Albspirit

Media/News/Publishing

Banorët e Luginës së Vjosës në protestë

  • Raimond Kola

Banorët e Luginës së Vjosës protestuan të enjten për dhënien e koncesionit të Hidrocentralit te Poçemit mbi lumin Vjosë.

Për rreth 30 minuta grupe banorësh bllokuan segmentin e rrugës kombëtare që lidh Levanin me Tepelenën, duke kërkuar nga qeveria që të anulojë planet për ndërtimin e Hidrocentralit.

Policia ndërhyri për të zhbllokuar rrugën, por pa pasur përplajse me protestuesit. Banorët thonë se tokat me të cilat ata sigurojnë të ardhurat për familjet përmbyten nga ndërtimi i digës, ndërsa zona pëson dëmtime të mëdha.

Kompania turke që ka fituar konçesionin për ndërtimin e Hidrocentralit të Poçemit në lumin e Vjosës ka filluar këto ditë punën për projektimin e digës, por banorët e zonave përreth e kanë kundërshtuar këtë hap.

Autoritetet shqiptare të Ministrisë së Energjisë e shpallën në fillim të majit të këtij viti vendimin për dhënien me konçesion 35 vjeçar për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosa, tek një Kompani turke.

Sipas projektit, Hidrocentrali i Poçemit parashikohet të ketë fuqi të instaluar prej 99.5 mw, dhe prodhim vjetor prej rreth 305 milionë kwh. Nëse ndërtohet, Poçemi do të bëhet hidrocentrali i dytë më i madh i dhënë me koncesion për nga niveli i prodhimit, pas projektit të Kaskadës së Devollit.

Sipas kompanisë turke që fitoi koncesionin, ndërtimi i këtij hidrocentrali do të kushtojë rreht 101 milionë euro.

Hidrocentrali i Poçemit, është një nga 8 Hidrocentralet e parashikuara në Lumin Vjosë. Sipas një koalicioni të gjerë të Organizatave Mjedisore ndërtimi i digave në Poçem dhe Kalivaç si dhe hidrocentraleve të vegjël në degët e Vjosës si Lengaricë, Bënçë, Shushicë, Kardhiq, Picar etj, do t’i jepte fund vizionit për një Park Kombëtar në rrjedhën e Vjosës.

Parlamenti Europian i ka kërkuar kohët e fundit qeverisë shqiptare të rishikojë projektet hidroenergjetike përgjatë lumit Vjosa dhe degëve të këtij lumi dhe të hartojë Planet e Ndikimit në Mjedis përpara se projektet të vihen në zbatim.

Please follow and like us: