Ambra Hysa: Lady D në Romë
Duhet ta dërgoja romanin tim “Lady D” në Romë… (ata që e kanë lexuar librin e kuptojnë përse).
“Romë, vëndi im… Qyteti im i shpirtit!”.
Të gjitha rrugët vërtet të çojnë në Romë. Ai është destinacioni mistik, të cilit asnjë udhëtar nuk ia di zemrën; një qytet, që i le të gjitha të kuptohen; që nuk dëshiron të të tregojë asgjë, nëse ti nuk përpiqesh pak ta gërmosh…
Kësaj here, Roma për mua kishte një magji tjetër, një gjallëri tjetër.
Thuajse dhjetë vite më parë e kam vizituar Fontana Di Trevin dhe kam hedhur aty një monedhë, duke shprehur dëshirën që djali që unë dashuroja, të dashurohej me mua dhe një ditë të martoheshim bashkë. (Kam qenë gjithmonë një romantike dhe ëndërrimtare e pandreqshme)… dhe ja ku jam sot, me Lady-D në dorë dhe pikërisht atë djalë, dorë për dore…
Besoj në dashuri dhe në magjinë e këtij qyteti, në magjinë e Fontana Di Trevit.
Roma është kaq e bukur sidomos në lindjen e diellit. Mos e humb atë moment… rrugicat janë të freskëta, qyteti fle… dhe drita e diellit e përkëdhel… pas pak krahët e tij do të mbushen me gjallërinë e njerëzve, të qeshurat e tyre, harenë ngjitëse, turistet dhe kulturat e ndryshme që ata sjellim me vete për t’i miksuar të gjitha së bashku.
Të lë pa frymë. Romantik. I përjetshëm.
Po, Roma është qyteti më i bukur në botë! Rrugët e saj rrjedhin lehtë plot surpriza dhe monumente të mrekullueshme! Pjesa më e madhe e qytetit të kujton perandorinë e lashtë romake, kështu që ti mendon, se së shpejti do të takosh një gladiator në këndin tjetër! Ushqimi i mrekullueshëm, shija e papërsëritshme, kafe dhe akulloret më të mira në botë!
Vizitë romantike në vilën e famshme Borghese, ajo që konsiderohet edhe si “Versaja” e Romës, xhiro me varkë dhe perëndim spektakolar. Ky qytet përrallor ti servir të gjitha ndjesitë.
Roma, “qyteti i përjetshëm”, quhet kështu sepse është një vend me bukuri, kontrast dhe gjallëri të madhe. Jeta në Romë gëlon edhe në zemër të natës. Të dashuruarit i dhurojnë trëndafila dhe puthje njëri-tjetrit.
Ndjesia është e paharrueshme, Piazza Navona është e mrekullueshme… shëtitjet atje mund të dërgojnë në një dimension tjetër qetësie… Shatërvanët freskues dhe artistët në rrugë që këndojnë apo i bien violines.
Ky qytet i përket një epoke tjetër dhe ti jeton historinë e cila shtrihet përpara syve të tu dhe të zhvendos në një kohë tjetër.
E dua Romën e guximshme, rebele, pasionante!
E dua Colosseo-n natën, Panteonin që është si një orë dielli gjigante, piazzat, rrugicat, shkallët mistike, lumin Tiber, muziken, pastat, tavolinat aq afër me njëra-tjetren, kalimtarët e buzëqeshur, energjinë e bukur në ajër, dashurinë që përcjellin…
Oh Rome! “𝓦𝓱𝓪𝓽 𝓪 𝓡𝓸𝓶𝓮-𝓪𝓷𝓽𝓲𝓬 𝓬𝓲𝓽𝔂”.
Please follow and like us: