Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Dy fjalë për Ibrahim Vasjarin!

Sadik Bejko me Ibrahim Vasjarin.

Ibrahim Vasjari.
Sot ai ka ditëlindjen.
Ai është pasardhës i një familjeje me emër. Paraardhësit e tij ishin gjeneralë në ushtrinë e Ali Tepelenës, Ago Vasjari. Veis Vasjarit i del emri në kryengritjet e Tanzimatit. “Vanë ata burrat e parë/çelua me Vis Vasjarë”. Vasjarët e kësaj familjeje dalin në radhët e burrave të Lidhjes së Prizrenit për Tepelenën.
Babai i Ibrahimit, Syrja bej Vasjari, studioi në Francë dhe u kthye prej andej me diplomën e inxhinierisë agrare. Punoi në bashkinë e Tepelenës në vitet ’30. Si patriot antifashist, ai luftoi me çetën e tij nacionaliste në krahë të partizanëve. Shtëpia e tij u dogj nga pushtuesi. Në vjeshtën e vitit 1943 ai u tërhoq nga lufta.
Më 1948 atë me akuza të montuara e pushkatuan në krahë të ish-komisarit partizan, bashkëluftëtarit, Zenel Shehut, bashkë me prifti atë Gjergj Suli me klerikët bektashinj baba Ali Tomorri, baba Shefqet Koshtani.
Ibrahim Vasjari jetoi në Vlorë te gjyshi i tij nga familja Dalani. Punoi si arsimtar. Më 1991 ishte ndër themeluesit e PD Vlorë.
Nga 1992-96 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ka shkruar libra, analiza politike, ese. Veçohet për stilin e hollë e plot meditim poezia e tij. Proza e tij, romani mbi ngjarje të luftës e deti në vitet pas saj, ka shijen e një balade.
Eseistika e tij gërsheton mendimin e shtruar me humorin që rrëshqet padukshëm nën rreshta.
I uroj jetë të gjatë dhe qoftë ashtu plot shëndet dhe dashuri për jetën, për familjen, për miqtë!
Please follow and like us: