Albspirit

Media/News/Publishing

Baki Bala: RETROSPEKTIVË PËR VENDLINDJEN

“Drejtësia është e lehtë vetëm në retrospektivë”, ka thënë Arthur M. Schlesinger, Jr.
Na ka ndodhur që të jetojmë në vend të bukur me mal, me lumë me zall të bardhë, ku mund të pije ujë pa frikë; pranë pyjeve me gështenjë e halorë; në vendin ku kishte kafshë të egra, thëllëzë, bimë e shkurre që “luanin” me ngjyrat e tyre sipas stinëve, mes cicërimave të zogjve; ku ka vende mbreslënëse të sporteve të aventurës, por nuk i kemi parë me syrin që i shohim sot.
Na ka takuar të kalojmë tek “Shkëmbi i mjaltit”, në “Shtegun e Hoxhës”, tek “Ujët e Zogjve”, “Ujët e Dhive” apo në “Buzën e të Çarës”, duke gjetur dëborë në Qershor, por në atë kohë nuk e kemi vlerësuar bukurinë e tyre;
Kemi qenë pranë aromës së luleve si manxuranë, vasiliko, barbaros, trëndafilave (baza e esencës së parfumit Miracle), karafilave, trendelinës, çajit të malit dhe shumë bimëve medicinale, por nuk e kemi vlerësuar magjinë e aromës së tyre;
Kemi qenë në mal, ku bredhi dhe bliri me aromë, janë pyje dhe jo drurë dekorativë;
Kemi dëgjuar një melodi me fyell (Culë) apo longar, të cilën e merrte jehona e malit, por e kemi quajtur normale e ndoshta arkaike;
Jemi ushqyer, në varfëri, por me ushqime bio, siç thuhet tani, por nuk e kemi vlerësuar aromën e bukës së ngrohtë, kulaçit në hi, shijen e domates, të pjeprit, të vajit të ullirit, pastërtinë e ujit të burimit;
Kemi kalëruar mbi kalë, pa samar, në fëmijërinë tonë, shpesh, duke improvizuar gara, por e kemi konsideruar rutinore;
Sot, pas shumë vitesh, kur hedhim sytë pas dhe shikojmë në retrospektivë, e kuptojmë bukurinë e vendit ku kemi jetuar. Natyrisht që pjesë e gjykimit është dhe nostalgjia.
Kjo është bukuria e vëndlidjes sime.
Sot:
Na duhet të shpenzojmë për të kaluar në një vend si “Shtegu i Hoxhës”, i cili i ngjan rrugës së sporteve të aventurës “El Caminito del Rey”, në Spanjë. Apo “shkëmbi i mjaltit”, për ngjitje alpinistike me forcën e duarve, është më i mirë se ngjitja në shkëmb në Kalymnos, të Greqisë, që konsideroht një ndër destinacionet Ballkanike më të mira të ngjitjes.
Sot për trandafilat e karafilat, e pranojmë që janë vetëm për bukuri dhe jo për aromë;
Në një melodi orkestrale, dëgjojmë disa nota muzikore në imitim të fyellit dhe mendja na çon tek bariu, që melodinë e culës dhe longarit, të përzier me tingullin e zileve dhe këmborëve, e kishte për shoqëri.
Sot shpenzojmë dhe themi “u kënaqëm” për të hipur një herë në kalë, të cilin dikush e mban, për siguri, prej kapistre.
Pra duhet retrospektiva që t’i kthehemi kujtimeve tona dhe të vlerësojmë realisht bukurinë e vendit, aromën, shijen, tingujt, jehonën e mbi të gjitha të përtërimë përjetimet tona në ato momente.
Please follow and like us: