Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Polisi: NJË VELLO REJE

Kjo mbrëmje e trishtë dimri,
Si pelerinë, ka hedhur petkun e zi.
Përvëlon pasioni brenda meje,
Teksa jashtë bie borë në qetësi.
Si të iki, si të dal prej teje,
Si ta largoj këtë marrëzi?!
Trishtimi im një vello reje
Në ballin tënd larë me flori.
* * *
Ti vëren buzëqeshjen e çiltër në fytyrë
Dhe thua, “sa lumturi buron brenda tij”,
Por s’mund ta dish se dallgët në shpirt
Përplasen dhimbshëm me mënxyrë…
Ikën kërrusur nga pesha e dhembjes,
Ai që ti e sheh çdo çast fytyrëbleruar
Dhe askush nuk i kushton vëmendje,
As dielli s’ia ngroh shpirtin robëruar.
Please follow and like us: