Shaban Murati: Shkenca pa shkencë
Gjëja më e lehtë në Shqipëri është të bësh shkencë. Sepse nuk djersitesh për të bërë shkencë, por emërohesh. Ndaj disa anëtarë të qeverisë komuniste, megjithëse në moshën e tretë, në demokraci iu futën shkencës, që ishte po aq e lehtë sa politika dhe që të jep shumë xhepa personalë kur je i lidhur me politikën. Pra u emëruan në shkencë.
Po kështu ndodhi edhe me disa politikanë të periudhës së tranzicionit, që u emëruan në shkencë nga qeveritë e tyre, kur udhëheqësi nuk i donte më në politikë dhe i emëronte drejtora në institucionet shkencore. Shkenca u bë zyrë partie, u bë gjendje civile krahinore, u bë rrapi i krushqive të fshatit. Konvejeri arsimor i partisë punonte 24 orë në ditë për prodhimin e çertifikatave profesor e doktor, njësoj si dikur komisionet e kategorive për xhenerikët.
Gallata ishte kur për pazare politike qeveria e majtë emëronte drejtora në shkencë politikanë të djathtë dhe qeveria e djathtë emëronte drejtora në shkencë politikanë të majtë. Dhe që qeveritë nuk e kanë hallin fare që të bëhet shkencë, e tregon fakti se i emërojnë në shkencë kur janë pleq.
Rezultati i tyre në shkencë është një vrimë në ujë, njësoj si rezultati i tyre në politikë. Ata, që dështuan në politikë, dhe që udhëheqësi i emëronte në shkencë, sollën me vete dështimin edhe në shkencë.
Shqipëria është i vetmi shtet në Europë, ku politika emëron shkencën, ndaj nuk mund ta prodhojë atë.
Please follow and like us: