Albspirit

Media/News/Publishing

Pikniku veror 2016, në Philadelphia

05

Si çdo vit edhe të dielën e 26 qershorit, antarët e komunitetit shqiptar në qytetin e Filadelfias (Philadelphia) u bënë bashkë në Nashaminy State Park pranë Bensalemit PA, për të kaluar një ditë të qetë, takimi mes bashkatdhetarësh, kujtimesh mes tyre, e pse jo edhe për të shijuar diçka nga gatimet tradicionale që amvisat shqiptare mundohen të ofrojnë në këto raste. Tashmë shoqata atdhetare – kulturore “Bijtë e Shqipes”, ka krijuar një përvojë jo të pakët ne organizimin e aktiviteteve të tilla pasi prej më shumë se 12 vjet ajo organizon këtë aktivitet të bukur. Por çdo vit sjell edhe surpriza të reja. Të tilla pati edhe këtë ditë, të cilat e bënë piknikun shumë argëtues e çlodhës, por edhe përkujtues për disa nga të pranishmit.
Grupi i organizimit të këtij pikniku, i përbërë nga antarët e kryesisë të shoqatës, zotërinjtë Bujar Gjoka, Llazar Vero, Haki Collaku, Bashkim Berdufi e Bujar Cela, kishin bërë një punë lavdëruese në prezantimin e programit të kësaj dite. Një siperfaqe e madhe e parkut ku do të vendoseshin njerëzit ishte mbushur me flamuj shqiptarë e amerikanë, të ngjitur nëpër pemët rreth e qark, ndërsa në ball ishte vendosur stenda e shoqatës “Bijte e Shqipes”, një stendë e mbushur me duar dyshe që kryqëzohen e formojnë shqiponjën kuq e zi. Pjesëmarrësit të rinj e te reja, te moshuar e femijë, filluan gradualisht të mbushin hapësirën, ku bari i njomë i kishte dhënë gjelbërimin e stinës së pranverës, ndërsa ata ashtu në grupe familjare, shoqërore e moshe, zunë vend në tavolinat e mëdha e të përhershme të parkut. Kështu shihen të vijnë me njerëzit e tyre Omer Sula, Agim Bajrami e Rruzhdi Karaj, Vlashi Fili e Ramazan Koka, Milot Rukiqi, Kosta Prifti e Florjan Beko, Mirjan Ramishta e Lulzim Kazazi, Sadik Elshani e Maliq Arifaj, Edi Papaj e Erdit Zenelaj, Familjet Papa e Buhali, Meta, Ramizi, Stafa, Roci, Omeri, Nogu, Hasa, Reshka, Kokoli, Dede, Domi, Gjoka, Çela, etj e midis tyre edhe Ismet Zogaj ( Kosova). Ismeti me qendrën e zërit që solli bëri që ambjenti të dukej nga çdo anë shqiptar, nëpërmjet muzikës nga të gjitha trevat tona që buçiste me zë të lartë. Duke u përshendetur midis tyre, me vizitat reciproke nga njëra tavolinë në tjetrën, bashkatdhetarët marrin nga njeri-tjetri gëzimet e kësaj dite, që shprehej në fytyrat e tyre plot gaz e buzëqeshje. Në mesin e grupi tonë të zë syri lehtesisht një tendë dhe një tavolinë, ku Eda Petuqi pronare dhe stafi i agencisë Farmers, ka zgjedhur të argetojë fëmijët e pranishëm në këtë piknik, duke u bërë falas tatu (face painting). Afër tyre, njihemi dhe bisedojmë me Dr. Minard Duken dhe zonjen e tij, të cilët në klinikën e tyre dentare Alb Dental ( Grant ave me Roosevelt blv ), janë të gatshëm të ofrojnë shërbimet e urgjencës për bashkatdhetarët. I falenderojmë këta përfaqësues të bisnesit shqiptar që ishin të pranishëm në këtë aktivitet, si dhe për gatishmerinë që tregojnë për t’ju qëndruar afër njerëzve tanë edhe me shërbime të diferencuara. Ndërkohë ftojmë të gjithë shqiptarët e Filadelfias, që zotërojnë apo menaxhojnë bisnese të fushave të ndryshme, të bashkëpunojnë me shoqatën “Bijte e Shqipes”, për të bërë të mundur dhënien e marrjen reciproke të informacionit, dhe siguruar ndihmën e përbashkët midis bisneseve dhe atyre njerëzve që janë në kërkim të një pune apo të një shërbimi profesional të nevojshëm.
Gradualisht, nën tingujt e muzikës popullore, tymi i barbequeve së bashku me aromën e mishit që piqej, ishte përhapur në atmosferë, ndërsa tavolinat kishin filluar të shtroheshin. Por siç ishte njoftuar më parë në FB e shoqatës, programi i kësaj dite do të kishte mjaft lojra popullore të grup-moshave të ndryshme, të cilat të zhvilluara në formën e konkurseve, do të shtonin emocionet dhe kënaqësinë e të gjithë pjesëmarrësve. Kështu si çdo vit, loja e bukur e shahut pati disa pjesëmarrës, disa ndeshje të forta, e në fund sigurisht edhe fituesin, i cili ishte Lulzim Kazazi. Konkuruan në këtë lojë të bukur z. Papastath Buhali, Petro Beko, Ramazan Koka, Tajar Domi, Bujar Cela, etj. të cilët zgjuan interesin e dashamirësve të saj, për ti ndjekur. Ndërkohë grupet e të rinjve e të rejave argëtohen me lojrat e volejbollit e futbollit në fushat e improvizuara me rrjeta dhe porta, duke provuar edhe rezistencën e tyre fizike si dhe taktikën e zotërimit si lojtar të këtyre sporteve. Falenderojmë z. Milot Rukiqi e Fitim Hamza për dhurimin e portave të futbollit. Për orë të tëra në këto fusha lozën shume skuadra me përbërje nga grupmosha të ndryshme.
Loja popullore e tërheqjes së litarit është bërë një ndër lojrat më të preferuara dhe pjesëmarrja nga të gjithë grupmoshat është shumë e madhe. Për të rritur u krijuan tre grupe konkuruese dhe pas ndeshjeve me eleminim fitues u shpall grupi i Librazdit i përbërë nga z.Luli Stafa, Erlind Omeri, Gentian Nogu, Indrit Cela e Shpetim Omeri. Duhet theksuar se në lojën e tërheqjes së litarit, grupi i Librazhdit nuk kanë konkurent të zot që ti zbresin nga vendi i parë ku ata qendrojnë prej shumë vitesh.
Më të vegjëlit, u organizuan në tërheqjen e litarit, një lojë që grumbulloi pjesëmarrësit e këtij pikniku, afër grupeve të vendosur në të dy anët e gjyqtarit Bashkim Berdufi, që mbante litarin në qendër. Shumë shpejt u vu re tek secili nga fëmijtë, ndjenja për të fituar, shpirti luftarak i tyre si dhe venia në funksion të lojës e të gjitha forcave e mundësive fizike që kishte çdonjeri. Grupi i femijve i përberë nga Egi Rama, Ema Rama, Silvana Çela, Selma Çela, Kristi e Vjonis Ramizi u shpall fitues. Por nuk ishte vetem kjo. Gara e vrapimit “me këmbë në thes”, ishte një tjetër provë e kalitjes fizike, ndërsa pengesat dhe rrokullisjet e fëmijve gjatë tentativës për të fituar garën, u shoqëruan me duartrokitje të të gjithë pjesemarrësve. Në fund, fitues i kësaj gare ishte nxenësja e shkollës shqipe “Gjuha Jone”, Egi Rama.
Pas këtyre garave dhe lojrave sportive, që gjallëruan mjaft këtë ditë, njoftohen surpriza të reja. Shkolla shqipe “Gjuha Jonë”, çdo fund muaj feston në godinën e shoqatës datëlindjet e nxënësve që i kanë për atë muaj. Meqënëse shkolla u mbyll me datën 19 Qershor, dëtëlindjet e nxënësve për këtë muaj, u planifikuan të celebrohen në ditën e piknikut veror, dhe ashtu u bë. Nga mikrofoni, z. Bujar Gjoka, njofton pjesëmarrësit të afrohen pranë tavolinës, ku sipër një torte të madhe, i blerë enkas për këtë rast nga ana e shoqates “Bijte e Shqipes”, është shkruar “ Gëzuar datëlindjen Ema Rama, Alisa Qypi, Klea Hasa, Drini Hamza, e Fiona Shurdhiqi”, ndërsa urimi këndohet me zë të lartë nga të gjithë të pranishmit. Të gëzuar dhe entuziast, fëmijët ju fryjnë qirinjve për ti fikur, të shoqëruar nga duartrokitjet e shumta, siç bëhet zakonisht në të tilla raste. Por kjo ditë, pati edhe tre datëlindje të tjera, ish nxënës të shkollës shqipe, prindërit e të cilëve kishin menduar me të drejtë të ndanin me të tjerë bashkatdhetar, gëzimin e përbashkët. Angela Fili, feston 16 vjetorin e saj të lindjes. Atë e shoqëronin perveç familjes dhe shokët e shoqet e klasës. Ndërsa Angela Puci, në 18 vjetorin e saj të lindjes, vjen pasi mbaron shkëlqyeshem shkollën e mesme, duke pretenduar një universitet prestigjioz këtu në Filadelfia. Pas tyre shohim një tjetër tortë datëlindje, që i perket Arlin Shehut, nxenës i klasës së tetë në shkollën më të mirë të qytetit, në Masterman. Ai feston 13 vjetorin e lindjes. Në fytyrat e tyre, por edhe të prindërve që i shoqëronin, dukej gëzim e krenari bashkë. I riu profesionist, Armir Koka, me kamerën e tij, tregohet i vëmendshëm për të fiksuar momentet e duhura të kësaj dite të paharrueshme. Po ashtu, znj. Romelda Çela me aparatin fotografik të shoqatës bën kujdes që nërmjet fotove të pasqyrojnë sa më mirë këtë aktivitet.
Kështu, dalëngadalë, ditës po i vinte fundi, ndërsa të pranishmit, ashtu siç erdhën me grupet e tyre, filluan të largohen, duke falenderuar për këtë organizim të bukur të këtij pikniku, që arriti ti gëzojë bashkatdhetarët me gjithcka u bë aty. Por, megjithë këtë, shumë nga njerëzit tanë nuk morën pjesë në aktivitetet e kësaj dite, dikush i lodhur nga puna, dikush tjetër me ndonjë angazhim famijlar, ndërsa shumë prej tyre nuk u shkëputen dot nga rutina e përditshme e jetes, duke humbur shumë së bashku me fëmijët e tyre nga mungesa në ketë piknik. Prandaj, këshilli drejtues i shoqates “Bijtë e Shqipes”, përsëri Ju drejtohet bashkatdhetarëve tanë, të bashkohen në raste të tilla, pasi sa më shumë shqiptarë të grumbullohen, aq më shumë njohje bëhet midis tyre, aq më shumë humor e shaka bëhet, aq më shumë bëhemi faktor të ndihmës ndaj njeri tjetrit, duke larguar të paktën në një ditë si kjo, streset e shumta që na rëndojnë nga jeta në emigrim. Urojmë dhe shpresojmë që ky aktivitet të ketë realizuar deshirat e të gjithë pjesëmarrësve dhe deshirojmë që Qershorin e ardhshëm pjesëmarrja të jetë akoma më e madhe.
Me këtë aktivitet shoqata mbyll veprimtaritë e saja për 6 mujorin e parë të vitit duke Ju uruar bashkëatdhetarëve tanë pushime të këndëshme verore, në Amerikë ose në vendlindje, kudo që ata kanë mundësi ti kalojnë.
TAJAR DOMI
Filadelfia, Qershor 2016

01

02

03

04

05

06

07

08

09

10

11

Please follow and like us: