Albspirit

Media/News/Publishing

13 milionë e 447 mijë euro/KiE: Dëmshpërbleni pronarët e pallatit të shembur në Vlorë

Këshilli i Evropës i kërkon qeverisë shqiptare  të zbatojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut dhe të paguajë ish-pronarët e kompleksit ‘Jon’, i cili u shemb me eksploziv në vitin 2013 për t’i hapur rrugë projektit të Lungomares.

Vendimi e detyron shtetin shqiptar që të dëmshpërblejë me 13 milionë e 447 mijë euro ish-pronarët e këtij kompeksi pasi veprimet e kryera nga institucionet qeveritare u vlerësuan në shkelje të të drejtave të njeriut. Këtu përfshihen dhe kostot gjyqësore dhe dëmi moral i shkaktuar.

Ndërkohë, kamatëvonesa si pasojë e mos-zbatimit në kohë të vendimit, ka kapur vlerën e më shumë se 1.5 milionë eurove duke e çuar pagesën totale në rreth 15 milionë euro.

Një nga përfituesit kryesor në çështjen e regjistruar si ‘Sharxhi dhe të tjerë’, është ndërtuesi Xhafer Isufi.

Komiteti i Ministrave të Këshillit i ka vendosur qeverisë shqiptare dhe afat per informim deri më 15 qershor.

Sipas Komitetit, qeveria shqiptare kishte marrë përsipër të ngrinte një grup pune për të negociuar me pronarët për pagesën me këste të dëmshpërblimit për shkak të efektit që kishte në buxhetin e shtetit shuma totale.

Por grupi i punës nuk u ngrit asnjëherë. Shteti shqiptar e mban pezull zbatimin e këtij vendimi prej vitit 2018 dhe e ka justifikuar shtyrjen e pagesës me arsyetimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, fillimisht me tërmetin dhe më pas me pandeminë e Covid-19.

Ish-pronarët e kompleksit ‘Jon’ janë ankuar se qeveria, jo vetëm nuk ka nisur pagesat, por nuk iu ka dhënë informacion për negociatat për kushtet dhe modalitetet e dëmshpërblimit.

Ata pretendojnë se nuk ka asnjë pamundësi objektive që Shqipëria të paguajë kompensimin e drejtë, duke vënë në dukje se në vitin 2020 Ministria i Financave ka ndarë një shumë prej rreth 100 milionë eurosh për të paguar një arbitrazh. Sipas tyre arsyeja e dështimit të autoriteteve për të paguar është mungesa e një vullneti politik./oranews

Please follow and like us: