Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Princesha Argjiro

Sipas legjendës Argjiro u hodh nga kalaja e Gjirokastrës së bashku me foshnjën që kishte në gji, për të mos rënë në dorë të pushtuesit…

 

Qindra vjet princeshë e Jugut,

Udhëton nëpër legjenda,

Ende qumështi i saj,

Rrjedh e rrjedh nëpët bedena…

 

Qindra vjet princeshë e bukur,

Buzëqeshur, ballëlarë,

Nga bedena në bedenë,

Endet si një re e bardhë.

 

Sipër mureve me myshk,

Një parzmore trupit ngjesh,

Dhe vjen gjer në ditët tona,

Sa shqiponjë aq dhe princeshë.

 

Herë na bëhet erë në male,

Dhe me malet nis të flasë,

Herë mbështillet si flamur,

Përmbi supet e kalasë.

 

Një princeshë që edhe vdekja,

Nga foshnja s’mundi ta ndaj,

Përmbi gur qyteti i gurtë,

Gdhendi veç emrin e saj.

 

U gdhend emri i princeshës,

Në çdo prag e në çdo vatër,

Qysh atëhere qyteti Jugut,

U thërrit Argjirokastër.

 

Dhe me emrin Gjirokastër,

Shekujve mbrujti lirinë

Eh, qyteti lashtë i jugut,

E ka të hershme lavdinë!

 

Qindra vjet princeshë e Jugut,

Udhëton nëpër legjenda,

Ende qumështi i saj,

Rrjedh e rrjedh nëpër bedena…

Please follow and like us: