Albspirit

Media/News/Publishing

Djali i kryebashkiakut të Kievit i arrestuar në Spanjë

Djali i ish-kryetarit të Bashkisë së Kievit rezulton të jetë arrestuar së fundmi në Spanjë si anëtar i një organizate kriminale të pastrimit të parave.

Policia spanjolle ka konfirmuar lajmin duke publikuar edhe një video që tregon arrestimin e tij, duke përgënjeshtruar kështu deklaratat e të atit, që thoshte se i biri ishte i lirë.

Stepan Chernovetskyi u arrestua në Barcelonë më 12 korrik bashkë me 10 persona të tjerë, ukrainas dhe rusë për pastrimin e rreth 10 milionë eurove përmes blerjes së pronave.

Ish-kryetari i bashkisë së kryeqytetit ukrainas, Leonid Chernovetskyi fillimisht përgënjeshtroi lajmet e publikuara në media për të birin, duke thënë për një të përditshme lokale se bëhej fjalë për një abuzim të mediave spanjolle.

Gjithashtu, ish-zyrtari përmes profilit të tij në Facebook tha se, djali i tij ndodhej në Barcelonë në shtëpinë e tij dhe vetëm sa ishte marrë në pyetje nga policia.

Autoritetet spanjolle deklarojnë se organizata ku bënte pjesë Stepan Chernovetskyi importonte para nga llogari bankare “offshore” në Qipro dhe Ishujt e Virgjër britanikë, të cilat më pas i investonte në prona të patundshme në vendin iberik.

Videoja e publikuar në faqen e internetit Hromadske.tv, tregon gjithashtu makina të shumta të sekuestruara, para kesh, telefonë dhe bizhuteri të shtrenjta në zotërim të të arrestuarve.

Leonid Chernovetskyi qeverisi Kievin mes viteve 2006-2012. Në dhjetor 2014, një komision hetimor i parlamentit të Ukrainës zbuloi një gropë prej 2.8 miliardë dollarë në buxhetin e bashkisë gjatë drejtimit të tij. Aktualisht ish-zyrtari jeton në Gjeorgji dhe dhjetorin e kaluar ia dorëzoi menaxhimin e bizneseve të tij të birit.

Please follow and like us: