Albspirit

Media/News/Publishing

Bota që dëshiron Vladimir Putin

Nga Fiona Hill & Angela Stent, Foreign Affairs

Vladimir Putin është i vendosur që të diktojë të ardhmen, në mënyrë që ajo të duket si versioni i tij i së shkuarës. Presidenti rus e pushtoi Ukrainën jo sepse ndihej i kërcënuar nga zgjerimi i NATO-s apo nga “provokimet” perëndimore. Ai urdhëroi nisjen e “operacionit të tij special ushtarak” pasi beson se është e drejta hyjnore e Rusisë ta sundojë Ukrainën, të zhdukë identitetin kombëtar të këtij vendi, dhe ta integrojë popullin e saj në një Rusi të Madhe.

Ai e parashtroi këtë mision në një ese që e botoi në korrikun e vitit 2021 me titull “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”. Nëpërmjet atij artikulli, Putini këmbënguli se bjellorusët, rusët dhe ukrainasit janë që të gjithë pasardhës të Rusisë, një popull i lashtë që sundoi territoret midis Detit të Zi dhe Detit Baltik.

Po ashtu, ai tha se ata janë të lidhur së bashku nga një territor dhe gjuhë e përbashkët dhe besimi i krishterë ortodoks. Sipas versionit të tij të historisë, Ukraina nuk ka qenë kurrë sovrane, përveç disa momenteve të shkutra historike kur u përpoq dhe dështoi të bëhej një shtet i pavarur. Ai shton se “Rusisë iu grabit” territori kryesor kur bolshevikët krijuan Bashkimin Sovjetik në vitin 1922 dhe krijuan Republikën Socialiste Sovjetike të Ukrainës.

Dhe po sipas tij që nga shembja e BRSS, Perëndimi e ka përdorur Ukrainën si një platformë për ta kërcënuar Rusinë dhe ka mbështetur ngjitjen në pushtet të “neo-nazistëve” në Kiev. Kjo ese dhe deklarata të ngjashme publike, e bëjnë të qartë se Putin dëshiron një botë ku Rusia të jetë në krye të unioni të ri sllav të përbërë nga Bjellorusia, Rusia, Ukraina dhe ndoshta pjesa veriore e Kazakistanit, teksa të gjitha shtetet e tjera post-sovjetike duhet të njohin ndikimin e fortë të Rusisë.

Po ashtu ai dëshiron që Perëndimi dhe vendet e pjesës jugore të botës ta pranojnë rolin mbizotërues rajonal të Rusisë në Euroazi. Dhe kjo është më shumë sesa thjeshtë një sferë ndikimi. Është një sferë kontrolli, me një përzierje të riintegrimit të drejtpërdrejtë territorial të disa vendeve dhe dominimit në sferat e sigurisë, politike dhe ekonomike të disa vendeve.

Putin është serioz për arritjen e këtyre qëllimeve, me mjete ushtarake dhe jo ushtarake. Ai është në luftë kundër Ukrainës që nga fillimi i vitit 2014, kur forcat ruse të veshura me uniforma të gjelbra ushtarake por pa simbole zyrtare, vunë nën kontroll Krimenë përmes një operacioni shumë dinak.

Ky sulm u pasua shumë shpejt nga operacione të tjera të fshehta për të nxitur trazira civile në rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës afër kufirit rus. Rusia ia doli të nxisë revoltën në rajonin e Donbasit, dhe të shkaktojë një konflikt të armatosur që shkaktoi mbi 14.000 të vdekur gjatë 8 viteve që pasuan.

Ngjashëm, Putin përfitoi nga krizat e brendshme dhe protestat në shkallë të gjerë në vitet 2020-2021 për të kufizuar hapësirën e manovrimit të liderit të tij. Më pas, Bjellorusia, që ka një të ashtuquajtur marrëveshje bashkimi me Rusinë, u përdor si një trampolinë për “operacionin special ushtarak” kundër Ukrainës.

Deri më sot, reagimi i Perëndimit ndaj pushtimit ka qenë përgjithësisht i bashkuar dhe i fortë. Sulmi agresiv i Rusisë ndaj Ukrainës ishte një zile zgjimi për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Por Perëndimi duhet të kuptojë se ka përballë një udhëheqës që po përpiqet të ndryshojë narrativën historike të 100 viteve të fundit, dhe jo vetëm të periudhës që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Vladimir Putin dëshiron që Ukraina, Evropa dhe në fakt e gjithë bota t’i përshtaten versionit të tij të historisë. Koncepti i Putinit mbi të kaluarën mund të jetë shumë i ndryshëm nga ai që pranohet përgjithësisht. Por narrativat e tij janë një armë e fuqishme politike dhe ato e mbështesin legjitimitetin e tij.

Shumë përpara pushtimit të plotë të Ukrainës që nisi më 24 shkurt 2022, Putini kishte përmendur periudhat e errëta të së kaluarës të Rusisë, duke i manipuluar ngjarjet kryesore për të krijuar justifikimin e brendshëm dhe ndërkombëtar për luftën e tij. Në vitin 2010, në takimin vjetor të Klubit Ndërkombëtar Valdai të sponsorizuar nga Kremlini, zëdhënësi i Putinit i tha audiencës se presidenti rus lexon “gjatë gjithë kohës” libra mbi historinë ruse.

Fiksimi i presidentit me të kaluarën perandorake të Rusisë është shumë i thellë. Në dhomat e tij në KremlinPutini ka vendosur jo pa qëllim statujat e monarkëve rusë Pjetri i Madh dhe Katerinae Madhe, të cilët  pushtuan ato që janë sot territoret ukrainase në luftërat kundër perandorive suedeze dhe otomane.

Edhe narrativat mbi NATO-n, kanë luajtur gjithashtu një rol të veçantë në versionin e historisë së Putinit. Putin pretendon se NATO është një vegël e imperializmit amerikan, dhe një mjet përmes të cilit SHBA vazhdon pushtimin dhe dominimin e supozuar të Luftës së Ftohtë në Evropë. Ai pretendon se aleanca i detyroi vendet anëtare të Evropës Lindore t’i bashkohen organizatës.

Në realitet, këto vende, ende të frikësuara pas dekadave të dominimit sovjetik, kërkuan vetë që të bëhen anëtare të NATO. Këto veprime të supozuara e kanë detyruar Rusinë që të mbrohet nga kërcënimi ushtarak.

Për Putinin, ukrainasit janë nazistë pasi refuzojnë të pranojnë se janë rusë. Por ai e di se do të jetë e vështirë të negociojë një zgjidhje mbi konfliktin bazuar në versionin e tij të historisë. Shumica e shteteve të sotme evropiane, lindën nga rrënojat e perandorive dhe shpërbërja e shteteve më të mëdha multietnike.

Lufta në Ukrainë, mund të çojë në më shumë ndërhyrje ruse për të ndezur konflikte të zjarrta në shtete të dobëta si Bosnje Hercegovina apo edhe vende të tjera të Ballkanit, ku historia dhe pretendimet territoriale janë gjithashtu të diskutueshme. Por pavarësisht kostos së mundshme, Putini dëshiron që e kaluara e tij të mbizotërojë në të tashmen politike të Evropës.

Putin e urren faktin që Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane po mbështesin ushtarakisht Ukrainën. Ndaj në kundërpërgjigje, ai ka nisur një luftë ekonomike dhe informacioni kundër Perëndimit, duke sinjalizuar qartë se ky nuk është vetëm një konflikt ushtarak dhe një betejë mbi atë se kush do të “zotërojë historinë”.

Rusia po përdor si armë energjinë, grurin dhe mallrat e tjera. Moska ka përhapur dezinformata, duke e akuzuar Ukrainën për kryerjen e mizorive që Rusia ka kryer në fushën e betejës dhe duke fajësuar sanksionet perëndimore për përkeqësimin e urisë në Afrikë, kur është në fakt Rusia ajo që ka bllokuar dërgesat e grurit ukrainas nga Deti i Zi.

Dhe në shumë pjesë të botës, Rusia po fiton luftën e informacionit. Deri më tani, Perëndimi nuk ka mundur të jetë plotësisht efektiv në hapësirën informative. Gjithsesi, mbështetja perëndimore për Ukrainën ka qenë e rëndësishme. Armët e dërguara javët e fundit e kanë rritur ndjeshëm aftësinë e Ukrainës për të goditur objektivat ruse.

Por nevoja e vazhdueshme e Ukrainës për furnizime të reja ka filluar që të shterojë arsenalet e saj nga vendet donatore. Synimi i Putinit nuk janë negociatat, por kapitullimi i Ukrainës. Për këtë ai i është rikthyer një taktike tjetër ushtarake që është tipike për historike ruse. Ka bllokuar forcat kundërshtare në front, duke pritur dimrin.

Ashtu siç paraardhësit e tij bënë që ushtritë e Napoleonit të bllokoheshin nga stuhitë e dëborës afër Moskës dhe ushtarët nazist ngrinë deri në vdekje në rrethinat e Stalingradit, Putiniplanifikon që qytetarët francezë dhe gjermanë të dridhen nga i ftohti në shtëpitë e tyre.

Ai parashikon që kjo do të ngjisë në pushtet partitë populiste që janë më miqësore me të.

Fiona Hill, ish-drejtore për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA në vitet 2017-2019. Angela Stentprofesore në Universitetin Xhorxhtaun. Ajo është autore e librit Bota e Putinit:Rusia kundër Perëndimit dhe me pjesën tjetër të botës.

Please follow and like us: