Johnson: Britania nuk do t’i braktisë miqtë europianë
Ndonëse Britania e Madhe do të lërë Bashkimin Europian, ajo nuk do ta braktisë Europën dhe miqtë e saj. Kjo ka qenë deklarata e sekretarit të Jashtëm Britanik Boris Johnson në Bruksel.
Boris Johnson tha se vendeve të Bashkimit Europian u nevojitet një përgjigje e koordinuar në luftën kundër terrorizmit. Pas ngjarjeve në Nisë, e gjithë vëmendja është tashmë te lufta kundër terrorizmit.
Johnson gjithashtu shtoi se dëshiron të shohë kontroll dhe maturi në Turqi, pas grushtit të shtetit. Ai do të takohet me homologët e tij të BE-së dhe sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry.
Ministrat në Bruksel do të diskutojnë sulmin terrorist në Nisë dhe për grushtin e dështuar të shtetit në Turqi. Mirëpo, duket se kësaj radhe nuk do të ketë asnjë diskutim për daljen e Britanisë nga BE-ja.