Kujdes me leximin, me “konsumin”, me materien që përthithim!
[Ngjitur: Një lloj “kubi” i përkryer me frutat, “stockphoto” nga Shutterstock]
Kujdes me leximin, me “konsumin”, me materien që përthithim!
S. Guraziu – AP, 2022
(…ka mjaft rëndësi çfarë lexojmë gjatë ditës, gjatë javës, muajit, vitit – shtrohet pyetja sa “shpëlahet truri ynë”, sa dëpërton indoktrinimi dhe influenca e joshëndetshme…)
***
Materia e mediave moderne tashmë na serviret kahdo që rrotullohemi në iPad, në iPhone… në panumër lloje të “screen”. Madje duke bërë dush mund t’i lexojmë lajmet e materialet në iPad. Sa i përket prakticitetit aparatet moderne janë të mrekullueshme – sidomos iPhone, as i madh as i vogël, i përkryer. Mbaje dhe nën bikini, aty diku… buzë “bregores veneriane” dhe zhytu në pishinë, asgjë: ) E qartë se janë teknologji e avancuar, “water resistant”, ndoshta 100% “sealed against the ingress…”. Uji i padepërtueshëm, por shtrohet pyetja sa “shpëlahet truri ynë”, sa dëpërton indoktrinimi dhe influenca e joshëndetshme.
Si analogji për ushqimin e përditshëm ia themi se frutat e perimet janë të shëndetshme. Duhet sa më shëndetshëm, sa më shumë variacion e mrekullira, sa më shumë pemë e perime, sa më pak brumëra e ëmbëlsira. E dimë dhe vetë, ama të njëjtën na e thotë dhe doktori. Kur është fjala për konsumerizmin, për gatitjen, për eksperimentet me gatimin, për aranzhimin në tryezë, për servirjen “artistike”, për restorantet e pjatat moderne, për menutë e për emërtimet etj. mund t’jemi dhe kreativë. Dhe jemi, s’e mohon kush – shkencat moderne të ushqimores thjesht na lënë pa mend, i kemi shpikur një milion e një specialitete. Madje risitë s’kanë të ndalur, çdo ditë diç e re u shtohet pjatave të modernizmit.
E megjithatë stomaku ynë skajshmërisht “kaotik e abstrakt”, s’e ka as idenë bie fjala të “kubizmit” a të perfeksionizmit. Zor se i kupton “estetikat”, stilizmet e jashtësisë. Akordohet deri diku me shijet, me nazet e hujet tona, kaq. Për neve vetë ritualet tavolineske, shumëllojshmëria dhe “estetikat” ushqimore janë truk psikologjik. Substancialisht… për fat të keq, e gjitha çfarë stomaku ynë di është funksionalizmi dhe ingredientet.
Ndoshta e njëjta vlen dhe për leximin, për “ushqimin” mendor (a shpirtëror). Ka mjaft rëndësi çfarë lexojmë gjatë ditës, gjatë javës, muajit, vitit, duhet kujdesur për materien që përthithim. Nuk pi ujë tërë muajin vetëm pollavra politike, ose vetëm profeci astrologjike, ose vetëm thashetheme “rozë” internetike etj… dhe ta shpallim veten “ok” sa i përket shëndetit mendor. Mbase s’na e ndalon kush të pandehim (psh. ashtu pandehin politikanët – sipas tyre ata janë okidoki, asgjë s’u mungon : ) E lehtë të pandehim, mirëpo çfarë nëse pandehma jonë t’jetë e pabazuar, diç si iluzion!
Për të qenë “lexues i mirë” ka mjaft rëndësi çfarë lexojmë – thotë dhe Amazon. Nuk pi ujë të lexojmë tërë jetën vetëm libra të historisë dhe ta shpallim veten: “lexues i kompletuar”. E njëjta vlen padyshim dhe për materien përmbajtësore të gazetave, të revistave, për rubrikat e tyre. Duhet patur kujdes çfarë na serviret e çfarë shfletojmë. Do ishte e dëmshme (e joshëndetshme) nëse ndër dhjetra rubrikat e revistave të së sotmes t’i vizitonim vetëm ato politikës.
Sipas gjigantit “Amazon” nuk shitet nëse t’i lexonim 707 romane të llojit “James Bond”, apo 404 të zhanrit “horror”, apo 1001 romane “rozë” me dashuriçkash e trillesh etj. dhe hooop të pandehim se qenkemi “lexues i kompletuar”! Në v. 2016 (duke patur në mendje “aq shumë libra, aq pak kohë”) editorët e Amazon e patën përpiluar “Listën e 100 Librave” që duhet lexuar (medoemos) gjatë jetës. Lista e tyre i mbulonte të gjitha fazat e jetës (dmth. përfshirë dhe librat për fëmijë).
Madje gjatë jetës duhet lexuar së paku dhe 4 romane horrorifikë. Jo gjithkujt i pëlqen ky zhanër, por ja që duhet! Unë për vete s’mbaj mend t’i kem lexuar 4 romane të tillë, sepse ky zhanër thjesht ma shpif. Dhe dmth. bazuar në standardet e Amazon, e di fort mirë që s’jam i “kompletuar”. Sidoqoftë, Amazon sugjeronte sa më shumë variacion e mrekullira, dhe shëndeti ynë do jetë optimal. Me variacionin e me laryshinë ushqimore do ndjehemi “super-shëndetsor” si një Superman, superiore si vetë Supergirl, 100% optima forma dhe vital.