Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA: Vrasjet e policëve rikthejnë frikën e tensioneve racore

  • RFE /RL

Foto nga protestat e fundit

Vetëm pak ditë pasi autoritetet më të larta amerikane morën pjesë në një homazh ndërfetar për pesë policët e vrarë në Dallas, një ceremoni kjo që kishte për qëllim të tregonte unitetin e vendit, vrasja e të dieles në Shtetet e Bashkuara ka kthyer sërish frikën e eskalimit të tensioneve racore.

Tre policë amerikanë janë vrarë më 17 korrik në Baton Rouge të Louisianas që sipas mediave amerikane është bërë në shenjë hakmarrjeje ndaj trajtimit që pjesëtarë të policisë amerikane iu bëjnë afrikano amerikanëve.

Pak ditë para vrasjes në Dallas, dy afrikano amerikanë janë vrarë nga pjesëtarë të policisë amerikane. Këto vrasje kanë nxitur një valë protestash nëpër disa qytete të mëdha kundër dhunës që protestuesit thonin është e nxitur nga urrejtja me bazë racore e të bardhëve ndaj afrikano amerikanëve.

Ky raportohet të jetë motivi edhe i vrasjes në Baton Rouge. Autori i sulmit fillimisht ka telefonuar policinë në këtë zonë të Louisianas duke raportuar një sulm me armë, ndërsa më pas të njejtit i ka zënë në prit duke i vrarë tre prej tyre dhe plagosur disa të tjerë.

Gavin Long nga Kansas City i cili dyshohet ta ketë realizuar sulmin në ditëlindjen e tij të 29-të, raportohet të jetë vrarë gjatë përballjes me forcat tjera policore që kanë reaguar ndaj sulmit në fjalë.

Afrikano amerikani Long ka qenë marins i cili ka shërbyer edhe në Iraq, ndërsa nga detyra është liruar në vitin 2010, të dhëna këto të ushtrisë amerikane. Arma që e ka përdorur gjatë sulmit ka qenë një pushkë gjysmë automatike AR-15.

CNN ka raportuar se tashmë janë gjetur edhe disa video të Gavin Long të publikuara në internet me pseudonime ku ai bën thirrje për përdorimin e dhunës kundër pjesëtarëve të forcave policore.

Videot e Long janë bërë si përgjigje ndaj vrasjes së disa afrikano amerikanëve nga policia amerikane, përfshirë edhe atë të 5 korrikut në Baton Rouge kur afrikano amerikani 37 vjeçar, Alton Sterling është vrarë nga policia.

CNN raporton se policia ka refuzuar të konfirmojë identitetin e pjesëtarëve të policisë që janë vrarë, por rrjeti televiziv amerikan ka raportuar se të paktën familja e njërit prej të vrarëve e ka identifikuar oficerin Montrell Jackson si një nga viktimat.

Në mesin e viktmave është edhe një sherif, ndërsa autoritetet amerikane kanë thënë se edhe një tjetër pjesëtar i policisë amerikane është duke luftuar për jetën pasi është në gjendje të rëndë.

Presidenti amerikan, Barack Obama e ka komentuar vrasjen e policëve në Baton Rouge para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Pavarësisht motivit, vrasja e këtyre oficerëve trima nënvizon rrezikun me të cilin policia përballet në tërë vendin, çdo ditë. Dhe, ne si popull duhet ta themi zëshem dhe qartë se asgjë nuk e arsyeton dhunën kundër zbatuesve të ligjit. Sulmet ndaj policisë janë sulm ndaj të gjithë nesh dhe sundimit të ligjit”, ka thënë Obama

Gjatë presidencës së tij, Obama është dashur shumë herë të reagojë ndaj sulmeve me armë zjarri që në SHBA konsiderohet se është shumë e lehtë të blihen.

Përgatiti: Artan Haraçia
Please follow and like us: