Moisiu ishte në kryesinë e Këshillit Popullor të lagjes.

– E ka bënë si për vete, – vazhdoi Zotia -. Këmbën e shkurtër e vë mbi dhëmbët e ngritura të kalldrëmit, të saktën e vë poshtë, midis dhëmbëve. (Moisiu çalonte nga një këmbë) . Është e vetmja rrugë që Moisiu ecën drejt. Nuk çalon fare! Le të çalojmë dhe ne të tjerët nga një çikë!

Bashkëlagjësi, duke qeshur nga sqarimi, tundi kokën dhe i shkoi pas avazit Zotes e i tha:

– Aa, po qe kështu, po, ke të drejtë. Nuk qënka pa kuptim, thuaj. Thaçë dhe unë, si t’u ketë shpëtuar kjo, këtyre s’u shpëton gjë prej gjëje!

 

Ëndrra me doktor Vasilin

 

Kirurgu i famshëm, Vasil Laboviti (Vasili i Madh), pasi përfundonte operacionet në spitalin «Omer Nishani», ngjitej në qytet me autoambulancë dhe pinte kafen në shoqërinë e miqve të tij. Ishte një shoqëri e zgjedhur nga vetë doktori, ku Alizoti zinte një vend të veçantë.

– Do ta rrufisim? – i pyeti Alizoti sapo hynë tek dera e dyqanit.

Doktori nuk u përgjigj. Hiqej sikur ishte i lodhur e i mërzitur.

 – More doktor, nuk të sho mirë, – i tha Zotia – ç’ke kështu, ç’ka bënë vaki?

– Jo, mo Zote, asgjë, – ju përgjigj shkurt doktori, – Asgjë me rëndësi. Thjesht një ëndërr më dëshpëroi shumë dhe më ka lënë të mërzitur. Ju nuk ka pse të shqetësoheni. Në fund të fundit edhe unë që pashë ëndërrën, tani jam zgjuar, prandaj hajde të shkojmë ta rrufisim, siç thotë Zotia.

– Ç’qe kjo ëndërr, që të ka prishur tërë humorin? – u bënë kuriozë të gjithë.

– E mo, lereni se mos i shkrepet të qarët e kush e pushon, s’kemi as shami të pa përdorur, që t’i fshijmë lotët, – u tha Zotia, që e nuhati se nuk ishte serioz problemi.

– Tallu ti, Alizot, se unë për ty kam qarë tërë natën në gjumë, – i sqaroi tërë seriozitet doktori.

– E po tregoje tani! – i kërkuan shokët.

– Pashë në ëndërr, – filloi të tregojë doktori -, sikur na vdiqe ti, o Zote. Kujë e madhe! Unë e përjetova jashtëzakonisht keq. Më vdiq shoku im i ngushtë. T’i bëmë të gjitha nderet, të varrosëm si mbret. Unë vetëm qaja. Të bëmë një qivur madhështor. Unë vija gjithmonë te varri, të vendosja lule. E mos të mbiu një bar i bukur… kur një ditë gjeta një lopë mbi varr, që po hante barin. E largova. Nuk bëri as dy tre metra dhe lëshoi një bajgë! U trondita shumë, vetëtimthi mendova: i ziu Alizot, ishte goxha burrë e u katandis bajgë lope! Bërtita dhe u zgjova i raskapitur, i dërmuar, qull në djersë! Nuk arrija të kuptoja se kisha qënë në gjumë e s’qe veçse një ëndërr e keqe.

Të gjithë, që po e dëgjonin me vëmendje ëndrrën, ia plasën gazit, sapo u kuptua se doktori donte të ngacmonte si zakonisht Alizotin.

– Mbaje veten se je goxha burrë e s’të ka lezet, – ua ndërpreu Zotia gazin -, nuk bëjnë burrat kështu për një ëndërr.

– S’ke faj ti, se ëndrrën e pashë unë e nuk e pe ti, që të të shikonim burrërinë, – ia ktheu si me inat Vasili.

– E ke shumë gabim, – i tha Zotia -, s’është e thënë se duhet të jesh doktor, pa të shohësh ëndrra. Po nga këto ëndrrat në gjumë unë kam parë akoma më të tmerrshme, po ja ku jeni të gjithë ju, s’u kam rënë kurrë në qafë, i kam përballuar vetë, s’e kam dhënë veten ndonjëherë! Ç’ta zgjas, unë mbrëmë kam parë për ty, të njëjtën ëndërr që pe ti për mua, po fundi i saj nuk ishte fare tronditës, përkundrazi, mjaft qetësues. Nuk e vlen fare ta tregosh!

– Tregoje, tregoje, – u sulën të gjithë dhe doktori, që po qeshte.

– Pashë të njëjtën ëndërr, sikur, larg qoftë, na vdiq doktori, Mua më theri!! E kisha mik qerratanë, i mbeta te koka e varit, mezi i mbiu dhe bari, kur gjej lopën duke e ngrënë atë. E shtyva edhe unë lopën e mbeta i nevrikosur. Ajo, duke ikur, lëshoi një goxha bajgë. Më erdhën ciklat dhe afshi i bajgës në surrat. Më ngjau si erë e njohur…! Psherëtiva thellë dhe mendova: I ziu doktor, bajgë qe dhe bajgë mbeti dhe u ktheva në krahun tjetër e fjeta si qengj dhe nja dy orë të tjera.

Gjatë gjithë kohës që Zotia po tregonte ëndërrën, që improvizoi në moment, doktori dhe shokët e ndiqnin me buzëqeshje, por në fund shpërthyen në të qeshura.

(Këtë histori ma ka treguar shoku dhe miku ynë, i ndjeri, Sami Çabej).

 

Vdiq doktor Vejseli!

 

Kishte vdekur në Tiranë doktor Vejseli… Mund të ketë qenë rreth vitit 1955. Zotia e mori vesh lajmin dhe kërkoi hoxhë Hyqmetin. E porositi të japë lajmin në orën 12.00, kur këndonte majë minaresë tek xhamia në Qafën e Pazarit.

Doli hoxha në minarenë e xhamisë dhe bëri ritin e përditshëm, këndoi duke ardhur rrotull minaresë. Dha dhe njoftimin që i tha Zotia.

– Vdiq doktor Vejseli! Vdiq doktor Vejseli!

– Kush mo? – bërtisnin njerëzit nga rruga e Qafës së Pazarit, që nuk e kishin dëgjuar mirë. Hoxha e përsëriti. Poshtë u dëgjua doktor Vasili. U hap lajmi menjëherë në gjith qytetin:

“Vdiq doktor Vasili”!

U shkulën njerzit për t’i bërë respektet e fundit. E meritonte. Ishte humbje e madhe për Gjirokastrën dhe gjithë Jugun. Kishte shpëtuar me qindra jetë njerzish. Po ç’e do, se kish shpëtuar dhe Zoten nga vdekja, kur i kish hequr dy brinjë dhe një pjesë të një mushkërie, pasojë e një infeksioni të ardhur nga dhëmballa. Dhe Zotia, dihej, po të ishte gjallë këto do bënte. Ai nuk kish ndonjë detyrim të njoftonte për vdekjen e doktor Vejselit, por e bëri duke menduar se do të ngatërroheshin njerëzit, siç u ngatërruan.

Njerëzit u tronditën, nuk patën kohë për të bërë analiza, se si qe e mundur të njoftonte hoxha, nga maja e xhamisë, vdekjen e një të krishteri. Po edhe po të bëhej kjo analizë, do të justifikohej me arsyetimin, se hoxha i mirë ka bërë përjashtim për doktorin, nga që Doktor Vasili ka qenë i veçantë dhe ka bërë për të gjithë. Kush e di, mund të jetë operuar dhe vetë hoxha nga doktor Vasili!

Erdhi ora që doktor Vasili të shkonte për drekë nga spitali në shtëpi, në lagjen Varosh Sa zbriti nga ambulanca, u përplas me njerëz që ishin nisur për ngushëllim. Pati nga ata që ju hodhën në qafë nga gëzimi kur e panë gjallë.

– Si është puna? – pyeti i çuditur doktori.

I treguan. U bë e qartë se njerëzit ishin ngatërruar kur hoxha thërriste që lart Vejsel me Vasil, po nuk dinte kush kish ngjitur hoxhën lart.

Me siguri ai, Alizoti! – mendoi menjëherë doktori dhe më vonë e mori vesh që nuk ishte gabuar. Shkoi mbasdite për në librari. Rrugës të gjithë njerëzit e përshëndesnin me më shumë dashuri se më parë. Kishin kaluar një tronditje si për një njeri të familjes, po ja, shyqir Zotit, nuk ishte e vërtetë, Doktori i tyre ishte shëndosh e mirë.

Hyri në librari, i shoqëruar si zakonisht. E pa Zoten me dyshim. Zotia i thirri sa e pa:

– Ç’qe kjo tronditje, ç’qe ki kiamet, që na ra mbi kokë sot, mo doktor? Po ti të marrçin të keqen ata që s’të duan. Dale të dal një çikë të të përqafoj, se s’më besohet që je gjallë! – dhe bëri për të dalë nga banaku i librarisë. – Ti nuk ta merr mëndia se ç’kemi kaluar ne sot, se ti nuk e dije që kishe vdekur. – Po ta dije, pa të shihje!

