Albspirit

Media/News/Publishing

NJË QEVERI LOKALE QË SHKATËRRON PASURITË NATYRORE

Fadil Sahiti
U trondita kur në mëngjesin e sotëm pashë se ka shterruar uji i kroit “Çesma e Pashës”, tek zona e mbikalasë së qytetit të Prizrenit. Prej shumë vitesh dhe thuajse çdo ditë ngjitem në këtë kodër, e cila është në një lartësi prej rreth 400 metrash lartësi mbidetare, por, asnjëherë nuk kam pasur rastin ta shoh këtë krua pa ujë, as në periudhat më të thata të verës.
Është një projekt i ndërmarrë nga pushteti komunal për zgjerimin e rrugës nga zona e mbikalasë deri tek rruga e asfaltuar që të çon në Opojë, që ka shkaktuar që këtij kroi shumë të vjetër t’i prishen damarët. Ky projekt, përveç që ka shkatërruar damarët e kroit, ka shkatërruar edhe shtegun e çiklizmit.
Duhet të kesh vizionin e një shkatërruesi të burimeve natyrore për të futur ekskavatorë në këtë zonë natyrore dhe për të zgjeruar një rrugë që nuk i shërben askujt. Një qeveri me tru në kokë do të bënte të kundërtën, do të pengonte qarkullimin e makinave në këtë zonë.
Por edhe ky projekt duket se është në grupin e projekteve që mundëson zhvatjen e parave publike, siç ishte projekti i asfaltimit të unazës së qytetit, i cili nuk kishte asnjë justifikim ekonomik, pasi gjendja e asfaltit ishte më e mirë se shumë rrugë në Londër.
Në kohën kur shkollat ​​tona vuajnë nga mungesa e laboratorëve dhe burimeve të tjera arsimore, kur parqet tona janë të mbushura me pisllëk (si p.sh. parku i Prizrenit nga Marashi e deri tek 2-3 restorantet që kanë zaptuar pronën publike), kur çerdhet publike të fëmijëve janë të mbipopulluara, kur mungojnë parqet industriale, etj. shpenzimi i parasë publike për projekte që shkatërrojnë burimet natyrore, është krim i pastër kundër shoqërisë.
Please follow and like us: