Dita e fundit e Kryeministrit David Cameron në detyrë
Që sot David Cameron nuk është më kryeministër i Britanisë, pasi doli për herë të fundit para parlamentit, dhe i dorëzoi dorëheqjen Mbretëreshës Elizabeth. Ndërkohë banorët e Londrës thonë se shpresojnë që Theresa May të bashkojë vendin e përçarë, kur të pasojë zotin Cameron. Ajo përballet me detyrën e vështirë të realizimit të shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Sot pasdite zoti Cameron shkoi në Pallatin Mbretëror për t’i dorëzuar dorëheqjen Mbretëreshës Elizabeth duke i hapur rrugën betimit të kryeministres së re Theresa May.
Më herët, ai dorli për here të fundit para anëtarëve të Dhomës së Komuneve, që ishte edhe më e zhurmshme se zakonisht, në një atmosferë me humor, me shaka pa të keq me kryeministrit dhe anëtarëve. Zoti Cameron e filloi seancën me një shaka për statusin e tij të pritshëm si i papunë.
“Zoti kryetar, sot në mëngjes u takova me kolegët e qeverisë dhe të tjerë. Përveç një takimi pasdite me madhërinë e saj, Mbretëreshën, axhenda ime për pjesën tjetër të ditës, është pothuajse e zbrazët”.
Zoti Cameron dhe udhëheqësi i laboristëve të opozitës, Jeremy Corbyn që kanë sulmuar shpesh njëri-tjetrin sot shkëmbyen batuta me njëri-tjetrin.
Zoti Corbyn, pastaj mori një ton serioz.
“Është veprimi i duhur që pas gjashtë vjetësh si kryeministër, ta falenderojmë zotin Cameron. Shpesh nuk kam qenë dakord me të, por dua ta vlerësoj për disa nga arritjet e tij”.
Zoti Cameron, tha se qeveria po punonte me përkushtim që të garantonte qëndrimin e banorëve të Bashkimit Evropian në Britani, pas votimit në referendum për të dale nga organizata, por shtoi se kjo do të varet nga reciprociteti për banorët e Britanisë në BE.
Disa banorë të kryeqytetit britanik thane se do t’u mungojë shumë Cameron, që ka drejtuar qeverinë që në vitin 2010.
“Mendoj se ka bërë punë të shkëlqyer, do të na mungojë sespe është burrë shteti, ishte një kryeministër që ka lënë shembullin se si duhet vepruar”, thotë pensionisti David Firminger.
“Mendoj se ishte shumë i zoti. Bëri shumë gjëra për ne, bëri të mundur miratimin e shumë ligjeve. Me vjen keq që po largohet por edhe Theresa May është e zonja”, thotë Maryan Sharma, një infermiere.
Por të tjerë e akuzojnë se e zhyti Britaninë në “kaos” gjatë gjashtë viteve në detyrë.
“Mendoj se ka shkaktuar kaos në gjithë vendin dhe tani ndoshta vendoset një farë strukture”, thotë Sarah.
Ka të tjerë që e shohin me pak më shumë nuancë qeverisjen e Cameronit, duke thënë se megjithëse ishte kryeministër i mire, vendimi që mori për referendumin i doli kundër.
“Nuk mendoj se përfundoi mire, mendoj se njerëzit janë ndoshta disi të zhgënjyer nga largimi i tij”, thotë Alex Kirby.
Me ardhjen në detyrë të Theresa May-t, disa banorë të Londrës po e kthejnë vështrimin tek parashikimet për mënyrën e saj të qeverisjes.
“Do të marrë shumë kritika në fillim, më shumë sesa Cameron sepse do t’i duhet ta transformojë vendin përsëri. Kur Cameron mori detyrën nga Blair, iu desh të rregullonte gjithçka nga fillimi. Të njëjtën gjë do të bëjë tani Theresa May”, thotë pensionisti Nick Cutter.
“Po pres me padurim që të marrë detyrën Theresa May. Mendoj se do të përmirësojë gjithë klimën në vend”.
Gazetat britanike kishin filluar spekullimet sot për emrat që do të përfshirë zonja May në kabinet, duke parashikuar se një rritje të numrit të grave.