– Ngadalë, ngadalë, Alizot, se mos thyesh ndonjë dorë a ndonjë brinjë, se nuk dihet si merr sëmundja dhe do ngjitet hoxha prapë në minare…! – ia preu vrullin doktori. – Po hajde ta rrufisim tani.

– Domosdo, kemi sebep. Sot s’do vësh dorë në xhep, doktor. Jooo, kënaqësia është tona që na u ngjalle prapë. Do poguajë një na ne, kush është gëzuar më shumë, se s’qe e pakët kjo që hoqëm, po qofshin të shkuara, ishalla! – vazhdonte në linjën e tij Zotia.

Dolën duke qeshur të shoqëruar nga të qeshurat e gjithë kalimtarëve në rrugë.

 

Shyqyr nga Perëndia!

 

Hynë njeri pas tjetrit në librari, Rustemi përpara dhe e shoqia, mbrapa. Zotes i bëri përshtypje. Rustemi nuk e respektoi si gjithmonë gruan e tij, mjeken e pasionuar e të respektuar në Gjirokastër. Zotes nuk i shpëtonin detajet. Rustemi ishte sa burrë zakoni, aq edhe modern. Bile për këtë të fundit ishte më i dalluar në Gjirokastër. Ishin miq të mirë të Alizotit. Lexonin shumë. Zotia i kishte në vend të veçantë. Ua ruante librat e reja artistike nën banak. Po kështu bënte çmos t’i sillte të shoqes librat shkencorë, mjekësorë, që ajo porosiste në katalogët e librit të huaj në librari.

Çifti u përshëndet me Zoten dhe po shikonin në raftet e librarisë si të përqëndruar… Mungonin buzëqeshjet, munguan bisedat e ngrohta plot humor edhe nga Rustemi, që ishte i atij “zanati “. Zotia po i studionte, duke ju shërbyer dhe klientëve të tjerë. U krijua ambient i ftohtë me praninë e çiftit të heshtur dhe, të pranishmit që qëndronin për muhabete, u larguan një nga një. Mirupafshim Zote. Mirupafshim…

Sapo ngelën vetëm Zotia i pyeti:

– Keni ndruar gjë llafe mo, se ju sho me vetulla të varura si qepenet e dyqaneve. Edhe në mos i keni ulur, deri në fund. S’u futet dritë fare. Ç’qe ata (ç’ne?). Ju s’e keni patur këtë tabiat. Ore, a jeni mirë me shëndet, njëherë? Fëmijët …? Pa të tjerave ju bënet dermani.

– Po jo, mo Alizot, shyqyr Zotit jemi mirë me shëndet, po nganjëherë të pëlcet buzën kjo gruaja time, nuk durohet!

 – Po edhe nevriku jot nuk durohet, – i ndërhyri Zotia për ta thyer -, ti s’e njeh veten tënde, mo Rustem ziu, ti të trëmb edhe kur qesh, pa le kur nevrikosesh. E ç’qe kjo që më bëre, më ndoqe dhe klientët nga libraria, s’ta kam borxh, mik të kam vërtet, po…!

– Zure na të tutë ti tani, – i tha Rustemi -, lena rehat se s’ta kemi oreksin sot. Edhe ti të kemi mangut ne tani.

– More, po vërtet, ç’keni? – i pyeti seriozisht Zotia.

– Po ç’mos kesh me këtë, i kisha lënë një porosi. E doja se s’bën. E harroi! E harroi të thom, mo! Edhe si, sikur s’ka ndodhur asnjë gjë. Ma hoqi trurin fare. Po ky avaz gjithnjë me ne, xhanëm! Po nuk shtyhet kjo punë, kanë një kufi gjërat, të lutem, jo kështu!

 – Ti mund të kesh shumë të drejtë për momentin dhe unë s’dua të të hi në hake, – vazhdoi Zotia të qetësonte gradualisht mikun e tij -, të njëjtin hall kam dhe unë me Feten, (nënën tonë), më shumë harron se sa mban mënd. Po unë e marr më shtruar punën, nuk nevrikosem sa ti, dhe lus Zotin për natë e them shyqyr me kaq.

– Po ç’shyqyr thua ti, mo Zote, shyqyr që kemi gratë harraqe e lum si ne, këtë thua ti?!

– Jo, jo, – i foli si në konfidencë, me zë më të ulët Zotia, që vazhdonte zbutjen e Rustemit -, unë them shyqyr për një gjë tjetër, shumë më të rëndësishme, jetike, Rusteeem.

– O ç’më plase dhe ti mua, – ndërhyri përsëri Rustemi, që nuk po ulej akoma -, po hë mo, na i thuaj, që të lutemi dhe ne të tjerët.

 – Unë them shyqyr i madh që Perëndia ja u ka bënë atë “plaçkën”, të ngjitur pas trupit, se po të qe ndryshe, të zestë ne, o Rustem! Ato do ta harronin lart e poshtë udhëve, siç dinë ato t’i harrojnë gjërat e u’ e ti s’do gjenim derman duke e kërkuar, do na binin këmbët të thom. Po tani qajmë pa rrahur!

E shoqja doli me vrap përjashta, se nuk ja mori mendja se ku do ta nxirrte Zotia daljen e “tunelit”. Rustemi ia plasi gazit dhe harroi fare që kish qënë i inatosur. U përshëndet me Zoten dhe doli jashtë, ku e priste e shoqia. I hodhi krahun dhe vazhduan xhiron e mbrëmjes nga Qafa tek Sheshi e kthenin kokën nga libraria të shikonin Zoten “të lumtur”, për atë të mirë të madhe që u kish siguruar Perëndia. Çudi se si nuk kishin arritur ta vlerësonin vetë këtë të mirë të madhe! Po Zotia si Zotia! Po ku i vete mëndia, xhanëm!

(Këtë histori ma ka treguar z. Thimjo Peçi, në Turizmin e Gjirokastrës, duke pirë kafe së bashku me z. Roland Çene. Në vitin 1996 unë punoja për rikonstruksionin e doganës së Kakavijës dhe shkëputesha në darkë e shkoja tek nëna, që jetonte akoma në Gjirokastër me të voglin, Bashkimin. Kur kaloja tek Sheshi i Çerçizit, e kisha bërë zakon të futesha tek turizmi. Doja të takoja gjirokastritë, qoftë dhe të shikoja fytyra të njohura. Çmallesha. Fati e solli të shoh Rolandin, gjitonin e Palortosë, djalin e lagjes, shokun e mikun tonë. Shkova menjëherë tek tavolina e tyre. Më prezantoi para zotit Thimjo me aq superlativa sa që s’rrija dot në këmbë. Rashë në karrige. Nuk mbanin më gjunjët. U hap muhabeti i Zotes. “Do të të tregoj një histori që i ndodhi Rustemit me Zoten, – më tha -, është një çikë banale dreqi, po nejse, ti tani je i rritur… Unë po rrija si njeri me aftësi të kufizuara, ndonse isha 48 vjeç e bile dhe djali i Zotes! Më në fund vendosi dhe e tha. Qeshëm, e falënderova shumë, nuk e kisha dëgjuar! Më futi dhe mua në silloisje (mendime). Vërtet, po sikur ta harronte mamaja «plaçkën», djali i kujt mund të isha unë?).

 

A e ke pyetur nënën?

 

Që në mëngjes, para se të hapte librarinë, Zotia shkoi te restorantin karshi për të marrë një paqetë cigare. Ishte ora shtatë e gjysëm. Lokali ishte bosh në këtë kohë. Mori paqetën dhe kur po dilte dalloi në profil Rustemin të ulur në tavolinë, në ambientin paralel me hyrjen kryesore. U kthye dhe shkoi ta përshëndeste. Mendoi se po pinte ndonjë kafe nxitimthi. U afrua dhe i thirri: Mirëmëngjesi Rustem!

Rustemi ktheu kokën andej nga erdhi përshëndetja, pa u përgjigjur, sepse gojën e kish plot me makaronat, që ishte duke ngrënë. Zotia u habit kur pa se ai po hante një pjatë të madhe me dopjo makaronë, që në pikë të mëngjesit. Çudi e madhe! Zakonisht gjirokastritët nuk hanin në lokale, përveç rasteve kur uleshin me shokët për të pirë ndonjë gotë, shoqëruar me meze. Por kjo ndodhte më shpesh në darkë. Zotia s’po i jepte dot shpjegim. I qëndroi mbi kokë Rustemit dhe po rrinte i menduar. Ndërkohë Rustemi i mbaroi së ngrëni makaronat, pa lënë në pjatë asnjë fije dhe ju kthye Zotes:

– Pse ke rënë në të thella që pa gdhirë, mo Zote?

– More Rustem mavria, – ju drejtua Zotia, që “mezi u përmënd” nga meditimi, – a të ka shkuar mëndia ndonjëherë?

– Për çfar të më vejë mëndia, mo Zote?

– Ta pyesësh një herë nënën tani sa e ke gjallë…, – dhe po e zvariste muhabetin Zotia, duke ruajtur pamjen e menduar, sikur donte të zbulonte ndonjë enigmë.

– E për se ta pyes nënën?

– Mor, po mos të ka zënë gjë me italianë ti ajo, se me tërë këtë oreks për makarona, pa hapur sitë mirë, nuk i gjej dot shpjegim tjetër unë. Se nuk është për t’i vënë faj dhe asaj të shkretës, Gjinokastra n’atë kohë ishte mbushur plot me italianë.

Zotia përfitoi nga rasti për të ngacmuar Rustemin, por e dinte mirë se ai ishte gdhirë tërë natën tek axhensia e autobuzeve, ku ishte përgjegjës. Ishin ditët kur shkonin studentët në Tiranë me të vetmen mundësi transporti, autobuzat. Me dhjetra e dhjetra njerëz gdhiheshin jashtë tek dera e axhensisë, në radhë për të marrë bileta. Kjo zgjaste dhjetë – pesëmbëdhjetë ditë. U bë një torturë që qyteti e kalonte dy tre herë në vit, kur niseshin studentët. Qëllonte dhe që njerzit të grindeshin mbas gjithë atyre shtyrjeve në radhë, kur kuptonin se përsëri nuk do mund të merrnin biletë, pra do vazhdonin të rrinin në radhë edhe një ditë e natë tjetër. Në këtë situatë, kur mundësitë e shtetit ishin më të vogla se nevojat, roli i Rustemit ka qenë mjaft pozitiv. Bënte çmos për të krijuar alternativa suplementare transporti, qetësonte njerëzit, qëndronte edhe vetë në këmbë dhe garantonte respektimin e radhës tek sporteli i biletarisë, për të mos i lënë shkas rrëmujës. Po kë të sqaroje se, Alizotin?!

 

Duam një qen

 

Në shtëpi kishim një qen të vogël, të bardhë, leshator, shumë lozonjar. Bënte shumë pas Zotes. Dilte e priste tek sheshi i lagjes, hidhej e përdridhej gjithë rrugës. Zotia e donte shumë, i hiqte stresin. Ai i sillte përditë nga pazari ushqim. Ia siguronte në restorante. Emrin ja kishim vënë Dolka. Edhe kur shkonte në punë, Dolka e shoqëronte deri kur Zotia ta urdhëronte për t’u kthyer në shtëpi. Në kohë të mirë e të ngrohtë, shpesh herë, për të shkuar në Pazar, i dilnin nga lart, nga Kallfatët, nën Zekatët, mbi qepariset, në lagjen Teqe dhe vetëm kur arrinin tek shtëpia e Babametove e kthente Dolkën për në shtëpi. Në këtë rrugë, mbi lagjen Palorto, thuajse pa njerëz, edhe Zotia edhe Dolka ishin më të qetë, kishte më shumë natyrë, e cila ishte e pa politizuar, e pa djallëzuar, e sinqertë, nuk provokonte …, e vetmja! Një ditë kur Zotia po kalonte në rrugën e lagjes Teqe, i rrethuar nga kërcimet e ledhatimet e Dolkes, u përshëndet nga Rustemi dhe e shoqia. Kishin dalë të dy në ballkonin e shtëpisë dhe po kënaqeshin me pamjen e gëzushme të kones simpatike e lozonjare që po shoqëronte të zotin. Vetëm kur u afruan njohën Zoten. S’ju besonin syve. Ç’ne Zotia nga kjo rrugë? Po ky qen kaq i lezetshëm…! Pasi u sqaruan e pyetën:

– Tëndin e ke këtë, mo Zote?

– Të shtëpisë, – ju përgjigj Zotia, që s’i erdhi mirë nga formulimi i pyetjes, “ tëndin”, sikur e pyetën për ndonjë fëmijë.

– Ke tjetër si ky?

– Jo, vetëm këtë kam… Dolka, Dolka, mos! – i tha Zotia, që ndërkohë i thërriste dhe qenit.

– Femër është apo mashkull?

– Femër, femër, nuk e sheh si hidhet e përdridhet?

– Kur të pjellë, do na japësh ne një kulish patjetër.

– Po mo, sa të pjellë e keni kulishin në shtëpi.

– Po ne e duam një çikë shpejt, e keni gjë me barë, mo Zote?

– Po jo mo, tani sa e kemi fejuar. S’është na ato! E di se nga ç’derë do dalë nuse.

– Po të pyesim seriozisht, nuk po tallemi, – tha, duke qeshur Rustemi.

– Unë s’di të jetë me barrë, po do kuptohet, do takohemi, do t’ja u japim sihariqin, s’ja u zë njeri radhën, qoftë dhe sikur një kulish të bëjë. Na, na Dolka, na… – po i thërriste qenit Zotia.

E shoqia po bisedonte me zë të ulët me Rustemin. I mbeti syri tek konia, që të merrte mëndjen me sjelljen e saj tepër lozonjare. Mendoi se Zotes do t’i delte nga mendja dhe ju drejtua vetë për ta përforcuar kërkesën.

– Alizot, të lutem, ta marrësh seriozisht, ne duam një kone si kjo, por e duam shpejt.

– Nga unë një kone ju do ta merrni se s’bën, e thamë atë punë, po po e deshët kaq shpejt, le ta marrë sonte Rustemi Dolkën, ta mbajë nja dy net dhe problemi është i zgjidhur. Dhe këtë nder unë e bëj më shumë për Ti se sa për Rustemin, se atij s’ja kam merakun, e njohin dhe kone të tjera! – tha Alizoti dhe u largua se ju bë vonë për në punë, duke e lënë fushën të minuar.

 

Antenat

 

Kishin dalë televizorët e parë. Prodhoheshin në Durrës. Ibrahimi siguroi një autorizim në Përmet. Të dy grumbulluam lekët me shumë vështirësi, me hua e llotari ndërmjet shokësh dhe blemë një televizor për prindërit në Gjirokastër. Ishte ndër televizorët e parë në lagje. Në ato fillime u kthye shtëpia në kinema. Vinin gjitonët për të parë filmat. Qëllonte që t’i zinte dhe gjumi e ndonjë të gërhinte. I kishim gjitonë të mirë. Nuk të rëndej gërhitja e tyre. Nuk kishte vend ajo fjala, jo shumë e urtë: “Gjitoni bëhet i mirë vetëm kur fle!”, sipas të cilës do të thuhej: Hallall gërhitje kur fle, po ç’t’i bëj kur hap sytë! Jo, i kishim vërtet gjitonë të mirë.

Ishte bërë problem i ditës antena e televizorit. Nuk ishte ndërtuar akoma rrjeti i antenave të transmetimit. Sinjali ishte i dobët. Televizorët merrnin me “miza”. Vetë shteti, e prodhonte të gjymtuar televizorin, që të mos merrte asnjë stacion të huaj veç Tiranës. Të gjithë bënin përpjekje individuale me sajesa, që u quajtën “kanoçe”, për të kapur stacionet e huaja. Vendoseshin antenat midis tavanit dhe çatisë, që të mos dukeshin, se gjeje belanë me Pushtetin. Por s’na ndaheshin “mizat”. “Mizat” që gjurmonin antenat dhe “mizat” nga ekrani. Në këtë kohë doli dhe ajo shprehja e humorit: Tani ma merr shumë pastër figurën ekrani i televizorit! Po si ja bëre për mizat? E kam zgjidhur, i jap një spërkatje me flybol mizash ekranit para se ta ndez atë! Ishte pikërisht kjo kohë, kur Zotia ishte nisur nga libraria për në shtëpi. Zbriti Qafën e Pazarit dhe vuri re se mbas tij, në distancë, po vinte mësuesi i vjetër i biollogjisë. Zotia e dinte sa kurioz bëhej, ndaj u kthye djathtas dhe u fut tek dyqani i Jorgos, radioteknikut të televizorëve. E kishte mik. I tregoi se u fut kot, vetëm për t’i tërhequr vëmendjen mësuesit, që ishte duke zbritur rrugën.

– Ti mbamë iso, Jorgo, se do bëjmë një provë, t’i krejmë florinjtë e profesorit nga sepetet, ku i ka fshehur, – i dha “detyrën” Zotia.

 – Hë mo ç’bëni, si veni? – pyeti sa hapi derën mësuesi, që kurioziteti e çoi tek dyqani i riparimit të radio – televizorëve.

– Hiç, mo profesor, – i foli Zotia -, po llafosim me Jorgon për antenat e televizorit. Ç’ke bënë ti, si ja shpie? – Po leje mo, tani, se si ja shpie unë, po llafosni, se të tërë jemi të interesuar për ato të shkreta antena – ju përgjigj mësuesi duke treguar padurim për atë temë diskutimi.

– E, që thua ti Jorgo, se ta laç muhabetin gjisëm, – vazhdoi Zotia -, unë shpëtova një herë e mirë, mblodha mënden e kokës, s’hypi më majë çative, se kemi shpëtuar kot pa u lukurisur. Ku paskëshim qënë më përpara. I kishim në shtëpi e s’i përdornim, se kujt ja mbante, të thuaç të drejtën. Të paktën të na bëjnë një punë, thaçë me vete, se do na venë fare dëm! Po edhe ti, ama, s’ma kishe shturë në vesh këtë punë, Jorgo, apo s’e dije as vetë? Se si ma dha truri nuk e di ç’të thom! Po vetëm me një lugë e një pirun të lidhura me antenën prapa perdhesë, të thom mo. Çudi e madhe! Nuk ma mban t’ia thom dhe njeriu tjetër, se gjejmë belanë.

– Po tani si të merr televizori? – e ndërpreu Jorgua si i kapur në faj, që nuk e kish ditur këtë “zgjidhje origjinale”, ndërsa profesori ishte bërë i tëri vesh, për të dëgjuar bisedën interesante për antenën e televizorit.

– Ke lezet të shohësh ekranin, ti bie njerëzit të gjallë brenda në oda të thom, s’ke ide, – tregonte gjithë entusiazëm Zotia.

– Ç’është kjo mo, ç’është, ç’derman i ke bënë, mo Zote ziu, mor i paudhë, që s’ndëjte rehat një herë, ç’ke katranosur prapë, more lanet? – pyeti përsëri me kuriozitet mësuesi.

– Ama, shumë interesante, Alizot, – i shtyu urët në zjarrin e muhabetit Jorgua -, dihet që floriri është përcjellës i mirë i elektricitetit, por nuk e dija që të bënte këtë punë.

– Mbase nuk është i njohur për këtë punë nga bota, se është shumë i kushtushëm dhe bota s’është e marrë, që ta përdorë floririn për antena. Do ta kenë zgjidhur ndryshe besoj, – i tha Zotia.

– Po ç’është, mo, se më plasët! Thuaje tamam, mo Zote, ta marr vesh dhe unë, se do të të kisha vënë një dish të mirë, po të ma thoshje mësimin kështu, gjisma, gjisma në klasë, – pyeti duke iu hakërryer mësuesi.

– Pse, s’e more vesh akoma ti, – e pyeti si i çuditur Zotia dhe vazhdoi t’ia shpjegojë me zë të ulët -, kam përdorur për antenë një lugë e një pirun floriri. Kaq! Dhe s’të kam thënë gjë, ta diç! – pastaj u kthye nga radiotekniku dhe i tha:

– Ku na gjeti ki dreq këtu në këtë palo muhabet?! Po na ki s’ruhem u! Ndërkohë mësuesi po vinte rrotull të thoshte diçka.

– More, po me lugë e pirunj të ergjëntë a do bëhet njëlloj puna, si thoni? – pyeti radioteknikun mësuesi.

– Nuk e besoj, – i tha Jorgua, që kish marrë detyrë nga Zotia t’i hapte gjithë sepetet e mësuesit të vjetër.

– Po me fije të holla floriri mund të realizohet? – pyeti pas pak mësuesi.

– Besoj se po, – iu përgjigj Jorgua -, por unë nuk ta bëj dot, nuk ngatërrohem me këto punë, se gjej belanë dhe unë dhe ti. Kemi fëmijë për të rritur!

– Nuk ta thaç me atë kuptim, mo. Puna është që ta di unë, pastaj e bëj vetë, se ju e dini që mua më vjen ndore për të tila punë, – tha me mirënjohje dhe seriozitet mësuesi.

U ndanë po s’morën vesh se si i shkuan provat mësuesit. Nuk i qeshte buza ca kohë kur këmbeheshin me të.

 

Ekrani i televizorit

 

Kishte dalë një artikull shkencor në revistën “YLLI”. Ishte artikull i shkurtër me përmbajtje të natyrës së kuriozitetit shkencor. Bënte fjalë për skemën elektrike të televizorit, për tension të lartë në rrjetin e brendshëm të saj, si dhe rrezikun e plasjes së ekranit me një propabilitet të ulët, por të mundshëm. Unë isha i vogël dhe nuk kujtoj me saktësi përmbajtjen e artikullit, por kujtoj se njohja e lexuesve me këtë artikull u pasua nga një shqetësim i justifikuar. Dhe kjo, jo se gjirokastritët e ruajnë by… shumë, siç thuhet ndoshta pa të drejtë për ta, por revista ku qe shkruar artikulli ishte më seriozja e asaj kohe.

Dëgjoja diskutimet që bënin të rriturit në librari, ku nuk mungonte fantazia, meraku i tepëruar, qesëndia, grotesku e humori karakteristik.

More, mirë për tensionin e lartë u mor vesh, që s’do futur duart në të, po për ekranin si i bëhet hallit? Pse s’thoni që kemi blerë belanë me para, apo e blemë dhe pak! Prit një çikë mo, se propabiliteti i plasjes së ekranit është shumë i ulët, nuk duhet dramatizuar. Mirë, mirë thua ti, po ku ta di unë, që s’jam u ai i propabilitetit. Ja të plasi, ku o futeç? Ai ekrani do bënet lila (copë, copë; thërrime)! Ke gjithë fëmilën që ja ke rrjeshtuar përballë televizorit, si tabellat e qitjes në zbor. S’di ç’të bëjë i ziu njeri, përpiqet për mirë, po meazalla, do dalë një gjë, do bënet sebep diçka, që ta prish midenë, ta çon mundimin dëm. S’dimë dhe kë të pjesim për këtë rrezik, se mos biem dëshmorë në krie të odasë! Mos mbaj shpresë kot, se dëshmor s’të bën njeri, po s’pate biografi. Nuk quhe dëshmor, kur she televizor!

