Albspirit

Media/News/Publishing

NYT: Putin përballet me një zgjedhje të zymtë

Rusia mund të marrë kontrollin mbi Ukrainën ose të mbajë lidhje të forta ekonomike me Evropën. Por e ka të vështirë t’i bëj të dyja.

BRUKSEL – Ndërsa angazhohet në diplomaci shtrënguese me Perëndimin, Presidenti Vladimir Putin përballet me një zgjedhje të zymtë: Ai mund të zgjedhë të bëjë një lëvizë ushtarake për të kontrolluar Ukrainën ose të zgjedhë të ruaj lidhjet ekonomike me Evropën. Por ai e ka të vështirë t’i bëjë të dyja njëkohësisht.

Për mirë apo për keq, marrëdhënet e Evropës me Rusinë janë marrëdhënie ndërvarësie.

Evropa ka ende shumë nevojë për gazin dhe naftën ruse, ndërsa Rusia për të ardhurat nga shitja e tyre. Gazi rus përbën 40 për qind të furnizimeve të kontinentit Evropian – në Gjermani përbën më shumë se 55% të furnizimit me gaz dhe 25% të furnizimit me naftë. Në të njëjtën kohë, Rusia ende mbështetet shumë në të ardhurat nga shitjet e sektorit të energjisë, të cilat përfaqësojnë më shumë se 30% të ekonomisë së saj dhe më shumë se 60% të eksporteve të saj.

Kjo do të thotë se edhe nëse vendosen sanksione, Evropa do të duhet të vazhdojë të blejë energji ruse, pavarësisht nëse gazsjellësi “Nord Stream 2”, i cili është projektuar për të sjellë gazin rus në Evropë duke anashkaluar Ukrainën, do të hyjë në funksionim apo jo. Kjo do ta detyrojë kontinentin më pas që shumë më shpejt të diversifikonte burimet e furnizimit me energji për t’u shkëputur nga vartësia e Moskës, duke përshpejtuar kalimin drejt energjive më të qëndrueshme.

Megjithë afrimin ndërmjet Rusisë dhe Kinës, siç u dëshmua nga deklarata e jashtëzakonshme e përbashkët, e bërë nga Putin dhe lideri kinez Xi Jinping javën e kaluar në Lojërat Olimpike, tregut kinez do t’i duheshin shumë vite për të kompensuar humbjen e Evropës.

Alexander Gabuev, kryetar i programit “Rusia në Azi-Paqësor” në Qendrën Carnegie në Moskë thotë se Putini pa dyshim që do t’i drejtohej Kinës. “Nëse një luftë e re ndodh në Ukrainë, Vladimir Putin do të ketë nevojë për një mik, dhe ai mik do të jetë aleati, fqinji dhe shoku i tij i pasur Xi Jinping”, tha z. Gabuev.

Të dy vendet po përpiqen të paraqesin një front të bashkuar kundër ndikimit global të Shteteve të Bashkuara, si në Evropë ashtu edhe në Azi. Por se sa Rusia dëshiron të largohet nga tregjet e saj evropiane dhe sa Kina dëshiron të zemërojë evropianët, mbeten pyetje të hapura. Forcimi i marrëdhënieve Rusi-Kinë – thotë A. Gabuev – gjithnjë e më shumë po bëhen si kundërpeshë ndaj Uashingtonit, “por ajo nuk është një aleancë ku të dyja palët mbështesin njëra-tjetrën për gjithçka”.

Kina, gjithashtu, ka interesa të rëndësishme tregtare dhe diplomatike në Evropë, të cilat nuk do të dëshironte t’i vinte në rrezik duke përqafuar nga afër një Rusi agresive, dhe Pekini ka qenë gjithmonë një mbështetës i vendosur i kufijve ndërkombëtarë dhe kundër ndërhyrjeve të jashtme. Ndërsa Pekini dhe shumica e botës e konsiderojnë Tajvanin një pjesë të Kinës, Ukraina është një rast krejtësisht i ndryshëm.

Një shkëputje e madhe me Evropën mund të zgjasë deri në një dekade, dhe do të dëmtonte besueshmërinë e Rusisë, si një partner i besueshëm tregtar dhe diplomatik.

Kjo e rrit rëndësinë e Bashkimit Evropian dhe vullnetin e saj për të sanksionuar Rusinë si një mënyrë për të penguar Putinin. Përforcimet e trupave të NATO-s në Evropë kanë më shumë për qëllim të demonstrojnë vendosmërinë se sa për pengimin apo ndalimin e një sulmi. Askush nuk pret që Rusia të testojë angazhimin e NATO-s për mbrojtjen kolektive të anëtarëve të saj, të cilët, natyrisht, nuk përfshijnë Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu mund të zbatojnë sanksione të rëndësishme ekonomike, veçanërisht mbi bankat ruse dhe importin e pjesëve kryesore teknike, si gjysmëpërçuesit. Por Shtetet e Bashkuara kanë relativisht pak tregti me Rusinë në krahasim me Bashkimin Evropian, i cili është partneri më i madh tregtar i Rusisë.

Pra, mënyra se si Bashkimi Evropian zgjedh të ushtrojë fuqinë e tij ekonomike ka rëndësi, kjo është arsyeja pse administrata e Biden ka shpenzuar kaq shumë kohë duke informuar dhe punuar me evropianët.

Dhe pavarësisht dallimeve midis vendeve evropiane, të cilat do të paguanin çmimin më të madh për sanksionet dhe çdo kundër – sanksion rus, kohëzgjatja e kësaj krize ka mundësuar negociata thelbësore për një paketë serioze sanksionesh. Zyrtarët evropianë kanë ndërtuar atë që ata e konsiderojnë një paketë bazë të fuqishme sanksionesh nëse Rusia pushton Ukrainën, me opsione për ta rritur atë, në varësi të asaj që do bëj në të vërtetë Putini.

Qeveria e re gjermane, me koalicionin e saj trepalësh, tani ka pasur kohë të debatojë çështjen brenda vendit dhe të angazhohet për një paketë serioze sanksionesh, duke përfshirë edhe gazsjellësin e ri Nord Stream 2. Tashmë, miratimi gjerman i gazsjellësit ka qenë i ngadalshëm deri në të paktën këtë verë, dhe Presidenti Biden duke folur së bashku me kancelarin Olaf Scholz në Uashington këtë javë, tha: “Nëse Rusia pushton – që do të thotë që tanket ose trupat të kalojnë përsëri kufirin e Ukrainës – atëherë nuk do të ketë më një Nord Stream 2″.

Nga ana tjetër, edhe Evropa është e ndjeshme ndaj kundër – sanksioneve ruse, dhe jo vetëm nga ndërprerjet e flukseve të energjisë, të cilat Moska mund t’i justifikojë për shkak të aksidenteve ose dëmtimeve të tubacioneve dhe jo për një shkelje të hapur të kontratës. Për Evropën edhe disa ditë ndërprerje të gazit do të rrisnin çmimet tashmë të larta të energjisë, duke mërzitur votuesit dhe duke krijuar panik në tregun e aksioneve”.

Por Evropa varet nga Rusia edhe për lëndë të para të ndryshme të rëndësishme, si nga paladiumi, titani e deri te potasi, një eksport i madh i Bjellorusisë kritik për prodhimin e plehrave kimikë. Çështja – tha një zyrtar i lartë evropian – është të sigurohet që Rusia, objektivi i sanksioneve, të ndjejë më shumë dhimbje se sa evropianët.

Pra zyrtarët e BE-ë po diskutojnë se cilat vende mund të lëndohen më shumë nga sanksionet apo nga ndonjë përgjigje ruse dhe çfarë mund të bëjë Brukseli për të kufizuar dhimbjen. Kroacia dha një shembull të mirë pasi Rusia u godit nga sanksionet e BE-së në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë dhe rrëzimit të një avioni malaizian nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore. Kroacia u ndikua nga kundërsanksionet ruse, duke përfshirë ndalimin e disa importeve ushqimore, dhe Brukseli më pas punoi me Zagrebin për të minimizuar humbjet. Si gjithmonë, shumë gjëra varen nga Putini!

Nigel Gould-Davies, një ish-diplomat britanik tani në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, mendon se kjo periudhë e presionit diplomatik “nuk është një alternativë ndaj agresionit, por një prelud i mundshëm”. Por përgjigja e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës ka qenë çuditërisht e fortë, shkruan ai, duke reduktuar opsionet e zotit Putin, ndërsa Ukraina po shkon më shumë drejt Perëndimit. Tani – thotë ai – “agresioni është opsioni i vetëm që nuk është i sigurt se do ta lërë Rusinë në një pozitë diplomatike më të keqe se përpara krijimit të kësaj krize”.

Dmitri Trenin, drejtori i Qendrës “Carnegie” për Paqen Ndërkombëtare me seli në Moskë, nuk është aq i sigurt. Zoti Putin mund shumë lehtë mund të shpallte një fitore diplomatike, duke thënë se ai (Putini) ishte në gjendje të “detyronte Perëndimin të negocionte përfundimisht me ne për çështjet e sigurisë evropiane”. Kjo përfshin ringjalljen e marrëveshjeve të Minskut, të cilat hapin rrugën për një Ukrainë më federale dhe një armëpushim të qëndrueshëm atje.

Ose, Putini mund të luaj me kartën e fuqisë ushtarake – gjë që Dimitri Trenin e konsideron si të pamundur – duke pasur parasysh rrezikun e gjakderdhjes dhe koston ekonomike.

Putinit do t’i shërbejë më mirë një operacion më të vogël, si pushtimi i Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore, të cilin Duma ruse tashmë e ka votuar ta aneksojë, ose një seri sulmesh kibernetike që do të tronditin qeverinë ukrainase, të cilat do të kenë shumë më pak gjasa që të prodhojnë sanksione ndëshkuese nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Megjithatë, në Rusi është shfaqur një politikë e re thotë ai, për t’u integruar dhe bashkëpunuar me Perëndimin. “Po sikur ndarja nga Perëndimi për të cilën foli Presidenti Putin, si përgjigje ndaj perspektivës së ‘sanksioneve nga ferri’ të SHBA-ve të bëhet realitet?” – pyet ai?.

“Po sikur Rusia përfundimisht të nisë një kurs krejtësisht të ndryshëm të politikës së jashtme dhe të brendshme, i cili do të përfshinte gjithashtu sferat ekonomike, sociale dhe ideologjike?

Vetëm zoti Putin mund t’i përgjigjet kësaj pyetje, thotë Dimitri Trenin; “Është e pamundur të kuptosh përgjigjen e tij nga jashtë por Rusia ka aftësitë për të zbatuar të dy skenarët!”

Pëgatiti: Flamur Hadushi

Shënim: Steven Erlanger është korrespondenti kryesor diplomatik në Evropë, me qendër në Bruksel.

Please follow and like us: