BE-ja shton në listën e sanksioneve edhe 160 shtetas rusë
Bashkimi Evropian të mërkurën ka shtuar edhe 160 oligarkë dhe ligjvënës rusë në listën e sanksioneve. Sanksionet kanë në shënjestër kripto-asetet dhe sektorin detar. Këto masa janë vazhdimësi e ndëshkimeve të bllokut ndaj Moskës e cila nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Blloku evropian po ashtu tha se tri banka bjelloruse do të largohen nga sistemi i mesazheve SWIFT, për shkak të mbështetjes së Minskut për sulmin e Kremlinit ndaj Ukrainës.
“Ne po shtrëngojmë edhe më tej sanksionet në përgjigje ndaj agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrianës”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në deklaratën e BE-së u tha se 146 anëtarë të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus dhe 14 oligarkë të lidhur me Kremlinin dhe familjarët e tyre, janë futur në listën e ngrirjes së aseteve dhe kufizimeve të lëvizjes.
Në mesin e të sanksionuarve është miliarderi Andrei Melnichenko që merret me prodhimin e qymyrit, drejtori i kompanisë së fluturimeve Aeroflot, Mikhail Poluboyarinov dhe Dmitry Pumpyansky, i cili ka në pronësi tubacione të gazit.
BE-ja ka sanksionuar edhe dhëndrin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, Alexander Vinokurov.
Në sanksionet e bllokut evropian janë vendosur edhe kufizime ndaj kriptovalutave, me qëllim që të sanksionuarve t’iu pamundësohet që të përdorin ato për të shmangur sanksionet.
BE-ja ka paralajmëruar se do të vendosë sanksione të tjera nëse Moska nuk i jep fund luftës në Ukrainë.
Përveç një sërë masash të ndërmarra nga BE-ja, edhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë, përfshirë edhe ndalimin e importit të gazit, naftës dhe energjisë ruse.