Albspirit

Media/News/Publishing

Ermal Mulosmani: Ndahet nga jeta Fahri Doçi!

  
Sot u ndamë me njërin prej njerëzve më interesantë që kam pasur rastin të njihja, mësuesin tim të kimisë së shkollës së mesme, Fahri Doçin. Për hir të mbresave që ka lënë ai njeri te unë e ndjeva si obligim moral të shkruaj dy rreshta sot, kur ai nuk është më.
Është shumë interesante sesi qyteza të vogla, të largëta e mes malesh, ku shpesh të kaplon trishtimi e mërzia, mbajnë brenda tyre njerëz të urtë, të mençur e dinjitarë. Ata i bën më të ndritshëm kontrasti me ambientin konformist, servilizmin dallkauk e intrigant, aq shumë i pranishëm në kohët e errëta të diktaturës.
*****
Fahriu ishte modeli që ne projektonim për veten. Fjalëpak e zëulët, dinjitar si pakkush, i pregatitur pofesionalisht, jashtë çdo klani apo grupimi, metodist i jashtëzakonshëm, kokëulur dhe i dashur njëkohësisht. Të gjithë e dinim se diçka nuk shkonte në biografinë e tij por pakkush e dinte se çfarë. Ai ishte, sipas meje, figura më autoritare e arsimit prej tridhjetëe ca vitesh në Tropojë. Por asnjëherë nuk u bë Drejtor i Gjimnazit apo i Arsimit. Nëndrejtor ishte limiti që sistemi ia kishte vënë dhe Fahriu e kishte pranuar pa asnjë pretendim. Por autoriteti i Fahriut tejkalonte ndjeshëm atë të Drejtorit…Të paktën për aq kohë sa isha unë në atë gjimnaz.
E mbaj mend gjithmonë me pallton e famshme ngjyrë vishnje të errët, me hap të shpejtë, rrugës kryesore të qytetit. Duhet të ketë kaluar mbi 10 vite me atë pallto. Kishte vetëm dy destinacione, drejt shkollës apo shtëpisë. Interesant, nuk e mbaj mend ndonjëherë në situata të zakonshme si radhë, xhiro, spektator sporti apo klient nëpër dyqane. Figurë unikale, e pangjashme me asnjë. Burrë i pashëm, me sy të butë e shikim të trishtë, ballë të lartë e mendim të thellë, ai e kishte të shkruar në portret mençurinë, dinjitetin dhe mirësinë.
Breza të tërë nxënësish e morën dashurinë për kiminë nga përkushtimi, serioziteti, didaktika dhe dashuria me të cilën Fahri Doçi e trajtonte atë lëndë. Duhej të ishe fare i paturp të shkoje i papregatitur kur shikoje përkushtimin e tij. Dukej si një lloj mosmirënjohjeje. Nxënësi që vlerësohej me një notë të ulët në një lëndë çfarëdo kishte predispozitën të gjente fajin te mësuesi. Në kimi, jo vetëm e gjente te vetja por kishte edhe një kompleks përpara presor Fahriut. I shmangeshim korridoreve nga turpi pse nuk u pregatitëm sa duhet…
E megjithatë ai ishte një njeri i mrekullueshëm! Për ta mbyllur po tregoj një detaj që më ka ndodhur në vitin 87, isha në vitin e tretë gjimnaz. Është fiks ajo koha që nxënësin e kap një vetëbesim, gjimnazi i duket si shtëpi, mosha të bën të përjetosh delire fluturake. Isha përpara shkollës, me dy tre shokë e po flisnim me zë të lartë, fjalë plot vulg e të qeshura të zhurmshme po aq sa të kota. Isha vetë protagonist i një sharjeje pa kuptim kur dëgjoj shokun tim të më bëjë një shenjë “Ule zërin”. Kthej kokën dhe shoh mësues Fahriun. Sa smë ra pika nga turpi! Doja të zhdukesha në çast, me vrap. Por shtanga e nuk dija çtë bëja. Ai kishte qenë 1 metër larg meje e sharja ime mund të ishte dëgjuar edhe në qytet! I miri mësues, më hodhi dorën në qafë e më tha plot ngrohtësi: “Ermal, si je xhaxh, si ke kaluar?”
Më bëri edhe nja dy tri pyetje por unë nuk i mbaj mend. Ai ishte ndjerë po aq keq sa unë nga kapadaillëku im prej adoleshenti dhe po përpiqej ta kalonte atë situatë delicate. Më mbeti në mendje fjala “xhaxh”, një afërsi që synonte të tejkalonte drojen dhe sikletin tim. Folëm edhe pak, e, kur u ndamë, më afroi kokën në shenjë afërsie!
******
Fahri Doçi ishte ndër ato pak koordinata ku Tropoja orientohet. Përtej politikanëve apo figurave të tjera publike me bollëk. Ai bën pjesë në atë numër krejt të pakët figurash që i dhanë dinjitet, shkëlqim dhe iluminim gjithë Tropojës sa me mësimdhënien aq edhe me modelin e tij të njeriut. Qoftë i paharruar.
Please follow and like us: