Aurora Dollenberg: Humanizmi nuk ndalet vetëm tek profesioni
Megi Latifi
Dr. Aurora Dollenberg ka lindur në qytetin e Fierit në ditën e pavarësisë, më 28 nëntor të vitit 1985. Ajo është diplomuar për mjekësi me rezultate shumë të larta në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Qysh nga viti 2010 ajo jeton dhe punon në Gjermani, ku pavarësisht barrierave të mëdha që kishte në fillim si emigrante, me vullnetin dhe dëshirën e madhe që qëllimet t’i çojë deri në fund arriti të kryejë tri specializime si mjeke familje, mjeke urgjence dhe në psikoterapi. Për mjeken dhe shkencëtaren shqiptare Aurora Dollenberg “Me punë arrihet çdo gjë”. Paralelisht Dr. med Aurora Dollenberg ka ndjekur edhe karrierën akademike ne universitetet më të njohura në Gjermani, ku dhe ka përfunduar dy kërkime shkencore mbi: “Çrregullimet e Ankthit-Depresionit” dhe “Kanceri tek Gratë”. Dr. Aurora nuk ndalet këtu pasi mendon që humanizmi nuk ndalet vetëm tek profesioni i saj. Në vitin 2019 ajo themeloi të parën federatë të regjistruar në bazë te juridiksionit gjerman “Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë”, ku është dhe kryetare e saj. Kjo federatë ka ofruar gjatë gjithë pandemisë konsultime falas online për pacientët e prekur nga Covid-19. Federata ka organizuar 11 konferenca mjekësore ndërkombëtare të akredituara në Gjemani, ku u janë vënë në dispozicion mjekëve dhe qytetarëve shqiptarë protokollet më të fundit të trajtimit te Covid-19. Kjo veprimtari ka përmirësuar ndjeshëm dijet e mjekëve, sidomos në rastet e shumta të pacienteve të trajtuar gabim apo thjesht me mjekime shumë të shtrenjta apo të panevojshme. Ndër sukseset madhore të federatës ishte kontributi në sigurimin e më shumë se 150 mijë dozave të vaksinave nga Bashkimi Evropian për vendet shqipfolëse.
Çfarë ju motivon më tepër në përditshmëri?
Aurora Dollenberg: Vetja ime. Unë dal gjithnjë para pasqyrës dhe e motivoj veten. Në fund të ditës nëse ne nuk e duam dhe vlerësojmë atë që jemi s’do ta bëjë dikush tjetër. Çdo mëngjes ka një “Bravo” për mua e një fjali se “Sot do t’ia dal”.
Profesioni i mjekes… a e perceptoni jetën pa të?
Aurora Dollenberg: Jetën time pa profesion nuk e perceptoj dot sepse e dua këtë punë. Por ka ditë që përpiqem ta mendoj veten time me pushime, më të lirë dhe më të qetë e pikërisht në këto ditë ndiej që kam nevojë për një profesion ndoshta pak më ndryshe.
Si ka qenë rrugëtimi juaj profesional?
Aurora Dollenberg: Rrugëtimi im profesional nuk ka qenë i lehtë dhe flas këtu për një pjesë të madhe të mjekëve, të cilët kanë emigruar. Migrimi është një barrë shtesë e mjekut sepse nuk duhet vetëm që të shpëtosh jetë, por njëkohësisht duhet të integrohesh në jetën sociale. Kur unë kam ardhur në fillim në Gjermani gjithçka e kam nisur nga zero dhe ka qenë tepër e vështirë për mua. Para 10 vitesh ishte starti im në një ambient të ri dhe pak të ftohtë. Njerëzit nuk duhet të humbasin shpresën sepse pas çdo përpjekje të gjatë vjen një moment stabiliteti dhe tani që flasim unë jam në fazën stabël.
A ka pasur ditë kur keni menduar që nuk do t’ia dilni?
Aurora Dollenberg: Ka pasur. Kanë qenë ato ditë kur ngarkesa ka qenë aq e lartë saqë ti mendon që je shume e vogël përpara detyrave të mëdha që i ke vendosur vetes, apo që jeta të ka vendosur. Keto ditë janë mbase dhe ditët që mësojmë më shumë sepse pikërisht në këto ditë kuptojmë që jemi të fundëm edhe ne si mjekë. Pikërisht këto ditë unë i shijoj më tepër sepse vijnë ditë më të bukura pas fazave të vështira.
Si ndikoi Covid-19 në psikologjinë tuaj?
Aurora Dollenberg: Sfidat e Covid-19 unë i kam përballuar mire, duke përdorur shumë metodat e psikoterapisë. Kam zgjedhur të meditoj dhe këtë gjë e kam bërë në prani të familjes, duke ju treguar atyre se sa me fat jemi.
Kush është njeriu që ju lexon sytë?
Aurora Dollenberg: Bashkëshorti im është njeriu që lexon çdo moment timin. Ai më mbështet shumë në çdo nismë që marr në jetë apo profesion. Të kesh një krah të tillë është shumë e rëndësishme dhe mendoj që njerëzit që e kanë janë me fat.
Si e kujtoni fëmijërinë tuaj?
Aurora Dollenberg: Fëmijëria ime ka qenë e shenjtë dhe tepër e bukur. Jam rritur me njerëz dhe dashurinë e tyre. E vërtetë që nuk na ofrohej shumë mundësi në aktivitet që sot fëmijët i ndjekin si për shembull kurse të ndryshme. Unë kam pasur ëndërr pikturën e megjithatë me të gjitha vështirësitë e asaj periudhe ne jemi rritur mire.
Nëse jeta juaj do ishte titull filmi si do të quhej?
Aurora Dollenberg: Aurora dhe ëndrrat e saj!
Frika apo guximi? Kush mbizotëron tek natyra juaj?
Aurora Dollenberg: Unë jam krenare që jam guximtare, por nuk dua kurrsesi në asnjë moment të them që edhe frika është e gabuar sepse është një emocion shumë normal. Mua më karakterizon guximi si një tipar i shquar tashmë tek unë.
A jeni ju njeriu i ëndrrave tuaja?
Aurora Dollenberg: Unë gjithnjë e më tepër po bëhem njeriu i ëndrrave të mia. Jeta është një shans për të gjithë dhe të gjithë do të arrijnë atje ku duan nëpërmjet besimit.
Cila është telefonata që bëni çdo mëngjes?
Aurora Dollenberg: Në mëngjes nuk e nis ditën me një telefonatë, sepse më krijon stress, por kam zgjedhur që njerëzit të cilët do të doja t’i telefonoja në mëngjes t’i kem afër vetes.
Çfarë ju motivon më tepër?
Aurora Dollenberg: Të krijoj! Për mua është shumë e rëndësishme të nxis krijimtarinë time dhe të bëj të mundur që të ndërmarr hapa të reja në jetën time. Më motivon çdo gjë që është e re dhe vjen aty për ta sfiduar.
Gruaja në karrierë ka sfida apo oportunitete?
Aurora Dollenberg: Një grua e realizuar është kur ajo bën atë që ndjen, por dhe inspiron të tjerët, ndaj është sfiduese por edhe oportuniste njëkohësisht.
Cilat janë gjërat që kurrë nuk kanë ndryshuar tek ju?
Aurora Dollenberg: Asgjë nuk ka ndryshuar. Thelbi vijon të jetë njësoj. Une vijoj të jem i njëjti njeri që nga fëmijëria. E rëndësishme është që vitet të kalojnë dhe thelbi i asaj që ne jemi të mos ndryshojë.
Cili do ishte vendi ku do të jetoje përjetësisht?
Aurora Dollenberg: Në bregdetin shqiptar!