Të pjesim një herë filanin, çoç merr vesh ai na këto punë. Mos ma zër n’golë rremashin (gënjeshtarin)! Le që s’honepset (duronet) as si njeri, jeshil i tërë. Ç’o bëjmë, më tha gruaja prëmë? Sakën se e hap i thaçë, o presim sa të pëlcasë një, mos ta hamë ne të parët. Jo për gjë, po s’o t’i vijë keq njeriut. Hajde të duroç dhe qesënditë e botës, që s’kanë televizor. Mir t’u bënet, do thonë, se nuk ju takonte ature televizori i parë. Po del e drejta, del, vetëm duro, se me hatër e morën, se janë të ilimaksur, vetëm mos u shohë siri gjë se copa bëhen, të shkelin me këmbë, po ne na marrin të keqen më keq se ç’na i morën!

– Ç’thua ti, mo Alizot, nuk e ke këtë merak si ne? – e pyetën më në fund dhe Zoten.

– Fare! – i tha Zotia, duke i lënë të gjithë me gojë hapur.

– Pse, nuk të pëlcet ti, mo Alizot? – e pyeti gjithë qesëndi një nga diskutantët alarmantë.

– Jo mo, më pëlcet që ç’ke me të, dhe mua si gjith të tjerëve, njësoj i kemi ato që pëlcasin, domethënë televizorët, po nuk më bën zarar, – ju përgjigj qetë, qetë Zotia, që vazhdonte t’i habiste të pranishmit.

– Ati më rri, – i tha Zotes bashkëbiseduesi -, po atë hallin e zararit po diskutojmë ne, atë na thuaj ti, pse s’të bën zarar, apo dhe po të goditi ti, s’bënet kiameti!

– Ke shumë të drejtë për këtë, po unë e zgjidha për të tjerët në shtëpi e me atë rast do shpëtoj dhe për vete.

– Po si ja bëre, mo Alizot, aman të keqen, mos dëgjo këtë budallanë, që e ka mbyllur fare televizorin e na ana tjetër shet edhe mënde.

– Unë e ndjeva rrezikun që në fillim, – filloi t’u tregojë Alizoti. – Po mendoja t’i vë përpara ekranit një mbrojtëse, që të presi copat e xhamave dhe të mos pengojë të shikoç ekranin. Ç’t’i vë, ç’t’i vë dhe isha kumbisur (mbeshtetur) karshi penxhers së vogël të guzhinës. Kur fap, ma dha truri. E gjeta thaç me vete. Zgara metalike e penxheres! E mata. Tamam! Vura për ta hequr dhe ja kam vënë televizorit përpara. U prëjtëm ju thom, ramë rehat se, sa herë jepte filma me luftë, me shpata e heshta, na thahej gjaku, na dukej sikur do ma çanin ato ekranin! Vate ekrani, thoshja me vete, sa herë burri i botës e drejtonte koburen na ana tonë.

– Po nuk pengon një çikë ajo zgara, mo Alizot? – e pyeti me dyshim njeri.

– Në fillim na mërziti, ç’është e vërteta, po pastaja u mësuam.

 – Po kur të vjen ndonjë mik si ja bën? – e pyeti tjetri.

– Kur vjen miku e heqim zgarën doemos, po ama mikun e vëmë përballë, e respektojmë dhe ne të tjerët rrimë anash, që ta lëmë mikun rehat.

– Po… po sikur të pëlcasi? – e pyetën përsëri.

– Ah, po plasi atë ditë, le ta marrë mikun në lule, se s’kemi ç’t’i bëjmë tjetër, nuk i kemi nonjë faj, respektet ja bëmë të gjitha! – u përgjigj i qetë Zotia, që i kish dalë borxhit mikut.

Qeshën me Zoten, po jo të gjithë, se pas disa ditësh i erdhi haberi Zotes në librari: Filani kish bënë fjalë me djalin e tij, që u çudit kur pa babanë të shkulte zgarën metalike të dritares së vogël në shtëpi. Ishin bënë thjamë me njeri jatrin. U bënë për t’i ndarë mëhalla. Dëgjohej djali, që i thërriste me zë të lartë:

“Po pse mo, Alizotin vajte dëgjove ti? Dhe shi, se mos të merr perëndia mënden e vete i thua Zotes, se na i nxorre bi…. në diell, t’i bëjë sehir gjithë Gjirokastra”!

Please follow and like us: