Zana Tako: Njëlloj me fatin e Judës…
Kur shohim se si i gënjyeri i ka katranosur keq punët e veta, atëherë fillojmë të mendojmë, se gënjeshtra duhet mbajtur sa më larg punëve të mira. Kjo vlen për ata që nuk e përdorin gënjeshtrën, as kur janë me humor të keq e as kur janë me humor të mirë.
Gënjeshtra është si malli i skaduar por pa etiketë. Kur zbulon se ta kanë hedhur, kupton se sa rëndësi ka vigjilenca, e cila njerin sy ta le gjithmonë çelur.
Kur mendjet manipulohen me gjuhën e gënjeshtrës, do të thotë: se përfitimi i atij që gënjen është me përqindje zero. Rezultati është përfitimi i punëve pa vlerë.
Pasuria e gënjeshtërt është baraz me një grusht dhe, i cili peshon aq sa zbrazëtia e gënjeshtrës që luan me gjuhën e manipulimit. Ai që e ka përdorur dhe e ka mbrojtur lojën e manipulimit, është gjahu i përdorur nga armiku i tij.
Në teori flitet për vlerat e së vërtetës, por në praktikë e vërteta fshihet në skutat e shpirtit, duke e zëvendësuar me rolin e interesit dhe përfitimit njerëzor, maskuar me sjellje, fjalë e veprime delirantësh propagandistikë, për të fshehur e jo për të treguar atë çka ndodh.
Do të vijnë ditë të vështira, e masa e dijes do të vihet në kandar. Të gënjyerit do të shfaqen si personazhe cirku, e shfaqja e tyre do dëshmojë, se loja e liderit të gënjeshtrave ka marrë fund.
Është koha kur të marrët nuk do të mbajnë më fjalime, as nuk do t’i venë në zbatim dëshirat e tyre, sepse Zoti i ushtrive, thërret në fushë betejë trima e jo frikacakë, besnikë e jo tradhtarë.
Në botë ka shumë shembuj tradhtish dhe shkatërrimesh. Por tradhtia më e madhe që e dënon njeriun, është mohimi i Zotit dhe i ligjit të Tij. Është koha kur njeriu do kuptojë, se ky mohim e ka dënuar duke e shkatërruar. Mohimi dhe gënjeshtra do të mbeten varur në degën e pemës, njëlloj me fatin e Judës kur tradhtoi Birin e kryqëzuar!
12 Tetor 2022.
Please follow and like us: