Ambra Hysa: Marsi erdhi përsëri dhimbshëm, trishtueshëm…
Marsi erdhi përsëri, dhimbshëm, trishtueshëm…
Edhe sa do të mbajë kjo botë?
Me çfarë do të përballemi tjetër? Fantazmat e së shkuarës u ringjallën dhe po na ndjekin.
Pranvera është këtu, simboli i shpresës, dritës, ngjyrës… një pranverë që këtë herë vjen përmes frikës, krismave dhe një realiteti të papranueshëm që i ngjan më shumë skenarit të një filmi.
Me siguri do të ndërroja kanalin po të ndeshesha me një pamje të tillë, sepse luftën edhe unë, si shumë prej jush, nuk e shoh dot as në filma.
Ky nuk është 2022. Bota nuk mund të jetë një vënd kaq i pasigurt në 2022. Një botë që ecën vetëm përpara, një botë me mendësi të bukura dhe të hapura, një botë që vazhdimisht evulon dhe ndryshon nuk mund të kthehet mbrapsht.
Historia nuk mund të përsëritet, njerëzimi ka ecur kaq shume përpara për të pranuar të kthehet kaq shumë mbrapsht.
Ende nuk e kemi marrë veten nga pandemia, lufta dërrmuese, me përmasa globale, lufta mes vdekjes dhe jetës.
Ky nuk është skenar i një filmi, nuk e ka planifikuar asnje regjizor, jemi me 1 Mars 2022 dhe numri i civilëve të vrarë gjatë pushtimit rus të Ukrainës po rritet çdo ditë.
Deri të dielën, komisioneri i Ukrainës për të drejtat e njeriut tha se numri i viktimave civile ishte 210, duke përfshirë këtu disa fëmijë.
Mes të vdekurve është një vajzë e quajtur Polina, e cila ishte në vitin e fundit të shkollës fillore në kryeqytetin Kiev.
Si mund të nisë mëngjesi i parë i Marsit kur po bën xhiron e botës kjo foto që të copëton zemren?
Dy vëllezër binjakë të porsalindur po flenë në një bazament të përdorur si strehë mburojë nga bombardimet në Pediatrinë e Kievit.
Gjithashtu një vajzë shtatë vjeçare vdiq në një sulm në një kopsht fëmijësh dhe 10 anëtarë të komunitetit etnik grek të Ukrainës u vranë kur fshatrat e tyre u vunë nën zjarr në jug të Ukrainës.
Ministri ukrainas ka thënë se Evropa ka nevojë që Ukraina të luftojë.
Presidenti rus, Vladimir Putin nga ana tjetër ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Çfarë borxhi i kanë vampirëve të etur për gjak dhe për pushtet, fëmijët e pafajshëm?
Në cilën botë po vijnë këta fëmijë?
Kjo nuk është bota për të cilën ënderrojmë ne, njerezit e thjeshtë. Nuk është bota për të cilën punojmë, mësojmë të përmirësohemi dhe të përshtatemi.
Ky është rasti kur bota duhet të na përshtatet ne dhe jo ne asaj.
Bota duhet të marrë fytyrën e njerëzimit përpara se monstrat që ushqehen me instiktet e vdekjes, ta shkatërrojnë atë.
Please follow and like us: