Misioni i Shqipërisë në Gjenevë padit ish-zyrtaren
Misioni i Përhershëm i Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzim penal ndaj shtetases Blerina Belul Zoto.
Akuza ndaj saj është për shpërdorim detyre sipas nenit 248 të Kodit Penal. Gjithashtu, Zoto akuzohet për zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, sipas nenit 295 i Kodit Penal”.
Blerina Zoto, Këshilltarja e Shqipërisë në Misionin diplomatik pranë OKB-së, ka publikuar në adresat e saj në rrjetet sociale dhe në media artikuj ku pretendon se i është bërë padrejtësi nga drejtuesit e Misionit Shqiptar në Gjenevë. Në komentet e saj, Zoto ka shprehur pakënaqësi për mënyrën sesi drejtohej misioni nga ambasadorja Filloreta Kodra, si dhe faktin se nuk është paguar.
Një javë më parë institucionet konfirmuan dhe shkarkimin e saj nga detyra. Pas këtij vendimi, mësohet se Misioni i Përhershëm i Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave në Gjenevë ka bërë padi penale, ndaj ish-zyrtares Zoto.