Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Hoxholli: O Zot përse na vranë?

Kjo pyetje më rëndoi që në pamjen e parë që hasa këtë foto në internet. Kjo pyetje më rëndon për të gjithë fëmijët në botë. Nuk jam teolog, por nga ato që kam lexuar është se në Ditën e Gjykimit viktima shoqëron vrasësin para Zotit dhe thotë: “O Zot pyete përse më ka vrarë?”

Pyete, sepse i vrari nuk e di përse vritet, ky fëmijë nuk e di pse një i çmendur vendosi ta shtypë. Mbase ajo kukull nuk e pati nënën e saj aty pranë, për ta shpëtuar si në rastin tragjik në Tiranë. Mbase u shtyp bashkë me prindërit, mbase ajo është shtangur e habitur, se përse “xhaxhi” kërkon ta shtypë. Ajo nuk e di se shumë bashkëmoshatarë të saj, vriten përditë në vendet e konfliktit. As ata nuk e dinë se përse vriten. Edhe ata do të shoqërojnë vrasësit e tyre para Zotit, për t’i pyetur: “Përse na vratë?”

Asaj dite nuk do t’i shmanget as ai që dha urdhër, as ai që shtyp një buton, as një çmendur, një i droguar që futet mes turmës dhe shtyp këdo. “Përse po na vrisni?”, janë klithmat e fëmijëve që kjo botë po i vret, nuk ia kursen dhe llojet e vdekjes, me bomba, me armë zjarri, me armë kimike, tani me kamion.

A mos kemi ardhur në një kohë të lajmëruar më parë, ku i vrari nuk e di pse vrasësi e ka vrarë? Ajo kukull nuk do të luajë më, ashtu e shtrirë i mungon shpirti që e lëvizte, e puthte. Nuk më shqitet nga kujtesa as foto e një vajze në vendet e konfliktit, ku siç bëjnë nënat në pamjet e rënda u mbyllin sytë fëmijëve, kjo vajzë i mbyll sytë kukullës, një Zot e di se çfarë ka parë ajo vajzë?

Mos u arsyetoni me hakmarrjen, se nuk ka hakmarrje mbi të pafajshmit, mbi fëmijët, a nuk është e shkruar që, gjithsecili bart mëkatin e vet? Por, epshi, urrejtja, interesat, lakmia, ju ka errësuar sytë, ju ka bërë të shpikni një zot, që ju shpërblen në hakmarrjen tuaj, duket sikur ju lexoni jo të njëjtët libra hyjnorë, sepse libri që lexojnë një miliardë e gjysëm myslimanë thotë: “Kush ka vrarë një person padrejtësisht ka dënim sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzimin, e kush shpëton një jetë është sikur të ketë shpëtuar të gjithë njerëzimin…” Ajo kukull nuk është më, do të mbetet një kujtim i shtrirë si bashkëmoshatarët e saj, që vazhdojnë të pyesin: “Përse na vranë o Zot???”

Please follow and like us: