Gjenocidi armen: Karekin II, “nderim i martirëve të shenjtë që dhanë jetën për fe e atdhe”
R.SH. – Vatikan
“Nderojmë martirët e Shenjtë të gjenocidit armen, që dhanë jetën për dashurinë ndaj fesё dhe atdheut”. Kёshtu u shpreh Shenjtëria e Tij Karekin II, Patriarku suprem e Katolikos i të gjithë armenëve, në një mesazh drejtuar “popullit tё dashur armen në vend dhe në diasporë” me rastin e përkujtimit të gjenocidit armen.
Sivjet bie 105 vjetori i kёsaj ngjarje tё tmerrshme, dje, mё 24 prill: në fakt, fillimi i masakrës daton që nga viti 1915, me deportimet dhe eliminimet e armenëve kryer nga Perandoria otomane që shkaktoi vdekjen e rreth 1.5 milion njerëzve.
“Gjatë gjenocidit, ka shkruar Patriarku suprem Karekin II – populli ynë u dëshmitar i masakrës sё një milion e gjysmë tё bijve armenë, dëshmitar i shkatërrimit tё vlerave tona kombëtare e shpirtërore, tё tempujve tanë, tё manastireve e kishave, tё fshatrave e qyteteve tona. Shumë e kanë humbur atdheun e tyre historik ” dhe janë detyruar të largohen në mërgim, jashtë vendit.
Gjenocidi armen, i njohur edhe si “E Keqja e Madhe”, apo “Krimi i Madh”, siç quhet nga vetë armenët (Medz Yeghern), përfshin shfarosjen sistematike nga ana e qeverisë otomane të pakicave armene, brenda territoreve të tyre historike, që sot ndodhen në Republikën aktuale të Turqisë. Në të vërtetë, njihen dy fushata të mëdha kundër armenëve: ajo e Sulltanit Abdyl Hamid II në vitet 1894-1896 dhe shfarosja e armenëve në vitet 1915-1916. Termi “genocid” i referohet kryesisht episodit të dytë. Numri i përgjithshëm i viktimave vlerësohet nga 1 deri në 1.5 milion.
Dita, që konsiderohet nisja e genocidit, është 24 prilli 1915, kur autoritetet otomane arrestuan 250 intelektualë dhe krerë bashkësish armene në Kostandinopojë. Masakrimi i armenëve vazhdoi gjatë dhe pas Luftës I Botërore, në dy faza: vrasja e përgjithshme e burrave të aftë për punë, përmes shfarosjes dhe punës së detyruar, ndjekur nga internimi i grave, fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurëve, të cilët, në karvanë të gjatë vdekjeprurës, u detyruan të kalonin shkretëtirën siriane. Të shoqëruar nga skuadra ushtarësh, të internuarit nuk furnizoheshin as me ushqim e as me ujë. Herë pas here, i vidhnin, i rrëmbenin e i masakronin. Edhe grupe të tjera të krishtera, si asirët dhe grekët, pësuan të njëjtin fat. Armenët kanë diasporë në të gjithë botën, pikërisht për shkak të këtij genocidi.
Konsiderohet një nga genocidet e para të kohës sonë, për shkak të organizimit të paramenduar të shfarosjes së armenëve nga ana e Triumviratit (Tre pashallarëve në krye të Perandorisë Otomane) dhe është më i studiuari pas Holokaustit të hebrenjve në Luftën II Botërore. Fjala “genocid” u përdor për herë të parë pikërisht për të përshkruar shfarosjen e armenëve.
Turqia, shteti pasardhës i Perandorisë Otomane, e mohon fjalën genocid për shfarosjen e armenëve, pavarësisht se vitet e fundit, mëse një herë, i është bërë thirrje ta njohë këtë njollë në historinë e vet. Deri më sot, 22 shtete e kanë njohur zyrtarisht vrasjen masive të armenëve si genocid, term i pranuar tashmë nga shumica e studiuesve dhe historianëve. Një ndër 22 shtetet është edhe Vatikani. Ç’është më absurde, vetë Perandoria Otomane, me vendim të Gjykatës ushtarake turke, në vitet 1919-1920, e njohu genocidin kundër armenëve dhe i dënoi me vdekje autorët. Megjithatë, gjatë rilindjes turke, të gjithë atyre, që gjykata i konsideroi fajtorë në vitin 1921, iu dha amnistia. Kështu, qeveria e mëpasme turke, nën Mustafa Qemal Ataturkun e mohoi genocidin kundër armenëve.
Shtetet, që zyrtarisht, njohin genocidin armen, përveç vetë Armenisë:
Argjentina, Belgjika, Bolivia, Kanadaja, Kili, Qipro, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Lituania, Libani, Vendet e Ulta, Perandoria Otomane (në vitin 1919), Polonia, Rusia, Sllovakia, Suedia, Zvicra, Uruguaj, Selia e Shenjtë, Venezuela. Në disa prej këtyre vendeve, mohimi i genocidit konsiderohet krim dhe dënohet me burgim. Ndërkaq, genocidi i armenëve njihet edhe nga shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare, si edhe nga shtete, që në rezolutat e tyre nuk kanë përdorur fjalën “genocid”, por “masakrim” ose të ngjashme. Në vitin 1987, Parlamenti Evropian njohu genocidin armen e mospranimi i tij nga ana e Turqisë është një nga pikat, që e frenojnë rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.