“Mbreti Lir” çel sezonin e ri artistik në skenën e Teatrit Metropol
“Mbreti Lir” një nga tragjeditë më të mëdha të Uilliam Shekspir, do të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit Metropol, si premiera e cila do të çelë sezonin e ri artistik.
“Mbreti Lir” e konsideruar nga kritika si një nga veprat më të rëndësishme dhe shumë aktuale e cila përshkruan dy prindër të moshuar; njëri Mbret dhe tjetri oborrtar i tij, të cilët refuzojnë fëmijët e tyre. Verbëria e tyre lëshon një furtunë ambiciesh dhe tradhëish, ndërsa familja dhe shteti janë zhytur në një luftë të dhunshme për pushtet, e cila rezulton në përfundime të hidhura.
Po çfarë e shtyn një mbret të qëndrojë përballë tre vajzave të tij dhe të pyesë se kush e do më shumë?! Çfarë e mirë mund të ndodhë kur Mbreti është i çmendur dhe budallai është i mençur?! Kur njerëzit e ndershëm ndëshkohen dhe internohen, kur një djalë kthehet kundër babait të tij?!
“Mbreti Lir” është një histori e lashtë me rëndësi të madhe në kohët moderne. Një kritikë e mendjes, moshës, nderit, mençurisë dhe besimit. Megjithëse ekziston institucioni i lashtë dhe tradicional i monarkisë edhe në kohët moderne, sot këta mbretër në botën perëndimore funksionojnë më shumë si firma publiciteti, ku imazhi është shumë më i rëndësishëm se sa përmbajtja; popullariteti i individit është shumë më i rëndësishëm sesa marrëdhëniet e vërteta njerëzore. Çfarë ne veshim në jetën e përditshme, nuk përputhet me çfarë ne jemi në brendësi”, shprehet regjisorja Jonida Beqo. Sipas saj kostumet gjithashtu janë frymëzuar nga familjet e pasura dhe të famshme të epokës së mediave sociale; moda e fundit për burrat dhe gratë e privilegjuar të shtresës së lartë.
“Mbreti Lir është një shfaqje. Mbreti Lir është një burrë. Një burrë i moshuar që dikur i madhërishëm, i cili çmendet në një stuhi të furishme “në mendjen e tij”. Rënia e Mbretit Lir ndodh për shkak të të metave të karakterin e tij dhe të metave të të tjerëve. Sepse Mbreti Lir është vetëm një njeri, kështu e trajtuam shfaqjen Mbreti Lir. Produksioni është një pasqyrim i jetës së njeriut, me të gjitha kënaqësitë, të metat, lavdinë dhe zemërimin e saj. Ajo trajton temat më njerëzore të dashurisë dhe tradhtisë, dhe u përpoqëm ta bëjmë këtë prodhim sa më njerëzor”, thekson Beqo.
Shfaqja do te jetë në skenën e Teatrit Metropol përgjatë gjithë muajit tetor.
Në datat: 30 shtator, 1, 2, 6, 7, 8, 9, 13, 14, 15, 16, 20, 21, 22, 23, 27, 28, 29 30 tetor, ora: 19:00!/top channel