Ambasadorët Lu e Vlahutin janë kundër qeverisë teknike
Pas njoftimit se Partia Demokratike kishte rënë dakord për të marrë pjesë në takimin 5 palësh të propozuar nga kryeparlamentari Ilir Meta, i cili ishte parashikuar të mbahej në orën 16:00 në Kryesinë e Kuvendit, kanë qenë ambasadorët Lu dhe Vlahutin ata që e kanë refuzuar pjesëmarrjen, pasi sipas tyre Lulzim Basha nuk përmendi propozimin hibrid, por vetëm krijimin e një qeverie teknike.
“Ambasadorët Vlahutin dhe Lu informuan Kryetarin e Kuvendit z. Meta se pas deklaratës së z. Basha, ambasadorët nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik. Z. Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik. Nëse z. Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadorëve.
Kreu demokrat gjatë paradites, me anë të një postimi në Facebook, shprehu mbështetjen për deklaratën e bërë nga Kryeparlamentari Meta një ditë më parë për krijimin e një qeverie teknike, pasi sipas Bashës, kjo është rruga e vetme duke e lënë vendimin në duart e sovranit.
Po ashtu, Basha u shpreh i gatshëm të marrë pjesë në këtë format takimi, të ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për vetingun, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit te Venecias.
Por ka qenë pikërisht kjo deklaratë ajo që nuk është mbështetur nga dy ambasadorët, të cilët kërkuan nga Basha që të specifikojë ekskluzivisht se negociatat do të bëhen mbi propozimin hibrid.