Albspirit

Media/News/Publishing

NJË LIBËR ‘MARKEZIAN’ MBI LIRINË, SOCIALIZMIN, DIKTATURËN…

Fadil Sahiti
Libri i Lea Ypit “Free: A Child and a Country at the End of History” është një rrëfim për lirinë, socializmin, diktaturën, liberalizmin, drejtësinë, kapitalizmin, demokracinë, individualizmin, etj., i rrëfyer në stil ‘markezian’ nga një profesoreshë e etabluar e mendimit politik. Tregime surrealiste të rrëfyera përmes një fëmije që e ka jetu kohën më dramatike, ndoshta më të keqën përgjatë historisë së kombit shqiptar.
Çdo tregim në libër të mban pa frymë, por, po të më kërkohej, do ta veçoja atë për Stalinin, ‘Coca-Cola Can’, ‘The Crocodile’, si dhe ‘Grey Socks’. Në këtë të fundit shkrimtarja fshikullon fort elitën politike të Shqipërisë, një klasë politike primitive, e mbushur përplotë spiunë të ish-regjimit, që nuk kanë pasur as çorape për të veshur, por përmes politikës janë shndërruar në zhvatës të pasurisë së popullit, në vrasës dhe gribitës ordinerë.
Njësoj si Marquez që përdor Nënën e Kolonelit për të ndërtuar rrëfimin e vet në librin 100 Vjet Vetmi, shkrimtarja përdor gjyshën e saj, një intelektuale e edukuar në shkollat më të mira franceze të kohës, për të ndërtuar tregimet e saja. Ajo fshikullon fort intelektualët e kohës, të cilët për një grimë pushtet dhe për pak para kanë pranuar të shpërfytyrohen, të humbin dinjitetin e tyre. Gjyshja e saj, një intelektuale par-excellence kishte humbur gjithçka, por kishte ruajtur atë që është thelbësore për njeriun, dinjitetin.
“…njeriu mund të humbë gjithçka… por jo veten… mund të humb pasurinë, paratë, por jo dinjitetin, sepse dinjiteti nuk ka lidhje me paratë, gradat apo titujt…njeriu përkundër gjithë pengesave që mund të ketë gjatë rrugës…prap mbetet në kontroll të fatit të vet… njeriu nuk duhet të pushoj kurrë së qenuri përgjegjës për fatin e vet… Liria, thotë ajo, është të jesh i vetëdijshëm për domosdoshmërinë.
Libri mund të lexohet edhe si homazh për lirinë, që “shqiptarët e trajtuan si një pjatë me ushqim të ngrirë, që e përtypën pak, e gëlltitën shpejt dhe në fund mbetën të uritur gjatë gjithë jetës”.
Një libër që lexohet me një frymë, që ia vlen të lexohet nga çdo intelektual shqiptar dhe jo vetëm!
Please follow and like us: